Ferizaj: Prangoset personi që plagosi tre nxënësit

Kronikë e zezë

Ferizaj: Prangoset personi që plagosi tre nxënësit

Më: 7 shtator 2010 Në ora: 17:11

Personi që plagosi dje tre nxënës të Gjimnazit “Kuvendi i Arbërit” është kapur nga policia e Ferizajt. Burime policore kanë bërë të ditur të martën se pas një pune të suksesshme operative, hetuesit e njësitit rajonal të hetimeve në Ferizaj, kanë arrestuar të dyshuarin Q.Jonuzi 17 vjeçar.

Zëdhënësi rajonal i policisë, toger Agim Gashi theksoi me këtë rast se të dyshuarit i vihet në barrë vepra, vrasje në tentativë.

“Siç dihet i dyshuari në Gjimnazin “Kuvendi i Arbrit”, në një dhomë mësimi të kësaj shkolle, kishte shtënë me revole dhe kishte plagosur tre nxënës dhe mbi të do të vihet barra e veprës vrasje në tentativë”, tha Gashi.

Mësohet se përveç arrestimit, te i dyshuari policia ka gjetur dhe konfiskuar armën me të cilën dyshohet se janë plagosur tri viktimat e rastit të djeshëm.

“Sipas hetimeve të paraprake, deri te rasti ka ardhur si pasojë e një zënke të mëhershme ndërmjet të arrestuarit dhe njërit nga të plagosurit në rastin e djeshëm”, ka thënë zëdhënësi i policisë Agim Gashi.

Bëhet e ditur se me urdhër të prokurorit të Prokurorisë së Qarkut në Prishtinë, i arrestuari është dërguar në mbajtje, ndërsa pas kompletimit lënda do t’i dërgohet gjykatës për procedurë të mëtutjeshme.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat