Krasniqi: Me Bllacën të merren organet e drejtësisë

Lajme

Krasniqi: Me Bllacën të merren organet e drejtësisë

Më: 1 dhjetor 2009 Në ora: 16:29

Për zhvillimet e fundit në lidhje me deklarimet publike, të Nazim Bllacës për implikimet në vrasjet politike të pasluftës, kryetari i Kuvendit, Jakup Krasniqi tha se ka pasur disa përpjekje që të përzihet politika në organet e drejtësisë. Ai tha se me këto çështje duhet të merren organet përkatëse të drejtësisë, duke kërkuar që secili institucion t’i kryej detyrat kushtetuese. Mirëpo, kryekuvendari pranoi se këto zhvillime kanë ndikuar në punën e Kuvendit.

“Në punën e Kuvendit ka ndikuar e gjithë fushata zgjedhore, e gjithë parafushata, deputetët nuk e kanë kryer detyrat dhe përgjegjësitë e tyre që i kanë me kushtetutë, komisionet nuk kanë funksionuar dhe mendoj që i kanë bërë një dëm legjislativit, dhe unë do të kisha kërkuar që deputetët t’i kthehen vërtetë detyrave të përditshme”, tha Krasniqi.

Ndërsa, anëtari i Kryesisë së Kuvendit, Naim Maloku, tha se çështja e dëshmisë së Nazim Ballacës nuk është hapur në një moment të përshtatshëm. Megjithatë sipas tij pozitive është se me të po merret EULEX-i.

“Se Kosova nuk ka ende kapacitete të mjaftueshme të merret me këtë çështje, për shkak se të dhënat që janë dalë në opinion implikojnë edhe njerëz të policisë edhe të ekzekutivit”, tha Maloku.

Edhe Maloku tha se nuk i takon Kuvendit të merret me këtë çështje. Ai ka kërkuar që në seancën e së enjtes, ku vazhdon debati për Raportin e Progresit të Komisionit Evropian për Kosovën, deputetët të fokusohen vetëm në këtë temë.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat