Subashi: Për fat të keq mbledhja e thirrur nga unë dhe kolegët e mi nuk u zhvillua

Shqipëria

Subashi: Për fat të keq mbledhja e thirrur nga unë dhe kolegët e mi nuk u zhvillua

Më: 17 maj 2011 Në ora: 19:40

Pak pas anulimit të mbledhjes së pasdites të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, nënkryetarja e KQZ-së, Dëshira Subashi deklaroi se në këtë mbledhje duhej të dilte rezultati i njësisë 5 për zgjedhjet vendore.

Nënkryetarja socialiste Subashi bëri me dije se ajo kishte kërkuar që sot të nxirrej rezultati i zgjedhjeve për minibashkinë nr. 5 dhe ishte pikërisht diskutimi për akt-vendimin e KQZ-së në rend dite.

Subashi shprehu shqetësimin për situatën kritike të krijuar në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve.

“Për fat të keq mbledhja e thirrur nga unë dhe kolegët e mi nuk u zhvillua, dhe më pas u shty për shkak të kërkesës për qetësimin e situatës në sallën e mbledhjeve, por më pas u shty pa asnjë sqarim”, bëri me dije gjatë një konference për shtyp, zonja Subashi.

Sipas nënkryetares së KQZ-së projekt-akti i paraqitur nga kryetari i KQZ-së Arben Ristani për vlefshmërinë e fletëve të kontestuara s’parashikohej nga Kodi Zgjedhor.

Sipas zonjës Subashi, ajo kishte kërkuar që akti të përfshinte vlerësimin e fletëve të kontestuara në të gjithë Republikën dhe jo vetëm fletët e kontestuara në Tiranë.

Nënkryetarja e KQZ-së theksoi se KQZ nuk u mblodh pikërisht për aktin e dytë, të paraqitur nga ajo vetë për t’u diskutuar.

Gjithashtu në këtë mbledhje do të diskutohej edhe për tabelën përmbyllëse të rezultatit në KZAZ-në nr. 49, e cila sikundër tha Subashi erdhi pa firmën e katër komisionerëve, atyre të PD-së dhe LSI-së.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat