Të bëhen hetime speciale të trafikimit me organet e shqiptarëve

Kosova

Të bëhen hetime speciale të trafikimit me organet e shqiptarëve

Nga: Shqipe Osmani, BOTA SOT Më: 8 mars 2009 Në ora: 17:22

Institucionet e Kosovës, opozita, familjet e të zhdukurve dhe ekspertët kërkojnë që të kryhen hetime speciale nga institucionet përkatëse të krimeve monstruoze serbe, të trafikimit të organeve të viktimave shqiptare, nga serbët.

Dyshimet e fundit se gjatë luftës në Kosovë 1998-1999, serbët përmes Maqedonisë kanë bërë tregti me organe e shqiptarëve të vrarë të Kosovës. Këto dyshime të përfolura në disa media vënë në vëmendjen e institucioneve të Kosovës se krahas kërkimit të kthimit të të zhdukurve gjatë luftës , duhen bërë hetime edhe për dyshimet e trafikimit me organet e shqiptarëve nga serbët dhe në vërtetësi të këtij dyshimi Kosova duhet të ngre padi në të gjitha nivelet. Zyrtarët institucional dhe spektri politik në Kosovë mendojnë që dyshimet duhen verifikuar dhe vërtetësia e tyre duhet të identifikojë edhe përgjegjësit e më pastaj të ngritët padia shtese për krimet dhe gjenocidin serb të ushtruar në Kosovë.

Krimet dhe gjenocidin serb institucionet e Kosovës e kanë dënuar dhe e dënojnë në vazhdimësi duke kërkuar në rrugë institucionale ndriçimin e të gjitha krimeve, por me këtë edhe kthimin e të zhdukurve gjatë luftës.

Hetim special rreth dyshimeve për tregti me organet e shqiptarëve

Xhavit Beqiri thotë se nëse ekzistojnë argumentet për trafikim të organeve të qenieve njerëzore, patjetër këto dyshime duhet të hetohen.

Prenkë Gjetaj, kryetar i Komisionit Qeveritar për të Pagjeturit, tha se nuk ekziston nja akuzë zyrtare, por derisa ata janë marrë të gjallë mbase edhe të vdekur, ne kërkojmë trupat e tyre. Ai shfaq shqetësimin se në këto rrethana që kanë vepruar serbët ekziston dyshimi për një veprim të tillë. “Ne kërkojmë të zbulohet fati i të pagjeturve dhe çdo gjë që është e dyshimtë duhet të nxitë organet kompetente të merren me atë çështje, qoftë në formën e ngritjes së padisë apo edhe forma të tjera ligjore”, thotë Gjetaj, duke shtuar se derisa ekzistojnë dyshimet çështja duhet të hetohet nga të gjitha nivelet në mënyrë zyrtare.

Ismet Beqiri, kryetar i Komisionit Kuvendar për të Drejtat e Njeriut, shprehet se dyshimet për një krim të tillë, siç është edhe trafikimi me organet e të vdekurve ka ekzistuar edhe më herët i sforcuar tashmë edhe më shumë dhe se ndaj dyshimeve të tilla duhet të kërkojmë nga organet kompetente ndërkombëtare që të ketë një hetim special rreth mundësisë dhe dyshimeve për tregti me organet e shqiptarëve të vrarë. “Është obligim i institucioneve tona që të kërkojnë hetim rreth kësaj çështje, sepse ne jemi ata të cilët do të duhej të kërkojmë hetime e jo Serbia, siç pretendojnë serbët se ne i kemi bërë ato krime dhe mendoj se ky është pretendim i tyre për të mbuluar tërë atë që kanë bërë ndaj shqiptarëve të Kosovës”, thotë Beqiri.

Bajram Kosumi, anëtar i AAK-së, tha se Qeveria e Kosovës duhet të merret më parë për vërtetësinë e këtij dyshimi, atëherë në rast të verifikimit ajo duhet të autorizojë gjykatat e Kosovës që të bëjnë hetime dhe të kërkojë nga Gjykata Ndërkombëtare për Krime të Luftës që të bëjë hetime të veçanta.

Obligim kushtetues të ndriçohen rastet e krimeve ndaj shqiptarëve

Naser Rugova, anëtar i LDD-së, konsideron se është e drejtë e çdo shteti demokratik që të kërkohet drejtësia. “Qeveria e Kosovës duhet të kërkoj sqarime zyrtare nga mekanizmat kompetent ndërkombëtarë, por edhe nga institucionet serbe, sepse çdo gjë në atë kohë është bërë në mënyrë institucionale, me urdhra të prerë dhe me hierarki shtetërore”, tha Rugova, duke shtuar se institucionet tona kanë obligim kushtetues të ndriçojnë rastet e kur janë dëmtuar shqiptarët e Kosovës.

Sa i përket dyshimeve të fundit se serbët kanë trafikuar organet e shqiptarëve të vrarë gjatë luftës avokati Tomë Gashi tha se duhet të krijohet një njësi për hetime speciale sa i përket dyshimeve për trafikim me organe të shqiptarëve. “Ky dyshim mund të jetë i besueshëm duke pasur parasysh se kemi të bëjmë me një ushtri të rregullt serbe dhe njësi të policisë së rregullt. Po ashtu edhe institucionet shëndetësore që kanë funksionuar në kuadër të ish- Jugosllavisë kanë qenë në gjendje që eventualisht të kryejnë transplantime të tilla dhe që organet njerëzore të viktimave shqiptarëve t’i shesin nëpër vende të tjera”, tha Gashi. Edhe pse nuk është lehtë që dyshimet e tilla të vërtetohen, ai konsideron se duhet të ketë një hetim serioz që të eliminohet edhe kjo dilemë. ”Nuk dihet fati i 3 mijë të zhdukurve, mund të jetë që një pjesë e tyre kanë përfunduar në duart e këtyre kriminelëve të cilët eventualisht kanë hequr pjesët e trupit të tyre për t’i shitur ato”, është shprehur Gashi.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat