KQZ: Ja si do verifikohen të dhënat për Tiranën

Shqipëria

KQZ: Ja si do verifikohen të dhënat për Tiranën

Më: 16 maj 2011 Në ora: 21:54

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) miratoi sot me 7 vota pro aktin për verifikimin e të dhënave të procesverbaleve përpara se të shpallet rezultati përfundimtar për Tiranën.

Sipas vendimit, do të krahasohen rezultatet në tabelën përmbledhëse origjinale të rezultateve të miratuara nga KZAZ-ja me tabelat origjinale të rezultateve për çdo qendër votimi. Më pas, këto të dhëna do të krahasohen me rezultatet për subjektet përkatëse që ndodhen në bazën e të dhënave. Etapa e dytë parashikon rastin kur nga të dhënat që krahasohen, rezulton se ka mospërputhje të shifrave.

Nëse vërehen mospërputhje të shifrave të mësipërme, krahasimi me shifrat në bazën e të dhënave të bëhet duke u bazuar në origjinalet e tabelave të rezultateve të qendrave të votimit. Mospërputhjet e vërejtura të mbahen shënim dhe t’i raportohen KQZ-së. Pas dhënies së pëlqimit nga KQZ-ja, të bëhen rregullimet përkatëse në bazën e të dhënave dhe të printohet prej saj tabela përmbledhëse e rezultateve për Bashkinë Tiranës.

Ndërkohë, në mbledhjen e sotme Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nuk ka marrë një vendim lidhur më mënyrën se si do të procedohet më njësinë nr. 5.

Drejtori i Komisioneve në KQZ, Alfred Spahiu raportoi se tabela përmbledhëse për këtë njësi ka mbërritur në KQZ ditën e sotme e pa miratuar nga 4 anëtarët e djathtë të komisionit.

Ndërsa vendimmarrja tashmë i takon KQZ-së, kreu i këtij institucioni, Arben Ristani tha se pas përgatitjes së materialit, kjo çështje do të diskutohet në mbledhjet me te afert.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat