Klina ndan pesë mijë euro për të përmbyturit e Shqipërisë

Lajme

Klina ndan pesë mijë euro për të përmbyturit e Shqipërisë

Më: 19 janar 2010 Në ora: 16:18

Klinë, 19 janar

Në takimin e drejtorëve të drejtorive komunale, ku ishin të pranishëm edhe kryetari dhe nënkryetari i kësaj komune, të martën u miratua vendimi për grumbullimin e ndihmave për zonat e përmbytura të Shqipërisë, me prioritet të përmbyturit e Shkodrës. Kryetari i kuvendit të Klinës, z.Sokol Bashota, me këtë rast tha se qëllimit i këtij takimi është miratimi i vendimit për të ndarë një ndihmë për të përmbyturit në Shqipëri, përkatësisht për të përmbyturit e Qarkut të Shkodrës. Edhe pse ka kaluar faza emergjente atje, shtoi ai, ne si komunë duhet të solidarizohemi me një shumë modeste për gjendjen që akoma është e rëndë për banorët e Shkodrës dhe fshatrave të përmbytura. Shuma e ndarë gjatë këtij takimi nga KK të Klinës, është pesë mijë euro.

Po ashtu,është formuar komisioni për grumbullimin e ndihmave për zonat e përmbytjeve në Shqipëri. Komisioni udhëhiqet nga nënkryetari z.Ramiz Rrusta dhe Drejtori për Shërbime Publike dhe Emergjente z.Esat Raci, në bashkëpunim me tri kompani afariste, si “Gllareva”,me pronar Bujar Morina, “Citadella” me pronar Arbon Desku dhe “Agrobutrinti” me pronar Beqir Qupeva. Kryetari gjatë takimit ndau 1/3 e pagës së tij si ndihmë për të përmbyturit e Shkodrës, këtij gjesti human iu bashkuan edhe të gjitha drejtorit ku ndanë shumën nga pagat e tyre prej 50 euro. Njëherësh, ftohen të gjithë qytetarët që dëshirojnë të solidarizohen për të dhënë kontributin e tyre, ndihma për të përmbyturit e Shkodrës, në bashkëpunim me komunën,duhet të kontaktojnë me anëtarët e komisionit të përzgjedhur gjatë këtij takimi,ku është caktuar afati prej 10 ditësh, thuhet në njoftimin e Zyrës për Informim të KK të Klinës./b.s.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat