Minatorët e Kilit dhe pakti për “të heshtur”

Speciale

Minatorët e Kilit dhe pakti për “të heshtur”

Më: 16 tetor 2010 Në ora: 21:05

Ai ndodhet ende në shtratin e spitalit të tij në San Hose dhe tashmë mban statusin e një heroi të vërtetë. Luis Urzua është njeriun që mbajti gjallë minatorët e dënuar me izolim në thellësitë e minierës kiliane për dy muaj rresht. Sipas tij, sekreti më i madh që i mbajti të gjithë gjallë dhe me shëndet ishte arritja e një mirëkuptimi në çdo lloj vendimmarrjeje.

“Thjesht duhet të thuash të vërtetën dhe të besosh te demokracia”, thotë Urzua, ndërsa sytë e tij janë të fshehur pas syzeve të zeza, të cilat të “liruarit” do t’i mbajnë për disa ditë sa të ambientohen me dritën. Ndërsa infermierët, mjekët dhe psikologët sillen rreth tij në një skenë kaotike, kryepunëtori më i famshëm i botës, i shtrirë në shtrat me duart e kryqëzuara në gjoks, rrëfen për vështirësinë e marrjes së vendimeve 700 metra në thellësi të tokës, ku të gjithë të mbijetuarit ndiheshin të humbur dhe të braktisur nga fati. “Të gjitha vendimet hidheshin në votë nga të 33 ne që ishim në fund të zgafellës. Shumica ishte 16 vetë”.

Megjithatë, pas triumfit dhe gëzimit të parë që ka përfshirë të gjithë vendin, nisin që të dalin pak nga pak rrëfimet e vetë të ngujuarve, përmes të cilave pasqyrohet një tablo mosmarrëveshjesh dhe madje edhe konfrontimesh fizike, që të bëjnë të mendosh se versioni zyrtar i asaj që ka ndodhur në thellësi është pak më i zbukuruar sesa është në të vërtetë.

Si të ishte një kapiten i vërtetë anijeje, 54-vjeçari Urzua ishte i fundit që la zgafellën pas 70 ditëve të qëndrimit në të, nën tokën e ashpër të shkretëtirës së Atakamës. Ai doli në sipërfaqe rreth orës 22:00, sipas orës lokale të së enjtes. Për të gjithë ata që kanë qenë aty në ato momente, kjo ngjarje e shoqëruar me entuziazëm, lot dhe shumë dashuri, do të mbetet e pashlyer në kujtesë. Vetë Presidenti i Kilit, Sebastian Pinera, e përqafoi kryepunëtorin me lot në sy, duke i thënë: “Pas kësaj aventure, të gjithë kemi ndryshuar. Nuk do ta harrojmë kurrë atë që ndodhi”.

Qeveria i ka përshëndetur dhe konsideruar 33 burrat që ishin nën tokë si modelë të solidaritetit, por në një intervistë të veçantë me një gazetë britanike, Richard Vilaroel, një tjetër anëtar i “të humburve” thotë se e vërteta nuk është aq e thjeshtë, sepse situata ishte e nderë. Ishte një pritje e gjatë për të vdekur, një situatë e pashpresë për shumë kohë dhe sigurisht te të gjithë, sipas tij, ekzistonte frika për kanibalizëm në kushtet e mungesës fillestare të ushqimeve.

Vetë Vilaroel ka përshkruar një situatë shumë më të ndërlikuar të dramës që është zhvilluar nën tokë. Kjo e krahasuar me versionin zyrtar të rrëfyer në mediat e të gjithë botës, veçanërisht të Kilit. Ai është një mekanik 23-vjeçar që për momentin ndodhet nën disa kura për ta rimarrë veten. Sipas tij, gjëja që më shumë i kishte bërë përshtypje ishte ndryshimi i menjëhershëm dhe kalimi nga një ndjenjë ekstreme te tjetra, pra nga ajo e frikës së vdekjes që ishte predominuese ditët e para, tek ajo e euforisë kur mësuan për mundësitë e shpëtimit. Sipas tij, 17 ditët e para kanë qenë me të vërtetë tronditëse. Bëhet fjalë para se sonda e vendosur në sipërfaqe të depërtonte në vendndodhjen e tyre në thellësitë e zgafellës. Ishin ditë të errëta, gjatë të cilave morali kishte prekur fundin dhe të gjithë ndërkohë po e mendonin vdekjen në mënyrë intensive dhe të frikshme. Vetë mekaniku ishte i përqendruar te fakti që nuk do të mund ta shikonte dot më kurrë foshnjën e vet që do të vijë për pak muaj në jetë.

Gjithçka nisi në kohën e drekës së 5 gushtit. Ishte një shembje e papritur dhe e tmerrshme. Urzua, që ishte edhe kryepunëtori i atij turni, u dërgua për të hetuar në lidhje me situatën, por ishte thuajse e pamundur që të shquhej gjë në një tunel që ishte i bllokuar dhe i mbushur me pluhurin e dendur në momentet e para të shembjes. “Në këto rrethana të vështira po përpiqeshim që të kuptonim se cilat duhet të ishin masat më urgjente që duhet të ndërmerrnim dhe ndër to ishte sigurisht ushqimi”, thotë vetë Urzua. Dhe ushqimi ditor ishte jashtëzakonisht i vogël: një gjysmë luge peshk salmon, apo ton konservash. “Më kujtohet mbledhja e parë që bëmë në situatën e re, ku ramë dakord që të gjithë do të ndanim në pjesë të barabarta sasitë e ushqimit që kishim, në mënyrë që të rezistonim sa më gjatë të ishte e mundur. Por ishte shumë e vështirë që një herë në 24 orë të haje vetëm një copëz të vogël peshku”.

Me kalimin e ditëve, trupat e tyre nisën që të thaheshin dhe mpakeshin. Të gjithë humbën rreth 10 kilogramë. “Mungesa e ushqimit ka qenë një nga vuajtjet tona më të mëdha. Po shndërroheshim në kufoma dhe na kishte kapur frika se do të përfshiheshim të gjithë nga kanibalizmi nëse situata do të shkonte në ekstrem. Fillimisht bënim gallatë me këtë ide, por ndërsa situata vështirësohej, nisëm që ta merrnim seriozisht frikën nga një mundësi e tillë e dëshpëruar”.

Një tjetër vështirësi e madhe ishte edhe uji që duhet të pinim. Ishte një ujë i ndotur, por e vetmja mundësi e jona për të shuar etjen. Ishte një ujë që kishte një shije vaji makinash, i cili të trazonte stomakun.

Urzua u përpoq që t’i frymëzonte edhe të tjetër me të parët në mënyrë filozofike të fatit dhe rrethanave në të cilat ndodheshin. “Çdo ditë unë u thosha njerëzve që kisha përreth që të bëheshin të fortë. Nëse do të na gjenin, do të ishte një mrekulli; nëse jo, duhet të pranonim fatin tonë. Dhe me kalimin e kohës, pavarësisht vështirësive, forca vinte me të vërtetë. Unë nuk isha lutur kurrë më parë, por mësova që të lutem dhe të afrohem me Zotin”, thotë kryepunëtori. Ndërsa mekaniku 23-vjeçar rrëfen se burrat u ndanë në dy grupe pune. Në njërin grup bënin pjesë mekanikët, të cilët kujdeseshin për makineritë, ndërsa në grupin tjetër bënin pjesë të tjerët që merreshin me organizimin dhe racionalizimin e ushqimit. Kur sonda më në fund arriti te minatorët, euforia që i kapi të gjithë ishte e papërshkrueshme. Ishte si një drogë që e pinë të gjithë në mënyrë kolektive dhe që po jepte menjëherë një efekt tronditës. “Ishte një valë e madhe lumturie që na përshkoi të gjithëve. Kënduam me njëherë me zemrat e mbushura plot himnin kombëtar dhe në ato momente kishim aq shumë adrenalinë, sa mund të shpërthenim”, rrëfen 23-vjeçari. Minatorët me të kuptuar se tani ishin të shpëtuar, nënshkruan me njëri-tjetrin një “pakt gjaku”, për të mos treguar atë që kishte ndodhur në thellësitë e shkretëtirës së Atakamës. Në një videokonferencë me familjarët e tij një javë më parë, Dario Segovia, 48 vjeç, operator i shpimeve, deklaroi se ajo që kishte ndodhur në minierë do të mbetej brenda mureve të minierës, e varrosur aty përgjithmonë.

Por megjithatë, një nga sekretet që duket qartë është ndarja që përfshiu grupin përgjatë një periudhe kohe. Pavarësisht paktit që kanë bërë minatorët, ka disa “çarje” që në njëfarë mënyre i kundërvihen versionit zyrtar, i cili flet për një solidaritet të hekurt mes 33 “të humburve”. Sugjerimet e para në lidhje me një situatë të ndryshme nga ajo zyrtarja, u dukën që në videon e parë që minatorët dërguan lart. Në të ishin shfaqur vetëm 28 prej minatorëve, jo të gjithë. 5 të tjerët nuk u shfaqën. Po ku mund të kenë qenë vallë? Autoriteteve nuk u është dhënë asnjë lloj shpjegimi në lidhje me këtë. Disa zëra të tjerë thonë se brenda minatorëve ishin krijuar tre grupe, që ndesheshin me njëri-tjetrin për hapësirën dhe ushqimin. Bëhet fjalë për mosmarrëveshje që ndonjëherë përfundonin edhe në ndeshje fizike. Por askush nuk thotë asnjë fjalë më shumë për atë që mund të ketë ndodhur dhe të gjithë, të paktën për momentin, duket se po i qëndrojnë besnikë “paktit”.

Gazeta spanjolle, “El Pais”, shpjegon se ata që nuk u shfaqën në videon e parë ishin punëtorë që ishin në varësi të një kompanie tjetër dhe se kishin krijuar grupin e tyre duke jetuar krejtësisht të veçuar nga të tjerët e duke bërë madje edhe plane për të ikur nga ai vend përmes gërmimit të tuneleve. Por kjo ndarje mori fund kur shefi i tyre i urdhëroi që të bashkoheshin me grupin e minatorëve të tjerë të pranishëm aty.

Por “pakti” do të vihet në një provë shumë të vështirë, ndërsa situata do të normalizohet dhe entuziazmi i parë do të bjerë. Njerëzit e afërm dhe media do të kërkojnë me ngulm që të dinë më shumë në lidhje me atë që mund të ketë ndodhur realisht në thellësitë e minierës, që për të gjithë tani mbetet një mister. Të gjithë ata që morën pjesë në këtë aventurë do të jenë shumë të kërkuar nga televizionet, shtëpitë botuese dhe gazetarët që në këmbim të parave do t’u kërkojnë hollësira për ngjarjen. Në rrethana të tilla të tundimit financiar, ata edhe mund të “çahen” dhe “pakti” mund të bjerë. Por gjithsesi për momentin të gjithë ende po festojnë një fitore të merituar.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat