Frashëri: Greqia synon të marrë jugun e Shqipërisë

Shqipëria

Frashëri: Greqia synon të marrë jugun e Shqipërisë

Më: 5 prill 2011 Në ora: 10:21

Historiani i mirënjohur Kristo Frashëri ka deklaruar se Greqia vazhdon të ketë pretendime territoriale në Shqipëri dhe për këtë arsye po përpiqet të imponojë regjistrimin mbi baza fetare dhe etnike.

"Ata duan Sarandën e Himarën, duan të krijojnë një numërim të madh dhe t'i thonë OKB së na lejoni autonominë e Shqipërisë së jugut, sepse ka shumicë greke", ka pohuar Frashëri në një emision në televizion. Ai është shprehur se regjistrimi i popullsisë nuk duhet të bëhet mbi baza fetare dhe etnike. "Shqipëria është një shtet me banorët e saj dhe nëse regjistrimi bëhet ndryshe, atëherë del si tokë greke. Dhe Greqia do që ne ta bëjmë, që qytetarët të thonë se janë grekë. Bindja fetare me atë politike janë njësoj. Në Greqi i respektojnë rregullat, ndërsa këtu ata nuk duan", ka nënvizuar Frashëri.

Në këtë kontekst ai ka vlerësuar si shumë të drejtë angazhimin e juristit Kreshnik Spahiu. Sipas tij, Greqia keqinformon botën me deklaratat e saj mbi Vorio Epirin dhe pretendon për minoritetet e saj në zona të gabuara të Shqipërisë. "Greqia e ka deformuar historinë për Epirin. Në mesjetë Epiri s'ka pasur grekë. Ndërsa Çamërinë nuk e zënë në gojë, i thonë Dhespoti. Dhespotia deri vonë ishte shqiptare. Edhe sot në Çamëri ka shqiptarë, shqiptarë të krishterë, prandaj janë aty dhe nuk guxojnë të flasin shqip pasi kanë frikë nga greku", ka theksuar Frashëri.

Ai ka shtuar më tej se minoriteti grek nuk ndodhet në Sarandë, Himarë, Gjirokastër apo Korçë, ku pretendon pala greke, por në zona të tjera, si në Dropull.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat