Pacolli: Në Gjilan 10 mijë vende të reja pune

Lajme

Pacolli: Në Gjilan 10 mijë vende të reja pune

Më: 10 nëntor 2009 Në ora: 19:32

Aleanca Kosova e Re u ka premtuar gjilanasve hapjen e dhjetë mijë vendeve të reja të punës nëse ky subjekt politik fiton besimin e elektoratit për të udhëhequr me komunën e Gjilanit në katër vjetët e ardhshme.

Lideri i AKR-së, Behgjet Pacolli, duke kërkuar nga gjilanasit mbështetje për Omer Dakun, kandidat i kësaj partie për kryetar të Gjilanit, ka thënë se me fitoren e AKR-së në Gjilan do të sillen investitorët e huaj, do të ketë zhvillim ekonomik dhe do të hapen dhjetë mijë vende të reja pune.

“Do ta mbështesim Dakun me program të dinjitetshëm, me sjelljen e investitorëve të huaj, dhe në mandatin e tij, në dy vjetët e para do të sjellim punë, do të ndërtojmë fabrika dhe do të krijojmë vende të reja pune. Sipas programit tonë parashihen që në këtë mandat të krijohen 10 mijë vende të punës vetëm në komunën e Gjilanit dhe këtë e garantoj”, ka thënë Pacolli.

Duke thënë se ka ardhur koha për ndryshime në Gjilan, Pacolli ka ftuar gjilanasit masovikisht të dalin në zgjedhje dhe të votojnë për numrin 64.

“Të gjithë të dilni në votime dhe votoni për ardhmërinë, rininë dhe ndihmojeni procesin duke e votuar numrin 64, AKR-në”, ka thënë ai.

Kandidati i AKR-së për kryetar komune, Omer Daku, ka thënë se përgjatë fushatës nuk kanë dhënë premtime të parealizuara, por sipas tij, AKR do ta ndryshojë Gjilanin shumë më mirë se të tjerët.

ARK sot ka mbajtur tubim përmbyllës edhe në Kamenicë.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat