Kosovës i duhet paqja dhe mirëkuptim politik, i të gjithëve

Bota e Yjeve

Kosovës i duhet paqja dhe mirëkuptim politik, i të gjithëve

Më: 7 shkurt 2011 Në ora: 10:52

“Unë prej kohësh jam këshilltar në Qendrën për Studime Ndërkombëtare Strategjike së bashku me personalitete të shquara amerikane si Henry Kisinger, Zbigniew Brzezinski...”, thotë Pacolli.

Kryetari i AKR-së Behgjet Pacolli ndodhet në një mision të ri humanitar. Kësaj here shkak u bënë, trazirat në Egjipt, të cilat po shkojnë drejt një konflikti, i cili rrezikon të merrë përmasa tragjike. Pjesë e kësaj tragjedie në të tilla raste më së lehti bëhen të huajt. Si çdo vend normal edhe Kosova do të duhej të merrte përsipër kthimin e qytetarëve të saj, duke shmangur rrezikimin e jetës së tyre. Në pamundësi që shteti këtë ta bënte në mënyrën më të duhur dhe të shpejt, pavarësisht angazhimit, meqë atje nuk ka një ambasadë të tij, këtë detyrë humanitare e ka marrë përsipër edhe z.Pacolli, i cili tashmë grupin e parë të qytetarëve e ka sjellë në Kosovë me shpenzimet e tija, ndërsa po vazhdon përpjekjet për të kthyer çdo shtetas tonin. Duke biseduar për këtë çështje, shfrytëzuam rastin të bisedojmë edhe për vlimet politike që po kalon vendi, veçanërisht për çështjen e krijimit të institucioneve, pjesë e të cilave diskutime është e partia që e drejton ai, AKR-ja.

“Bota sot”: Koalicioni për Kosovën e Re asnjëherë nuk është deklaruar se nuk do të hyjë në koalicion me PDK-në, megjithatë është përfolur shumë se koalicioni juaj e ka kusht për të hyrë në koalicion me PDK-në, postin e presidentit. A keni biseduar me Thaçin për këtë çështje?

B.Pacolli: Më duket e tepërt të përsërisë se ne kemi thënë vetëm se nuk kemi vija të kuqe për bashkëpunimin me ndonjë parti të Kosovës. Siç e keni vënë re, me ndonjë përjashtim, të gjitha partitë pas zgjedhjeve janë të gatshme me u përfshi në qeverisje, me kushtet e tyre. Është arritur ndërgjegjësimi i shumicës së forcave politike se situata e vendit, kërkon angazhimin e më të mirëve, për t’u përballë me sfida që janë bukur të vështira. E kam thënë edhe më herët, që unë kam biseduar me zotin Thaçi, ashtu siç kam biseduar dhe me përfaqësues të tjerë politikë në krahun tjetër. Kanë qenë biseda krejt normale midis liderëve politikë dhe në një vend demokratik ndodh kështu, si në situatat që po kalojmë. Negociatat janë diçka krejt tjetër. Por, ajo që është më e rëndësishme, është të gjendet zgjidhja më e mirë, më e qëndrueshme për Kosovën, që t’i sjellë asaj përmirësim imazhi, forcim të kapaciteteve qeverisëse me personalitete të spikatura dhe të dëshmuara, qëndrueshmëri politike dhe institucionale, reforma, që do ta çonin Kosovën në një nivel më të lartë zhvillimi. Miqtë po presin nga ne dëshmi të reja shtetformimi, dhe ne si AKR do të kontribuojmë në këtë drejtim, sepse ne dimë dhe sepse ne mundemi do të thoshte një koleg imi. Qytetarët presin që të rritet mirëqenia, të kenë më shumë punë, pavarësisht kush do të jetë në qeverisje, ne jemi gati.

Pa mburrje

“Bota sot”: S’më sqaruat kushtin tuaj për Presidentin...

B.Pacolli: Ju e quajtët kusht, ndërsa unë nuk do ta quaja të tillë. Shikoni, unë falë punës time të gjatë në vite, në të gjithë botën, në Perëndim apo në Lindje, ku s’kam patur ndëshkimin më të vogël, as për parkim të gabuar, jam dikush-i. Unë kam shumë vepra të mëdha dhe të vogla në favor të Kosovës, megjithëse nuk jam mburrur kurrë për këto vepra. Unë dua të bëj dhe më shumë vepra të tilla, dhe i kam të gjitha mundësitë, të cilat fatkeqësisht nuk i ka kush tjetër në Kosovë dhe për këtë më vjen keq. Unë dua të punoj për të sjellë më shumë njohje, deri në realizimin e qëllimit final- anëtarësimit të Kosovës në OKB. Unë kam programin tim personal për objektivat e mia në krye të Presidencës, realizimi i të cilit do ta çonte Kosovën shumë vite para në zhvillim, në mirëqenie. Unë vetëm, apo bashkë me figurat e shquara të Koalicionit tonë, di si ta ndërtoj një model ekonomik të suksesshëm për Kosovën, sepse ka shumë vjet punojë për këtë model, duke filluar që nga rimëkëmbja e fabrikës më të vogël deri tek ajo më e madhja. Unë jam i dëshmuar në këtë punë. Pyetja është: a e do Kosova kontributin tim sot? Unë besoj se po. Unë jam gati, por jo për veten, por për Kosovën, sepse mua s’më mungon asgjë. Unë s’jam politikan si të tjerët, sepse unë nuk merrem me politikë për të jetuar, por dua që me politikën time të jetojnë më mirë bashkatdhetarët e mi. Unë s’di të bëj armiq; unë di të pajtoj. Unë di të punoj dhe s’di të bëj fjalë. Unë kam miq të vërtetë, dhe s’do lodhem për të krijuar miqësi të vyeshme për Kosovën; etj, etj. Është një dilemë e një fabule të vjetër: më mirë të dish, apo të kesh? Unë dhe di, edhe kam! Unë s’kam ndonjë padurim për pushtetin, siç e kam treguar me shembullin tim unik të durimit, të vetëpërmbajtjes, të konstruktivitetit, të sinqeritetit. Por, zgjedhësit tanë, populli i Kosovës pret shumë prej meje, siç e tregon në shumë komunikime edhe të mëhershme. Unë dua t’ia shpërblej popullit tim atë që ka bërë për mua dhe s’e shoh këtë post si shpërblim pragmatik interesash.

Në Lutjet e mëngjesit

“Bota sot”: Në anën tjetër ka pasur zëra që ju keni qenë i papranueshëm nga ndërkombëtarët për postin e presidentit, sipas një burimi anonim të një gazete të njohur opozicionale me ju, në anën tjetër ju ishit pjesëmarrës në “Lutjet e mëngjesit” në SHBA, si e komentoni këtë dhe cilat janë raportet tuaja me ndërkombëtarët?

B.Pacolli: Shikoni, si njeri i punës që jam, unë nuk merrem me zëra, apo me fjalë, por me vepra. Kështu që unë nuk dua të komentoj zërat, nuk jam njeriu që i merr seriozisht zërat. Tash që po kryejmë këtë intervistë, siç është bërë e ditur, unë mora pjesë në Mëngjesin e Lutjeve, një ceremoni model ku liderë apo përfaqësues të shquar nga gjithë bota, takohen me homologë të tyre nga SHBA-të, të prirë nga Presidenti Obama. Unë kam një agjendë takimesh, dhe siç ju e dini, unë nuk e kam zakon të mburrem për agjendat e mia. Por, dua të saktësoj diçka. Unë kam miqësi të mëhershme në këtë vend, kampion i demokracisë. Unë kam patur prej kohësh kontakte të nivelit më të lartë këtu, më intensivet ishin gjatë lobimit tim për pavarësimin e Kosovës, para se Presidenti Bush të vinte në Tiranë e ta shpallte mbështetjen amerikane për këtë pavarësim. Kjo shpallje ishte fryt edhe i lobimit tim të fortë atëherë, dhe fitore mbi lobimin serb antipavarësi nëpërmjet kompanisë Venable. Unë prej kohësh jam këshilltar në Qendrën për Studime Ndërkombëtare Strategjike së bashku me personalitete të shquara amerikane si Henry Kisinger, Zbigniew Brzezinski, apo dhe personalitete të tjera nga gjithë bota. Amerika është vendi ku unë zhvilloj prej kohësh biznes, ashtu si dhe thuajse në të gjitha vendet perëndimore. Duke vlerësuar megjithatë gazetën në fjalë, unë dua megjithatë të bëj disa saktësime. Unë vazhdoj t’i mbetem pikëpamjes se mbështetja ndërkombëtare në paqe, ashtu si dhe në luftë, është jetike për shtetformimin tonë. Unë besoj shumë se prania ndërkombëtare ka shërbyer si shkollë qeverisjeje, si garanci stabiliteti në shtetin tonë të ri. Unë e vlerësoj shumë angazhimin e taksapaguesve perëndimorë në mbajtjen e një pranie të madhe në Kosovë, e cila do të na duhet shumë edhe në të ardhmen. Prandaj, kam vlerësuar gjithnjë iniciativat ndërkombëtare, qëllimi i të cilave është veçse në shërbim të Kosovës dhe të paqes në rajon.

“Bota sot”: Përveç postit të presidentit, cilat janë kërkesat tjera të AKR-së për të hyrë në koalicion?

B.Pacolli: Nuk do doja t’i përgjigjesha drejtpërdrejt kësaj pyetjeje, por do ta nisja me një pyetje timen për ju. A e ka luksin Kosova të injorojë kontributin qeverisës të personaliteteve të shquara që ka në gjirin e vet, Koalicioni për Kosovën e Re? A mund të mos vlerësohet programi i AKR-së, i cili është përgatitur nga ekspertët më të mirë të Kosovës? Unë besoj se jo. Sigurisht dhe partitë e tjera kanë plot figura të rëndësishme. Ndaj unë jam i bindur se mandatari duke vlerësuar veçoritë e momentit historik që po kalon vendi, do të bëjë më të mirën. Unë vazhdoj të besoj se Kosovës dhe sot, njëjtë sikur në mandatin e parë i duhet njëlloj paqeje dhe mirëkuptimi politik; i duhet kontributi i të gjithëve në arritjen e disa objektivave themelorë për jetesën tonë si shtet i pavarur.

“Bota sot”: A ka ende AKR-ja qëndrim konkret për hyrjen në koalicion me PDK-në?

B.Pacolli: Ne do të mbledhim forumet dhe do ta përcaktojmë saktësisht qëndrimin tonë sapo të kthehemi.

Angazhim mbarëkombëtar

“Bota sot”:AKR-ja do të jetë pjesë e Kuvendit të Kosovës, cili do të jetë qëndrimi juaj lidhur me bisedimet që pritet të zhvillohen në mes Kosovës dhe Serbisë?

B.Pacolli: Qëndrimi jonë është bërë i njohur edhe më parë, kështu që e kam më të lehtë t’i përgjigjem pyetjes suaj. Që ne të ulemi në bisedime, duhet që Serbia t’i njohë në një mënyrë, ose në një tjetër institucionet tona dhe këto bisedime të zhvillohen në kushte barazie të plotë. E dimë që duhet gradualitet në imponimin e këtij realiteti, por ne do ta shkurtojmë kohën e pranimit të plotë të Kosovës si shtet i pavarur nga Serbia. Ndërkohë ju e keni vënë re, që në disa raste, unë i referohem konceptit të bashkimit, apo të bashkëpunimit të faktorit mbarëkombëtar. Kam kërkuar më së fundi, një tryezë mbarëkombëtare për rrëzimin e raportit të Dik Martit, por jo vetëm për atë qëllim. Ajo tryezë, ftesa për të cilën mbetet e hapur mund të diskutonte për sfidat e tjera që ka Shqipëria, Kosova apo faktori shqiptar në përgjithësi. Edhe në lidhje me bisedimet, apo me strategjinë e njohjeve, unë jam i mendimit dhe e kam bërë të njohur nëpërmjet artikujve të ndryshëm që duhet të funksionojë një Këshill koordinues ku do të bëjnë pjesë të gjitha partitë politike apo figura të shquara nga shoqëria civile. Atdheu është i të gjithëve, jo vetëm i partive që bëjnë pjesë në qeverisje. Më bëri përshtypje intervista e një diplomati amerikan, njohës shumë i mirë i Ballkanit si Hooper: ai nënvizonte disa nga rreziqet e këtyre negociatave, por dhe shanset që shfaqen me këto bisedime nëse Kosova do të tregonte aftësi diplomatike gjatë tyre. Jam plotësisht dakord. Ne e kemi theksuar dhe në fushatë, se do të uleshim për bisedime duke i kërkuar Bashkimit Europian për të hapur procesin e negociatave për vizat për qytetarin e Kosovës, njërin prej kushteve që përmendte zoti Hooper. Po ashtu dhe kushti tjetër për arritjen e njohjeve të nevojshme për anëtarësimin e Kosovës në OKB, për të cilin qëllim fola më herët.

“Bota sot”: Si e shihni vendimin e qeverisë për rritjen e pagave, a vlerësoni se do të ketë mjete buxhetore qeveria e ardhshme që të përmbush këtë vendim?

B.Pacolli: Ne e bëmë të qartë që gjatë fushatës se jetësimi i atij premtimi do ishte i vështirë për shumë arsye, jo vetëm për shkak të autoriteteve financiare ndërkombëtare që na monitorojnë. Le të shpresojmë se qeveria do të mbajë premtimet, por mbi të gjitha ne i mbetemi pikëpamjes, se nxitja e zhvillimit të vendit, mund të prodhojë rritje ekonomike, punësim dhe rritje rrogash. Zhvillimi i vendit bëhet me njerëz të ditur dhe ekspertë, të cilët i prijnë proceseve. Ne i kemi ata njerëz dhe populli i Kosovës i ka të gjitha kapacitetet për të ecur me shpejtësi përpara. / Intervistoi: Marie Nikolla

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat