Ramadani: PDK ka vazhduar me provokimet e veta kundër AAK-së

Lajme

Ramadani: PDK ka vazhduar me provokimet e veta kundër AAK-së

Më: 12 nëntor 2009 Në ora: 15:32

Drejtues të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, kanë shprehur shqetësimin e tyre për mundësinë e manipulimit gjatë zgjedhjeve, respektivisht të rezultateve të zgjedhjeve më 15 nëntor. Ndërkaq kanë drejtuar kritika në adresë të Partisë Demokratike të Kosovës për rastin e mbrëmshëm në Deçan, duke thënë se vota e lirë e qytetarit është ajo që e përcakton kush do të jetë në qeverisje dhe jo armët e shoqëruesve të kryeministrit.

Sekretari i AAK së, Burim Ramadani gjatë një konference për media ka theksuar se AAK ka dyshime të bazuara se ekziston një skenar i përgatitur qartë, nga ata që nuk ia duan të mirën Kosovës dhe nuk ia duan të mirën demokracisë dhe sistemit demokratik në Kosovë.

Ai ka thënë se sa i përket mundësisë së shtypjes së fletëvotimeve false, dyshimi bazohet në faktin se kompania sllovene që është e kontraktuar për të shtypur materialet zgjedhore ka marrë një partnerë vendorë, kompaninë "Partner Trade" nga Prizreni, e cila është regjistruar si kompani 16 ditë pasi ka fituar tenderin.

Ndërkaq, sa i përket transportit të materialit zgjedhorë, Ramadani ka thënë se kemi të bëjmë me një rast sui generis, meqë sipas tij një kompani që merret me ondulim, ka marrë përsipër bartjen e materialit zgjedhorë, përkatësisht kutive të votimit, fletëve të votimit dhe listës së votuesve.

Ai theksoi se AAK kërkon fillimin e shpejtë të hetimeve të këtyre parregullsive nga EULEX i dhe institucionet vendore.

Ramadani pohoi se AAK po ashtu u bënë thirrje partive politike në Kosovë, dhe në rend të parë Partisë Demokratike të Kosovës që të heqë dorë nga, siç u shpreh ai, mentaliteti i dhunës dhe synimi i tyre për vjedhjen e votave më 15 nëntor.

Duke folur për incidentin që ka ndodhur mbrëmë në Deçan, sekretari i AAK së, Ramdani, vlerësoi se PDK po vazhdon provokimet e veta kundër qytetarëve të Kosovës dhe kundër AAK së.

Ai drejtoi kritika në drejtim të kryeministrit, Hashim Thaçi dhe Qeverisë së Kosovës, për tollovinë e shkaktuar gjatë aktiviteteve zgjedhore.

"PDK ka vazhduar me provokimet e veta kundër qytetarëve të Kosovës, kundër AAK së. Ajo që kemi parë dje në Deçan ka qenë pamje tmerruese, ku përballë gjimnazistëve të irrituar kanë dalë njerëz të armatosur, njerëz të cilët kanë qenë të afërt dhe kanë vazhduar punën me Hasim Thaçin, dhe të cilët i kanë kthyer tytat ndaj qytetarëve të Kosovës. Ky është rasti eklatant ku Qeveria e Kosovës i kthen tytat ndaj qytetarëve të Kosovës, ndaj gjimnazistëve, ndaj adoleshentëve të pafajshëm", ka thënë Ramadani.

Në interesimin e gazetarëve, nëse AAK ndjehet përgjegjëse për ngjarjen e mbrëmshme në Deçan, Ramadani ka thënë se këtu kemi të bëjmë me skenarë, të cilët kanë për qëllim shkatërrimin e demokracisë në Kosovë.

Ai po ashtu vlerësoi se vota e lirë e qytetarit është ajo që e përcakton kush do të jetë në qeverisje dhe jo armët e shoqëruesve të kryeministrit.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat