El Baradei: Po përjetojmë një pranverë arabe

Speciale

El Baradei: Po përjetojmë një pranverë arabe

Më: 8 shkurt 2011 Në ora: 22:35

Lideri i opozitës egjiptiane, El Baradei, shpjegon arsyet se pse Presidenti i vendit Mubarak duhet që të lërë menjëherë Egjiptin, në ç’mënyrë duhet që ta shohë Izraeli revoltën popullore që ka shpërthyer në të gjitha vendet arabe, si dhe pse ai e ndjen se mund të jetë një “ndryshim” për vendin e tij

A është Egjipti në rrezikun e një lufte civile?

Unë e shoh këtë rrezik. Kemi pësuar një kolaps të plotë të rendit publik dhe shpesh ka edhe raste që mund të konsiderohen fatale dhe të pashpresë. Këto sulme janë organizuar dhe ideuar nga provokatorët, pjesa më e madhe e të cilëve është rekrutuar nga shërbimet sekrete dhe policia.

A keni prova për këto?

Po. Fajtorët kanë hequr uniformat e tyre dhe në këtë mënyrë nuk mund të njihen. Disa prej tyre ende mbanin mbi vete bejxhët e identifikimit kur u kapën nga demonstruesit. E vetmja mundësi që ata kanë pasur për të shkaktuar panik, rrëmujë dhe kaos ka qenë me ndihmën e shtetit. Ata kanë grabitur dhe qëlluar gazetarët dhe kanë bërë ç’është e mundur që të ndalojnë dhe pengojnë demonstruesit e vërtetë.

A nuk mendoni se duhet që të kishit qenë në qendër të sheshit kryesor të Kajros për të përdorur autoritetin tuaj në qetësimin e situatës?

Unë isha aty një herë dhe situata u përkeqësua edhe më shumë. Duhet të kujdesesha edhe për sigurinë time. Ka njerëz që mendojnë se do t’i bënin regjimit nder, në rast se do të më hiqnin qafe fizikisht. Sa më shumë që të zgjasë kjo situatë me Mubarakun në krye të vendit, aq më e qartë do të bëhet që vendi po shkatërrohet ekonomikisht dhe politikisht. Mubaraku duhet të largohet dhe jo në një të ardhme, por tani! Unë besoj se edhe amerikanët e kanë humbur tashmë durimin.

Ju i keni dhënë Mubarakut një ultimatum. Afati i tij përfundoi të premten, ditën që demonstruesit e cilësuan: Dita e ikjes.

Po dhe do ta them përsëri: ai duhet që të largohet dhe ta bëjë këtë menjëherë. Jam i sigurt që ka ende vende arabe që do ta prisnin dhe do ta strehonin. Kam dëgjuar për Bahreinin. Nëse Mubarakut i ka mbetur ende një fije patriotizmi në këtë moment shumë delikat për vendin, ai duhet që të ikë.

Ju e njihni personalisht Mubarakun. Në ç’mënyrë mendon, apo arsyeton ai?

Jam takuar me të në disa raste. Kemi diskutuar në lidhje me politikën e jashtme egjiptiane dhe nuk kanë qenë diskutime të qeta apo shumë të këndshme. Megjithatë mendoj se ai është molepsur nga sëmundja që kanë të gjithë diktatorët. Askush brenda rrethit të njerëzve të tij të afërt nuk guxon që ta sfidojë, apo ta kundërshtojë, apo në fund të fundit t’i thotë të vërtetën. Mendoj se në këto rrethana, mund të cilësohet i vetmuar.

Po ju si mendoni, kush do t’ia mbushë mendjen që të largohet?

Populli egjiptian. Tani që kultura e frikës është zhdukur nga Egjipti, njerëzit e dinë se ata mund të kryejnë çdo gjë. Unë jam shumë krenar për bashkatdhetarët e mi. Vetëm disa muaj më parë kur isha në një takim me vëllain tim, i thashë shumë i dëshpëruar: “Egjiptianët janë të gjithë shpirtra të vdekur”. Ndërsa sot shoh i lumtur vetëbesimin në sytë e njerëzve të mi dhe shpresën në të ardhmen.

A kishit shpresuar ndonjëherë se kjo gjë mund të kishte ndodhur?

Kisha shpresuar, por nuk e shihja që të realizohej. Të paktën jo me këtë shpejtësi dhe forcë. Njerëzit ishin të ngrirë nga koma politike për dhjetëra vite dhe tashmë, me protestën e tyre, i kanë dhënë njerëzimit një model të ri, modelin e duhur për t’u përqafuar nga njerëzit dhe popujt e sunduar. Është me të vërtetë e jashtëzakonshme.

A mendoni se për këtë lëvizje është më shumë avantazh, apo dizavantazh mospasja e një lideri të mirëfilltë?

Kjo është një lëvizje me një bazë të gjerë. Unë nuk mund të them se jam lideri i saj. Jam i lumtur që jam pjesë e ndryshimit dhe jam duke punuar vazhdimisht dhe ngushtësisht me demonstruesit. Jam i përgatitur që t’i këshilloj për mënyrën se si mund ta transformojnë suksesin e tyre në rrugë në një ndryshim politik. Tre nga liderët e protestuesve do të më takojnë për të biseduar pikërisht për këtë qëllim.

Është folur shumë pak së fundi për Aleancën Kombëtare për Ndryshim, e cila ka në përbërje anëtarë të Vëllazërisë Myslimane. A e përfaqësoni ju ende këtë grup kur negocioni me qeverinë?

Po. Dy ditë më parë fola me përfaqësuesit e qeverisë edhe një herë. Por gjithçka realizohet vetëm me largimin njëherë e mirë nga pushteti të Mubarakut. Ne nuk i japim legjitimitet asnjë regjimi që mbështet Mubarakun.

Zëvendëspresidenti i sapozgjedhur, Omar Sulejman, ka nisur tashmë një dialog me liderët e opozitës, por jo me ju apo ndonjë nga përfaqësuesit e Vëllazërisë Myslimane...

Kam dëgjuar për këtë gjë. Ai është takuar me përfaqësues të partive të ndryshme, por janë parti që nuk kanë ndonjë zë të veçantë dhe nuk përbëjnë ndonjë forcë të madhe. Forcat më të rëndësishme janë demonstruesit dhe Vëllazëria Myslimane. Do të preferoja të flisja me lidershipin e ushtrisë sa më shpejt për të rënë dakord për veprimet që duhet të ndërmerren për të arritur një tranzicion pa gjakderdhje. Me një Kushtetutë të re dhe me shpërbërjen e Parlamentit aktual, mund të ndërtojmë një shtet të ri demokratik.

A shihni ndonjë paralele mes asaj që po ndodh tani në vendet arabe dhe përmbushjes së regjimeve komuniste në vendet e Europës Lindore në vitin 1989?

Sigurisht. Të dyja janë përmbysje dhe ngjarje historike. Ajo që po ndodh aktualisht në botën arabe, që nga Tunizia e deri në Jemen i ngjan një zjarri të madh, që përhapet në një pyll në ditët e verës. Nuk kam asnjë dyshim se tranzicioni në Egjipt do të shoqërohet nga tranzicioni në të gjitha vendet arabe dhe Lindjen e Mesme. Mund të përjetojmë një pranverë arabe…

…e cila të shpresojmë se nuk do të përfundojë si Pranvera e Pragës e vitit 1968, kur trupat e Paktit të Varshavës ndërhynë me dhunë, duke shtypur liberalizimin e vendit. Ata që janë aktualisht më të shqetësuar se të gjithë në këtë situatë janë izraelitët…

Janë disa mite mbi veten që Mubaraku me shumë sukses ia ka dalë që t’i mbjellë në Perëndim dhe në Izraeli. Së pari është miti që nëse ai do të rrëzohet nga pushteti, vendi do të bjerë në kaos. Së dyti është miti që nëse Egjipti do të shkojë drejt tranzicionit, marrëveshja e paqes me Izraelin do të anulohet dhe ne do të jemi në prag të një lufte gjithëpërfshirëse në Lindjen e Mesme. Dhe së treti, ai ka arritur që të mbjellë frikën se nëse ai do të largohet, do të dalë ndonjë Ajatollah nga Irani që të pushtojë Kajron. Të gjitha këto nuk kanë asnjë kuptim.

Në ç’mënyrë duhet që të sillet një President i ardhshëm i Egjiptit me Izraelin? Nëse do të ishit ju, a do të takoheshit me Natanjahun, Kryeministrin hebre të linjës së ashpër?

Kam bërë edhe më parë udhëtime në Izrael, por kur bëhet fjalë për politikën, jam gjithmonë e më shumë i shqetësuar me thelbin e gjërave se sa me formën. Sigurisht që kushtet duhet absolutisht që të përmirësohen në Rripin e Gazës dhe bllokada duhet që të hiqet urgjentisht. Gjithmonë u them miqve të mi izraelitë: 
 “Është mbi të gjitha në interesin e sigurisë suaj që t’i keni palestinezët miq, e jo armiq, të paktën partnerë, pra t’u jepni të drejtat që u takojnë dhe jo t’i poshtëroni”.

Së fundi, a mendoni se do të jeni presidenti i ardhshëm i Egjiptit?

Nuk është ky objektivi për të cilin po luftoj. Por nëse njerëzit do të presin nga unë, nuk do t’i zhgënjej. Do të më pëlqente që të mbetesha i pavarur dhe të mbaja një lloj distance si për sa i përket Vëllazërisë Myslimane, ashtu edhe politikës amerikane.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat