Rifillojnë ditët e politikës së bujshme

Lajme

Rifillojnë ditët e politikës së bujshme

Më: 17 janar 2010 Në ora: 18:05

Tanimë kur mbetën edhe më pak se dy javë deri e 31 janari, ditën kur për të tretën herë, do t’i matin forcat për postin e kryetarit të

komunës së Prizrenit, kandidati i PDK-së Ramadan Muja dhe ai i LDK-së Hanefi Muharremi, gjithnjë e më tepër po ndjehet atmosfera

elektrizuese, nga ankthi i këtyre subjekteve politike, se cili prej tyre do të ngadhënjejë me qeverisjen e komunës përgjatë mandatit të ardhshëm katërvjeçar. Ndërkaq që “duelin” verbal, i pari e filloi kandidati i LDK-së, Hanefi Muharremi, i cili gjatë fundjavës së shkuar, “derdhi” një sërë akuzash në drejtim të rivalit të tij Ramadan Muja, duke e kritikuar, para së gjithash, se ai “...kryetari me mandatin e humbur, po sillet sikur komuna të ishte pronë e PDK-së”. Kurse, retorikën e tij kritikuese, kandidati i LDK-së, po ashtu e ka vazhduar edhe me konstatimet e tija se “kohëve të fundit, nisin e rinisin punime në objekte të caktuara, të cilat nuk kanë kurrfarë mbulese buxhetore, kurse nga lënia në gjysmë e disa prej tyre, ka shkaktuar kaos në përditshmërinë e prizrenasve. Edhe më tutje, po hapen tenderë pa mbulesë buxhetore, vetëm për efekte elektorale, për ta mashtruar popullatën dhe për t’u hedhur hi syve njerëzve të ndershëm. Të shpresojmë se Prokuroria do të merret me shqyrtimin e këtyre fakteve”, ka theksuar në një deklaratë për media, kandidati i LDK-së për kryetar të komunës, Hanefi Muharremi. Në anën tjetër, kandidati i PDK-së për kreun komunal në zgjedhjet lokale, Ramadan Muja, këto, por edhe kritikat e mëhershme, adresuar në subjektin e tij politik nga ana e LDK-së, i ka quajtur të pabazuara, dhe ditën e shtunë është takuar me partnerin e koalicionit Mahir Jagxhillar, kryetar i Partisë Turke në Prizren, me të cilin, në ambientet e selisë

së pushtetit komunal, kanë shqyrtuar çështjen e rivotimit më 31 janar të këtij vit. Kandidati Muja, as kësaj radhe, nuk hezitoi që t’i përgjigjet kritikave të rivalit të tij nga LDK-ja, se “...unë edhe më tutje jam kryetar i komunës së Prizrenit dhe se këtë funksion do ta

ushtrojë deri në dhënien e betimit të kryetarit me mandatin e ri. Ndërsa, i them atij zotëriut (duke aluduar në deklaratën e Hanefi Muharremit), që ta ruaj organizmin dhe shëndetin e tij dhe të mos brengoset, nëse projektet në realizim e sipër kanë apo jo mbulesë buxhetore. Unë edhe më tutje, do t’i vizitojë të gjitha vendpunimet për ta monitoruar rrjedhën e punimeve, derisa ta kem mandatin e kryetarit të komunës”, ka theksuar kandidati i PDK-së, Ramadan Muja në pas ditën e së shtunës, pas takimit me përfaqësuesit e PDTK-së. Ndërkaq, që se në Prizren, nuk po vonojnë të arrijnë ditët e politikës së

bujshme, dëshmon edhe vizita që sot ia bërë Prizrenit, lidershipi i PDK-së, i kryesuar nga kryetari i saj, Hashim Thaçi, i cili në shoqërim të Ramadan Mujës dhe stafit tjetër të ekzekutivit komunal, kanë vizituar arealin e kompleksit shkollor të qytetit, me synimin e caktimit të truallit për ngritjen e Universitetit të dytë publik në Kosovë. Me këtë rast, vlen ta rikujtojmë të dhënën se përgjatë periudhës së para fushatës dhe gjatë fushatës elektorale të këtij viti, Kryeministri i Kosovës z. Hashim Thaçi, komunën e Prizrenit e pati vizituar shumë herë, në mbështetje të kandidatit të PDK-së për kryetar të Prizrenit, Ramadan Muja, njëherësh duke deklamuar investime të fuqishme përgjatë mandatit të tij katërvjeçar./M. Shasivari

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat