Qeveria e Serbisë, në një mbledhje telefonike i ka miratuar konkluzat, me të cilat autorizohet Ministria e Jashtme që të paraqesë propozimin e ndryshuar të rezolutës për Kosovën në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.
Propozimi i ndryshuar është harmonizuar me 27 vendet anëtare të Bashkimit Evropian, kanë konfirmuar për Radion Evropa e Lirë burime në Qeverinë e Serbisë.
Ky është rezultat i marrëveshjes së djeshme të presidentit serb, Boris Tadiq, dhe kryediplomates së Bashkimit Evropian, Ketrin Eshton, në Bruksel.
Teksti i projekt-rezolutës është harmonizuar të mërkurën me të gjitha partitë në koalicion dhe partitë opozitare në Serbi.
Teknikisht, Ministria e Jashtme serbe do ta ndërrojë projekt-rezolutën, kështu që nuk do të ketë amandamente.
Është paralajmëruar që teksti i rezolutës së re do të bëhet publik brenda ditës së sotme.