Berisha takon Ambasadorët e SHBA, BE dhe OSBE

Shqipëria

Berisha takon Ambasadorët e SHBA, BE dhe OSBE

Më: 17 maj 2011 Në ora: 13:45

Kryeministri Berisha priti sot në takim Ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Alexander Arvizu, Kryetarin e Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, Ambasadorin Eugen Wollfarth, dhe Kreun e Delegacionit të Bashkimit Evropian, Ettore Sequi

Në takim u bisedua për zhvillimin e procesit zgjedhor dhe numërimin e votave, i cili po vijon pas mbylljes së qëndrave të votimit.

Ambasadorët vlerësuan zhvillimin e qetë të zgjedhjeve dhe vlerësuan lart deklaratat e kryeministrit të bëra mbas mbylljes së procesit të numërimit për Tiranën, që në kushtet e një rezultati shumë të ngushtë, palët duhet të tregojnë durim deri në daljen e rezultatit final të çertifikuar ligjërisht. Ata theksuan se një qëndrim i tillë, i cili tregon lidership, ishte një kontribut i rëndësishëm në këtë fazë të procesit.

Nga ana e tij kryeministri Berisha i falenderoi Ambasadorët për kontributin e çmuar që ata dhanë nëpërmjet angazhimit personal dhe të stafit të tyre si në ditën e zgjedhjeve ashtu dhe gjatë numërimit të votave. Kryeministri theksoi se ai dhe mazhoranca, ashtu si para zgjedhjeve, edhe në këtë moment, qëndrojnë të bindur se çdo votë e hedhur nga zgjedhësit do të vlerësohet dhe numërohet me saktësi dhe se rezultati final do të pasqyrojë saktësisht vullnetin e zgjedhësve shqiptarë. Kryeministri Berisha theksoi se rezultatet e shpallura, duhet që të përfshijnë çdo votë të hedhur nga zgjedhësit dhe se administrata zgjdhore ka për detyrë që ti japë vlerën e duhur, në mënyrë të njëtrajtëshme, çdo vote në të cilën zgjedhësi ka shprehur qartë vullnetin e tij.

Kryeministri Berisha shprehu besimin e tij se institucionet e mandatuara nga ligji kanë kryer detyrën dhe do të vazhdojnë ta kryejnë atë me saktësinë më të madhe duke garantuar në këtë mënyrë legjitimitet të plotë të rezultateve përfundimtare. Ai u shpreh se mazhoranca në fund të këtij procesi do të pranojë rezultatet e çertifikuara sipas ligjit.

Kryeministri gjithashtu nënvizoi se sistemi i numërimit rikonfirmoi se, ashtu si në 2009, procesi shqiptar i numërimit të votave siguron transaparencë të plotë, besim të palëve e për rrjedhojë shmang ankimet mbi rezultatin.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat