PDK dhe LDK, nesër fillojnë fushatën për Prizren dhe Lipjan

Lajme

PDK dhe LDK, nesër fillojnë fushatën për Prizren dhe Lipjan

Më: 24 janar 2010 Në ora: 14:41

Partia Demokratike e Kosovës dhe Lidhja Demokratike e Kosovës do të nisin nesër fushatën parazgjedhore pesëditore për Prizren dhe Lipjan, në të cilat komuna në raundin e dytë më 13 dhjetor pati parregullsi, për shkak të të cilave KQZ mori vendim të shkohet në rivotim.

Në garën për kryetarin e komunës së Prizrenit janë Ramadan Muja, kandidat i PDK së, njëherësh kryetar aktual komune dhe Hanefi Muharremi nga radhët e LDK së.

Për të parin e komunës së Lipjanit garojnë Shukri Buja, kandidat i PDK së, njëherësh kryetar komune dhe Imri Ahmeti nga radhët e LDK së.

Zgjedhjet në këtë dy komuna do të mbahen më 31 janar, ndërsa për Gjilanin ende nuk është marrë vendim nëse do të shkohet në rivotim ose do të pranohet rezultati i rinumërimit, i cili njeh fitues kandidatin e PDK së Qemajl Ahmeti.

LDK ja ka dorëzuar padi në Gjykatën Supreme, me kërkesën që Komisioni Qendror Zgjedhor të zbatojnë vendimin e Komisionit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, i cili, krahas Prizrenit dhe Lipjanit, pat urdhëruar rivotim edhe për Gjilanin.

Ndryshe, Komisioni Qendror Zgjedhor ka bërë të ditur se janë bërë të gjitha përgatitjet për përsëritjen e raundit të dytë të zgjedhjeve.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat