Berisha me vëzhguesit: Do pranojmë çdo rezultat

Shqipëria

Berisha me vëzhguesit: Do pranojmë çdo rezultat

Më: 12 maj 2011 Në ora: 14:09

Kryeministri Berisha është takuar sot grupin e vëzhguesve zgjedhorë të dërguar nga qeveria e SHBA-ve për vëzhgimin e zgjedhjeve lokale të 8 majit 2011.

Në takimin me vëzhguesit amerikanë kryeministri Berisha theksoi se me këto zgjedhje fituan shqiptarët ndërsa ka shtuar se mazhoranca mbetet e vendosur për të pranuar çdo rezultat që del nga vota e qytetarëve.

Gjithashtu Berisha shprehu kënaqësinë se vota e përgjithshme popullore rikonfirmoi besimin dhe mbështetjen e mazhorancës së zgjedhësve ndaj qeverisë.

Kryeministri gjithashtu vuri në dukje se procesi zgjedhor që po zhvillohet mbështetet mbi një bazë ligjore solide, konsensuale dhe të certifikuar ndërkombëtarisht dhe se përdorimi i teknologjisë në procesin e numërimit garanton transparencë dhe saktësi maksimale në këtë proces. Ai theksoi se çdo votë e hedhur në kutitë e votimit për kandidatët e subjekteve të ndryshme, do të numërohet me saktësi të plotë.

Kryeministri Berisha vlerësoi dhe ndau të njëjtin qëndrim me atë të kreut të misionit të OSBE/ODIHR zotit Stonestreet, i cili gjatë prezantimit të deklaratës paraprake theksoi se pavarësisht zgjatjes së procesit të numërimit ajo që ka rëndësi dhe mbizotëron është saktësia dhe transparenca e këtij procesi.

Ambasadori Amerikan Aleksander Arvizu, i cili shoqëronte vëzhguesit, në fjalën e tij vuri në dukje se ky mision vëzhgimi, me rreth 60 vëzhguesit e tij, ishte një kontribut i drejtpërdrejtë i qeverisë amerikane për transparencën e procesit zgjedhor. Ambasadori Arvizu theksoi se ky mision i veçantë dhe kaq i gjerë vëzhgimi është një dëshmi e qartë e miqësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës ndaj Shqipërisë por edhe e angazhimit ndaj vlerave që dy vendet ndajnë së bashku.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat