Në zyrën e pastorit të çmendur

Speciale

Në zyrën e pastorit të çmendur

Më: 11 shtator 2010 Në ora: 01:25

Padyshim që nuk mund të krahasosh vrasjen e mijëra njerëzve të pafajshëm me djegien simbolike të një libri të shenjtë, por pastori nga Florida, Terry Jones i cili ka planifikuar të djegë një numër të madh Kuranësh ditën e sotme, duket se ndjek të njëjtën strategji mediatike të Osama Bin Ladenit apo edhe Johnny Rotten gjithashtu.

Konsideroni këtë fakt: Jones drejton "Dove World Outreach Center", një kishë fondamentaliste në Gainesville në Florida, anëtarësia e së cilës mendohet të kapë shfrën e 50 familjeve. Për vite e vite me radhë ai është përpjekur të fitojë një audiencë më të gjerë në tregun kompetitiv të ministrisë konservatore duke promovuar me fanatizëm mesazhin e tij që thotë: "Islami është Djalli". Ky është gjithashtu edhe titulli i një libri të shkruar nga Jones dhe ishte në të njëjtën kohë slogani kryesor që mund të shihje në bluzat që dy nga fëmijët e ndjekësve të tij vishnin për në shkollë. Rezultati ishte që të dy këta fëmijë u dërguan në shtëpi për dhunim të kodit të veshjes. Gjithsesi, numrat flasin qartë: edhe ndër pastorët e konservatorëve evangjelistë, Terry Jones është askushi.

Megjithatë, qëllimi i tij për të qenë në qendër të vëmendjes u arrit këtë javë kur mijëra e mijëra demonstrues në Afganistan dhe Indonezi dolën nëpër rrugë për të denoncuar planin e djegies dhe Gjenerali David Petraeus u shkëput nga detyra e tij si drejtues i luftës në Afganistan për të paralajmëruar publikisht se ky gjest provokues mund të përbëjë rrezik serioz për trupat amerikane përtej detit. Jones ende nuk ka ndezur as edhe një shkrepëse, por gjithsesi nga një hiç është kthyer në personin e kërkuar në mënyrë të dëshpëruar nga e gjithë media botërore.

Me mospërfilljen më të madhe të mundshme, Jones injoroi tërësisht lutjen e gjeneralit Petraeus për të mirën e trupave amerikane. "Ne planifikojmë të shkojmë deri në fund", deklaroi ai, edhe pse premtoi se do të lutej për të mirën e trupave ushtarake amerikane. Duket qartë që ky burrë po mundohet të shtrydhë edhe pikën më të fundit të 15 minutëshit të tij të vëmendjes të fituar thjesht me anë të një kërcënimi, me anë të një provokimi botëror që do të kryhet në një oborr modest.

I vetmi që e aprovon mund të ishte Johnny Rotten. Një themelues kryesor i punk rock-ut, Rotten (emri i vërtetë i të cilit është John Lydon) do të ishte i pari që pranon se asgjë nuk funksionon më mirë se sa një provokim në kohën e duhur që nxit imagjinatën e medias. Banda muzikore e Rotten, Sex Pistols, kënduan tre këngë të shoqëruara më shumë me energji dhe urrejtje se sa me talent dhe muzikë. Dëshira e tyre e madhe për të thyer tabutë duke ofenduar publikisht dhe në mënyrë të paturpshme Mbretëreshën e Anglisë me anë të këngëve dhe disa gjesteve, krijoi një panik të vërtetë mediatik që e kthyer Rotten nga hiçi në një superyll botëror brenda ditës.

Në një shkallë më të lartë dhe sigurisht më vrastare dhe të pamëshirshme, edhe Osama bin Laden e njeh dhe kupton shumë mirë rëndësinë e një provokimi në kohën e duhur. Ai drejtoi një grup të vogël vullnetarësh arabë, të cilët kishin luftuar kundër sovjetikëve në Afganistan me mbështetjen e trupave të Shteteve të Bashkuara dhe aleatëve të saj arabë dhe më pas u dërguan drejt botës së egër të Sudanit, derisa Talibanët erdhën në pushtet dhe u dhanë atyre një vend ku të qëndronin. Bin Laden dhe grupi i tij shpresonin të drejtonin një rebelim të vërtetë dhe të fuqishëm mes botës myslimane për të larguar regjimet e mbështetura nga Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e saj në fuqi. Edhe kur bin Laden arriti të mbledhë bashkë këto Fronte të Botës Islamike në Afganistan gjatë vitit 1998 dhe bërë një thirrje publike për t'u bashkuar në një luftë "Jihad" kundër çifutëve dhe të krishterëve, ai thoshte se drejton një grup prej qindra vetësh dhe ushtronte një pushtet shumë të vogël me të cilin donte të ndryshonte rregullin politik kundër së cilit predikonte. Rivalët islamistë, si për shembull Hizballah dhe Hamas, kanë patur një numër të kufizuar njerëzish të armatosur, kanë patur një kauzë kombëtare dhe armiq lokalë. Ndërkohë, pavarësisht ambicieve të tij gjeopolitike dhe kuptimit strategjik që do t'i japë kauzës së tij, bin Laden ka qenë pak a shumë një askush.

Kur al-Qaeda sulmoi ambasadat e Shteteve të Bashkuara në Kenja dhe Tanzani gjatë vitit 1998, njerëzit filluan ta vinin re, sidomos kur Presidenti Clinton u kundërpërgjigj me panik duke kërcënuar me një breshëri raketash të drejtuara për nga bin Ladeni. Por, kjo vëmendje nuk është asgjë para famës botërore që fitoi lideri i al-Qaedës kur 19 nga pilotët e tij kamikazë hodhën në tokë World Trade Center dhe shkatërruan tërësisht Pentagonin më 11 shtator 2001, duke vrarë rreth 3.000 qytetarë amerikanë në tokën e tyre mëmë.

Papritur, bin Laden dhe grupi i tij i vogël u bë mishërimi i gjallë i makthit më të madh të Amerikës. Presidenti i Shteteve të Bashkuara teknikisht i deklaroi hapur luftë edhe pse ai nuk drejtonte asnjë divizion, nuk ishte pronar i asnjë territori dhe kishte shumë pak asete të vogla dhe modeste. Lideri i al-Qaedës ishte qendra e debatit në çdo mbledhje të sigurisë kombëtare të Shteteve të Bashkuara për vite me radhë pas sulmit të tmerrshëm, edhe pse lëvizjet e tij nuk iu afruan kurrë goditjes së rëndë dhe groteske të 11 shtatorit.

Mjeti kryesor i terrorizmit është "propaganda e veprimeve" - një grup i vogël ekstremistësh mund t'i shndërrojë shumë lehtë deficencat e tij në pushtet të vërtetë vetëm me atë të akteve spektakolare të dhunës së skajshme që tërheqin vëmendjen publike duke e bërë këtë grup që të fitojë fuqi dhe të ndërtojë frontin e tij. Kjo ka qenë pikërisht edhe mënyra që ka përdorur bin Laden për të bindur amerikanët edhe pse nuk mbështetet nga mazhoranca e botës islamike.

Terry Jones, nga ana tjetër, nuk ka planifikuar të kryejë asnjë akt të dhunshëm edhe pse është tërësisht i ndërgjegjshëm se çfarë reagimesh mund të shpërthejnë në momentin që një person i vesh nota shenjtërimi kristiane aktit të djegies së gjësë më të çmuar në botë të myslimanëve. Megjithatë, skema e djegies publike e pastorit të çmendur është versioni jo i dhunshëm i "propagandimit të veprimit", e ideuar vetëm për të ndezur urrejtje mes botës kristiane dhe asaj myslimane, ashtu siç donte të bënte edhe bin Laden. Ashtu siç funksionoi për bin Ladenin (dhe Johnny Rotten gjithashtu) vëmendja e gjerë mediatike dhe nga njerëzit e pushtetshëm si dhe fama e madhe, është ajo që po e lejon Jones që ta prezantojë veten si një person apo një figurë më domethënëse se sa është në realitet.

Ka qenë një kohë kur Terry Jones, pastori i gjendur qëllimisht në stuhinë e fuqishme të djegies së Kuranëve, mund ta ketë ndjerë veten e tij në shtëpi në Gainesville. Një gjeneratë më parë, zona veriore e Floridas ishte e përbërë nga një komunitet biblik konservator i njohur gjerësisht për shpikjen e "Gatorade". Skuadra e futbollit të Universitetit të Floridas nuk ka pranuar asnjë lojtar me ngjyrë deri në vitin 1970. Idetë si dialogu ndërfetar apo të drejtat e homoseksualëve ishin aq larg sa edhe Sodomi dhe Gamorra.

Por, qyteza Gainesville në të cilën Jones jeton sot është shumë më ndryshe. Gjatë dy dekadave të fundit, ndërkohë që skuadra e universitetit ka fituar staturë akademike dhe është kthyer në një zgjedhje shumë e mirë dhe e famshme për studentët nga vende të tjera të Amerikës dhe botës, qyteza ka përjetuar një lloj metamorfoze duke u shndërruar në një zonë të zhvilluar metropolitane të njohur anembanë Shteteve të Bashkuara jo vetëm për fenë. Këtë vit, është zgjedhur si kryetar bashkie një homoseksual i deklaruar publikisht dhe popullata myslimane që jeton aty po rritet dita ditës duke arritur shifrën 1.500. Marrëdhëniet ndërfetare të qytetarëve në këtë vend njihen si më të mirat në të gjithë Floridan. Ismail ibn Ali, kapiteni 21-vjeçar i skuadrës së futbollit dhe gjithashtu drejtuesi i Kampusit Islamik thotë: "Njerëzit këtu janë shumë më të hapur dhe tolerantë nga ç'mund të pritet kur jeton në një vend kristian konservator".

Qytetarët mendojnë se kjo mund të jetë arsyeja që mund të shpjegojë përse Jones, pastor i Qendrës Evangjeliste Dove World Outreach në Gainesville, planifikon të djegë në mënyrë simbolike Kuranin këtë të shtunë, që shënon edhe ditën përkujtimore të tragjedisë së 11 shtatorit 2001 dhe mbi të gjitha, të përçojë një mesazh provokativ në zemrën e botës islamike për të cilën zyrtarët e Shteteve të Bashkuara kanë frikë se mund të përbëjë rrezik për trupat amerikane ushtarake në Afganistan dhe qytetarët amerikanë që jetojnë jashtë shtetit. Në një qytet ku nuk ka më vend për rebelimin fetar që do të promovojë Jones dhe nga grupi i tij që po tkurret dita ditës, duke qenë se ka më pak se 50 anëtarë dhe websiti i të cilit kohët e fundit ka kundërshtuar parrullën bazë të qytetit të Gainesville që është bashkëjetesa, Jones duket qartë se ka thjesht një nevojë të çmendur për të qenë në qendër të vëmendjes dhe tenton ta arrijë këtë në të vetmen mënyrë që një fanatik i dështuar mund të dijë ta bëjë.

Por, ajo çfarë është më ironike është se një stimul i madh për marifetet publicitare të Jones ka ardhur edhe nga ndjenja anti-islamike që emetohet nga New York City, qytetarët e së cilit thuhet se janë më të shkolluarit. Kundërshtimi i tyre ndaj xhamisë që do të ndërtohej afër Ground Zero nuk ka bërë gjë tjetër veçse ka nxitur islamofobët si Jones dhe gjatë këtij procesi kanë dëmtuar imazhin e një qyteze në Florida që duket se është ai që e meriton më pak. "Ajo që po bën Z. Jones dhe e ashtuquajtura kishë e tij nuk është aspak e denjë për idealet e një qyteti si Gainsville", thotë kryebashkiaku Craig Lowe, i cili ditën e sotme e ka deklaruar si "Dita e Solidaritetit Ndërfetar" në qytetin e tij për klerikët, studentët dhe të gjithë qytetarët të cilët kanë planifikuar disa evente paqësore teksa Jones do të djegë dyqind kopje të librit të shenjtë mysliman. "Kjo është një mënyrë për të projektuar se kush jemi ne në të vërtetë". Edhe pse Jones ka të drejtën legjitime nga Amendamenti i Parë për të djegur libra, Lowe thotë se zyrtarët e qytetit kanë shpresë ta bindin atë që të heqë dorë nga djegia publike e Kuranëve, të cilën Jones këmbëngul me fanatizëm ta çojë deri në fund edhe pse Departamenti i Zjarrit në qytet ka refuzuar t'i japë leje. Këtë javë Jones ka thënë se ai dhe ndjekësit e tij janë "lutur" për deklaratën e dhënë nga gjenerali David Petraeus, komandanti kryesor i trupave amerikane në Afganistan, i cili i ka paralajmëruar ata se "pamja e djegies së një Kurani do të përdoret padyshim nga ekstremistët për të ndezur opinionin publik dhe për të nxitur dhunë". Liderët kristianë në të gjithë territorin e Shteteve të Bashkuara, ndërmjet tyre konservatorët dhe evangjelistët gjithashtu, kanë dënuar ashpër planin e Jones. Shoqëria e sigurimeve të pronës së qendrës "Dove" ka anulluar kontratën me të dhe banka e Karolinës së Veriut ku ndodhet kredia e kishës ka kërkuar shlyerjen e shifrës prej 140.000 dollarësh.

Por, 58-vjeçari Jones, i cili tashmë mban me vete një pistoletë për shkak të kërcënimeve me vdekje që pretendon se ka marrë, ka thënë për emisionin "Early Show" të kanalit CBS ditën e mërkurë në mëngjes se është "ende i vendosur ta bëjë" dhe të përçojë mesazhin në zemrën e "Islamizmit Radikal" se nuk mund të bëjnë ç'të duan me ne. Jones, një i vjetër me mustaqe i lindur në Missouri, i cili para dy vitesh drejtonte edhe simotrën e kishës "Dove" në Gjermani, ka shkruar një pamfletë të titulluar: "Islami është Djalli". Është i njëjti mesazh që ai dhe ndjekësit e tij kanë pikturuar në parrulla, të cilat e kanë vendosur nëpër rrugët e Gainesville dhe nëpër bluza me të cilat kënaqen duke u ekspozuar rrugëve. Ai gjithashtu ka miratuar një protestë anti-homoseksuale në kishën Westboro në Kansas.

Kjo duket qartë se është një injorancë e trishtueshme me të cilën qyteti i pafajshëm i Gainesville dhe e gjithë pjesa tjetër e vendit i është dashur të përballet këtë javë. Jones pranon se asnjëherë nuk ka hapur ndonjë Kuran dhe nuk ka lexuar asnjë rresht të tij. Në këtë mënyrë është e qartë që nuk e di se po ta kishte lexuar do të zbulonte se sot planifikon të djegë një libër në të cilin përmendet Jezu Krishti me tone shenjtëruese të paktën 100 herë. "Edhe pse myslimanët nuk besojnë se Jezusi ishte mishërimi i Zotit, ashtu si kristianët, ata e nderojnë si një profet dhe besojnë në mrekullitë e tij", thotë ibn Ali. Por, dihet që Jones nuk është ndonjë teolog i ditur. Në fakt, "Dove" si një institucion fetar është nën investigimin e zyrtarëve të Alachua County nën akuzat e shumta të ish-anëtarëve të kishës se Jones dhe gruaja e tij anëtarësojnë njerëz dhe i bëjnë të punojnë pa i paguar në kompaninë e tij me anë të së cilës shet mobilje në eBay. Sigurisht që familja Jones e mohon këtë akuzë.

Një anë po aq patetike e kësaj shfaqjeje provokuese është që nëse ekstremistët myslimanë vendosin të kundërpërgjigjen me dhunë, madje edhe me terrorizëm ndaj këtij akti, gjë që do të provojë se nuk janë të denjë të quhen myslimanë ashtu si edhe Jones nuk është i denjë të quhet i krishterë, pastori do të pretendojë pa dyshim se ka patur të drejtë rreth islamit dhe islamistëve. Por, në momentin e parë që ndizet një shkrepëse sot, komunitetet si Gainesville do të konfirmojnë që kanë zgjedhur rrugën e duhur duke kapërcyer mosmarrëveshjet dhe duke vendosur tolerancën ndërfetare mbi të gjitha në kundërshtim të ideve të çmendura të Jones. Gjithashtu, do të arrihet në përfundimin se qytetarët e vendeve të shkolluara si New York-u nuk janë shembuj tolerance siç pretendojnë.

Përgatiti

KLARITA BAJRAKTARI

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat