Pacolli: Nuk kemi marrëveshje me PDK-në

Lajme

Pacolli: Nuk kemi marrëveshje me PDK-në

Më: 12 shkurt 2011 Në ora: 17:59

Aleanca Kosova e Re e afaristit Behxhet Pacolli e ka refuzuar sërish ofertën e Partisë Demokratike të Kosovës për koalicion qeverisës.

Oferta e fundit e PDK-së që Behxhet Pacolli dhe AKR-ja të heqin dorë nga posti i presidentit të Kosovës dhe si shpagim të marrin në drejtim gjashtë ministri dhe poste tjera në institucione, nuk është përfillur nga lideri i AKR-së.

Pas një dreke pune që zhvilloi me drejtuesit e partisë së tij, Pacolli tha se nuk ka marrëveshje dhe se negociatat pritet të vazhdojnë.

“Nuk kemi marrëveshje deri tani. Absolutisht jo dhe do të njoftoheni më vonë”, tha Pacolli.

Duke iu përgjigjur negativisht ofertës së PDK-së, Pacolli dhe partia e tij i kanë dërguar një ofertë tjetër PDK-së, sipas së cilës, vazhdojnë të kërkojnë postin e presidentit, pesë ministri si dhe postin e zëvendëskryeministrit dhe disa poste nënministrore.

Ndaj kësaj kundëroferte të AKR-së pritet që në vijim të reagojë PDK-ja. Pas takimeve të shumta të drejtuesve të PDK-së, nënkryetari i saj, Hajredin Kuçi, tha se bisedimet me AKR-në po vazhdojnë.

“Ne do të vazhdojmë të negociojmë me AKR-në. Besojmë se në ditët në vijim do të jenë pak më konkretë edhe ata. Momentalisht, PDK-ja e ka qëndrimin që e ka pasur. Do t’i bëjmë institucionet me kohë edhe të mira”, theksoi Kuçi.

Bazuar në një deklaratë të kryeministrit në dorëheqje, Hashim Thaçi, pjesë e koalicionit të ardhshëm do të jetë edhe Lista Ibrahim Rugova, edhe pse përfaqësohet vetëm me një deputet, si dhe të gjitha komunitetet pakicë.

Pas pozicionimit të LDK-së, Vetëvendosjes dhe AAK-së për opozitë, tani PDK-së, si fituese e zgjedhjeve, përveç pakicave, e vetmja parti parlamentare që i ka mbetur në dispozicion për bisedime rreth koalicionit të ardhshëm qeverisës është AKR-ja.(rel)

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat