EULEX fillon hetimet rreth dëshmisë së Nazim Bllacës

Lajme

EULEX fillon hetimet rreth dëshmisë së Nazim Bllacës

Më: 30 nëntor 2009 Në ora: 16:05

EULEX-i ka filluar hetimet për vërtetësinë e deklaratës së Nazim Bllacës, personit që thotë se ka marrë pjesë në 17 sulme ndaj personaliteteve të ndryshme të politikës në Kosovë me urdhër të Shërbimit Informativ të Kosovës.

Zëdhënësja e EULEX-it, Christina Herodes ka thënë për Radio Kosovën se rasti ka hyrë në një fazë të rëndësishme të hetimeve, por nuk dha detaje për persona të përfshirë në hetime. “Hetimet janë duke vazhduar. Rasti Bllaca është duke u hetuar nga prokuroria e EULEX-it. Rasti është në një fazë të rëndësishme të hetimit por nuk mund të jap detaje të tjera. Me rëndësi është që hetimet janë duke u zhvilluar intenzivisht në rastrin Bllaca. Nuk mund të jap më shumë të dhëna për hapat që do të merren më tej”, tha Herodes.

Ndërsa kryeprokurori i Prokurorisë Publike të Qarkut Osman Kryeziu, tha se në kushte normale është dashur që ky person të arrestohet, por prokuroria e Kosovës sipas tij nuk ka fare qasje në këtë dosje për të cilën ka dyshuar Nazim Bllaca të dielën.

Organet e rendit deri tani nuk kanë ndërmarrë asnjë hap ndaj Nazim Bllacës, personit, i cili thotë se ka qenë pjesë e Shërbim Informativ në Kosovë. E gjitha që ka bërë deri më tani policia sipas zëdhënësit Baki Kelani është sigurimi i vendbanimeve të dy deputetëve Adem Salihaj dhe Gani Geci dhe ajo e Nazim Bllacës.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat