Hetimet për rastin e Nazim Bllacës

Lajme

Hetimet për rastin e Nazim Bllacës

Më: 3 dhjetor 2009 Në ora: 18:39

Nazim Bllaca është intervistuar sot sërish nga prokurorët e prokurorisë speciale në lidhje me deklarimin e tij se ka kryer vrasje dhe vepra të tjera kriminale sipas tij, të gjitha me urdhër të SHIK-ut. Ndërkohë, mësohet se avokati i tij Haxhi Millaku është tërhequr nga cilësia e mbrojtësit të Nazim Bllacës, mirëpo nuk janë bërë të ditura arsyet e tërheqjes së tij.

Edhe sot kanë vazhduar reagimet e liderëve institucional dhe të organizatave tjera institucionale dhe jo qeveritare.

Për disa orë rresht, nën masa të rrepta sigurie në zyrat e prokurorisë speciale është intervistuar i shumëpërfoluri, Nazim Bllaca, të cilit i është caktuar masa e arrestit shtëpiak, pas deklaratës se ka kryer vrasje dhe vepra të tjera kriminale, sipas tij, me urdhëra të SHIK-ut.

Ndërkohë, mësohet se avokati i tij Haxhi Millaku është tërhequr nga cilësia e mbrojtësit të Nazim Bllacës, mirëpo nuk janë bërë të ditura arsyet e tërheqjes së tij.

Ka reaguar sërish Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut. Ky asociacion shpreh habinë që gjykatësi i EULEX-it, Françesko Florin ka caktuar masën e arrestit shtëpiak Nazim Bllacës, prej një muaji, gjë që, sipas KMDLNJ-së , është në kundërshtim të plotë me natyrën e veprës për çka dyshohet i arrestuari Bllaca.

"Masa e arrestit shtëpiak zakonisht shqiptohet për raste më të lehta apo kur i arrestuari nuk bën pjesë në grup me rrezikshmëri të lartë. Rasti i Nazmi Bllacës është krejtësisht i kundërt, kemi të bëjmë për dyshim të kryerjes së krimeve shumë serioze ", thuhet në reagimin e Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut.

Lidhur me zhvillimet pas deklaratës së Nazim Bllacës, reagoi edhe Lëvizja “Vetëvendosje”. Kjo Lëvizje konsideron se kryeministri i vendit, Hashim Thaçi, ka dhënë deklarata shumë dramatike, duke thënë se Bllaca e ka kërcënuar "sigurinë nacionale". Sipas vetëvendosjes Thaçi nuk i ka konsideruar kaq të rrezikshme as strukturat paralele të Serbisë, të cilat ditë e natë punojnë kundër sigurisë sonë nacionale dhe pavarësisë së Kosovës.

"Kurrë më parë Hashim Thaçi nuk është shërbyer me një fjalor kaq dramatik të rrezikshmërisë, madje as kur Kosovës iu kallën kufijtë më 19 shkurt 2008, dy ditë pas shpalljes së pavarësisë", thekson Lëvizja Vetëvendosje. Sipas kësaj “Vetëvendosjes”, SHIK-u asnjëherë nuk është shuar ai vetëm ka ndërruar formë: tash e disa vite SHIK-u ka kolonizuar pothuajse të gjitha ndërmarrjet e rëndësishme publike e shoqërore - Postë - Telekomin e Kosovës, Aeroportin Publik Ndërkombëtar të Prishtinës, Trepçën, KEK-un, pra të gjitha këto ndërmarrje të rëndësishme të cilat do t'i privatizojë kreu i privatizimit të pasurive të Kosovës, ministri Ahmet Shala, thuhet në kumtesën e Lëvizjes “Vetëvendosje”.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat