Arvizu: Ramës, i thashë të mjekohej, Braçes të pushojë

Shqipëria

Arvizu: Ramës, i thashë të mjekohej, Braçes të pushojë

Më: 14 maj 2011 Në ora: 11:35

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë, Aleksandër Arvizu, ka vijuar sërish dje në orët e vona të mbrëmjes monitorimin nga afër të procesit të numërimit të votave në kutitë e fundit të KZAZ Nr.5, në të cilën për shkak të numëruesve të PS procesi u ndërpre për disa minuta. Pikërisht në këtë moment, Ambasadori Arvizu ka hyrë në ambientet e palestrës së Shkollës "Vasil Shanto" dhe ka marrë informacionet e fundit nga stafi i ambasadës amerikane, që ka ndjekur numërimin gjatë gjithë ditës së djeshme. Pas kësaj, Arvizu ka zhvilluar takime me përfaqësues të të dyja forcave politike, deputetë të Partisë Demokratike dhe Partisë Socialiste, duke dëgjuar qëndrimin e të dyja palëve mbi shkaqet që sollën ndërprerjen e procesit të numërimit në këtë KZAZ. Më pas, në një deklaratë për mediat, ambasadori amerikan shprehu keqardhjen për procesin e ngadaltë të numërimit të votave. "Erdha këtu dhe kam folur me dy palët, kam folur me stafin e ambasadës amerikane, po ashtu me misionin e ODIHR, por sot më herët kam folur me zotin Rama", tha Arvizu. Duke reaguar lidhur me shqetësimin e ngritur nga palët për pavlefshmërinë e fletëve të votimit, ambasadori amerikan theksoi se, për këtë çështje duhet të respektohet rruga ligjore dhe palët duhet t'i drejtohen institucioneve ligjore. Gjithashtu, Arvizu bëri të ditur se, gjatë ditës së djeshme kishte zhvilluar një takim edhe me kreun e PS, Edi Rama, duke theksuar se ai ishte me kollë dhe e kishte këshilluar që të mjekohej. Arvizu gjithashtu deklaroi se, gjatë takimit i kishte thënë Ramës që edhe deputeti socialist Erion Braçe duhet të pushonte. Paraditen e djeshme, në një deklaratë për shtyp, deputeti socialist Erion Braçe u bëri thirrje simpatizantëve të PS që të rrethonin shkollën "Vasil Shanto", aty ku numërohen dhe kutitë e fundit të KZAZ Nr. 49. "Ka një mënyrë për të sfiduar çështjen e pavlefshmërisë së fletëve, dhe kjo është rruga ligjore, nëse dikush pretendon mund t'i drejtohet institucioneve. Procesi duhet të marrë fund, pasi filloi të dielën, dhe tani po vazhdon ende. Kam biseduar me zotin Basha dhe zotin Rama. Më erdhi keq për zotin Rama, sepse derisa flisja, ai kishte një kollë, i thashë se, duhej ta mjekonte apo të pushonte, por më tha se nuk pushonte dot. I thashë se, mbase duhet të pushojë pak edhe zoti Braçe", tha Arvizu.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat