Kosovë: Obama, vizionar i paqes globale

Lajme

Kosovë: Obama, vizionar i paqes globale

Nga: Bota sot Më: 10 tetor 2009 Në ora: 11:42

Pas marrjes së çmimit Nobel për paqe, presidentit amerikan Barak Obama vazhdojnë ti arrijnë urime të shumta nga nmbarë bota, ndër të cilët edhe nga liderët institucionalë të Republikës së Kosovës, presidenti Sejdiu e kryeministri Thaqi.

Urimi i presidentit Sejdiu

Presidenti i Republikës së Kosovës, Fatmir Sejdiu e ka uruar presidentin, Barack Obama, me rastin e nderimit të tij me çmimi Nobel për Paqe. Në urimin e presidentit Sejdiu thuhet: “ Dua ta shfrytëzoj këtë rast që, në emër të popullit dhe institucioneve të Republikës së Kosovës, ta përgëzojë Shkëlqesinë Tuaj për marrjen e çmimit prestigjioz të Nobelit për Paqe. Ky çmim është dëshmi e suksesit tuaj si lider i një vendi të lirë që synon krijimin e një bote më të sigurt dhe më paqësore”

Populli i shtetit më të ri në botë, Republikës së Kosovës - thekson Sejdiu - e ka pranuar me gëzim këtë lajm dhe me respekt dhe admirim të lartë i bashkohet Shkëlqesisë Suaj në festimin e kësaj ngjarjeje të rëndësishme.

“Për ne që kemi përfituar drejtpërsëdrejti nga vendosmëria e vendit tuaj për ta garantuar lirinë e popujve anekënd botës, zgjedhja e Juaj si laureat i Çmimit Nobel për Paqe është një shenjë që dëshmon se ka shpresë dhe përkrahje për të gjithë ata që besojnë në liri, por që nuk mund ta fitojnë atë pa ndihmën e të tjerëve”.

“Tani që keni pranuar këtë nder dhe përgjegjësi të madhe, jam i bindur se nuk do t’i kurseni përpjekjet e Juaja për ta promovuar lirinë dhe demokracinë në mbarë botën dhe për ta bërë botën më të sigurt për të gjithë ne. Meqë populli i Kosovës e çmon lart kontributin e paçmueshëm që Shtetet e Bashkuara të Amerikës e kanë dhënë për popullin e Republikës së Kosovës, ju mund të llogarisni që ai do të jetë përkrah jush në të gjitha përpjekjet e juaja në këtë drejtim”, thuhet më tej në urim.

“Në pritje të përforcimit të vazhdueshëm të lidhjeve të veçanta midis dy vendeve tona, ia përcjell edhe njëherë Shkëlqesisë Suaj përgëzimet e mia të përzemërta dhe ju siguroj për nderimin dhe konsideratën time më të lartë”, thuhet në fund të urimit.

Urimi i kryeministrit Thaçi

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi i ka dërguar një telegram urimi presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Barack Obama, me rastin e laurimit me çmimin Nobel për Paqe.I nderuari president Obama. Kam nderin dhe kënaqësinë që në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe në emrin tim t’u përgëzoj për marrjen e çmimit Nobel për Paqe.Të gjithë jemi dëshmitarë që Shtetet e Bashkuara të Amerikës, nën presidencën Tuaj po thellojnë esencialisht përpjekjet për forcimin e demokracisë, paqes, stabilitetit dhe bashkëpunimit mes popujve në gjithë globin.

Vizioni Juaj për krijimin e një fryme të re progresive dhe të qëndrueshme në diplomacinë ndërkombëtare janë garancë e fuqishme për suksesin e saj të pashmangshëm, që ka filluar të japë rezultatet e veta. Duke qenë i bindur në frymën e mbështetjes së vazhdueshme amerikane për fuqizimin e progresit të gjithmbarshëm të rajonit tonë, posaçërisht në Republikës së Kosovës, edhe njëherë ju shpreh urimet më të sinqerta për nderimin tuaj me çmimin Nobel për Paqe.

Urimi i veprimtarëve dhe popullit të Kosovës

Akademikë dhe veprimtarë të njohur në Prishtinë e vlerësojnë lart ndarjen e çmimit Nobel për Paqe, për presidentin amerikan, Barak Obama. Sipas tyre, presidenti Obama është duke krijuar një frymë të re progresive dhe të qëndrueshme në gjithë botën.

Shpalljen e presidentit amerikan, Barak Obama, fitues të çmimit Nobel për Paqe për vitin 2009, e mirëpritën edhe akademikë dhe aktivistë të njohur në Kosovë.Akademiku Pajazit Nushi, njëherësh edhe kryetar i KMDLNJ-së, thotë se një çmim paqeje për presidentin Obama është i qëlluar. “Unë mendoj se fitimi i këtij çmimi gjithsesi që është i merituar dhe se këtë ai do ta dëshmojë edhe në aktivitetin e tij si president i Shteteve të Bashkuar të Amerikës”, vlerëson akademik Nushi. Ndërkaq, veprimtari i njohur, Adem Demaçi, i cili para pak ditësh ka fituar çmimin për paqen që e jep Shoqata e Gazetarëve të Evropës juglindore, në Turqi, thotë se presidenti Obama është meritor për çmimin që ia ka ndarë Komiteti për çmimin Nobel në Norvegji.“Unë mendoj se nëse duhet që kjo mirënjohje t’iu jepet burrave të të shteteve të ndryshme, besoj që edhe Obama e ka merituar dhe e gëzoftë”, thotë Demaçi. Zoti Demaçi konsideron se presidenti Obama, që kur është emëruar president i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, po mundohet të krijojë një frymë të re progresive dhe të qëndrueshme në diplomacinë ndërkombëtare. “Obama ka bërë disa ndryshime në drejtimin e zgjidhjeve paqësore që kishin nisur administratat tjera para tij, sidomos për Afganistanin, Irakun etj. Është duke u munduar që edhe me Iranin të paraqitet i durueshëm si dhe me Korenë e Veriut”.“Me fjalë të tjera, ai ka sjellë një frymë të re të rregullimit të marrëdhënieve botërore. Ka pranuar të organizojë grupin e G20-ës, nuk është ndalur aty sa për të monopolizuar kontrollimin e rrjedhave ekonomike financiare botërore, por ka rritur numrin e atyre, të cilët bëjnë pjesë në këtë ekonomi. Pra, ai i ka dhënë disa të mira, frymëzime, të cilat, ata që e kanë propozuar, i kanë marrë parasysh”, thekson Demaçi. Ndërkaq, akademik Nushi konsideron se çmimi që ka fituar Obama do të jetë i mirëpritur nga të gjithë, sepse, siç thotë ai, presidenti amerikan gjatë punës së tij të deritashme me njerëz të të gjithë botës, nuk ka bërë kurrfarë dallimesh në mes tyre.“Çmimi për Obamën do të pritet mirë, duke marrë parasysh angazhimin e tij dhe personalitetin i vendosur për të punuar në të mirë të të gjithë qytetarëve, pavarësisht nga ngjyra, pavarësisht nga përkatësia fetare, përkatësia gjinore e kombëtare e tyre”, tha Nushi. Nga ana tjetër, lajmi për dhënien e çmimit Nobel për Paqe, i cili i është dhënë presidentit Obama, ka qenë befasues edhe për ambasadorin e SHBA-së, në Kosovë, Kristofer Dell.Siç shprehet ai, një lajmi i tillë ka qenë befasues, por jo i pamerituar. “Lajm befasues i këtij mëngjesi është se Komiteti i Nobelit i ka dhënë Obamës çmimin Nobel për Paqe, që sigurisht se është ngjarje e madhe. Mendoj se ishte e papritur, por jo e pamerituar”, thotë ambasadori amerikan në Kosovë, Kristofer Dell. Me këtë rast edhe qytetarë tjerë dhe mbarë populli i Kosovës, urojnë presidentin Obama për çmimin Nobel për paqe.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat