Panariti: Gati grupet e punës për kufirin detar

Shqipëria

Panariti: Gati grupet e punës për kufirin detar

Më: 20 gusht 2012 Në ora: 09:22

Çështja e marrëveshjes së kufijve detare mes Shqipërisë dhe Greqisë është ende pezull, ndërkohë që opozita po synon ta përfshijë zgjidhjen e saj përmes referendumit popullor. Por për ministrin e Punëve të Jashtme, Edmond Panariti mundësitë e finalizimit të saj janë ende të hapura. "Me urdhër të kryeministrit janë krijuar dy grupe pune që po punojnë për prodhimin e opsioneve sa më solide për adresimin e këtij problemi. Pika e referimit në hapat e mëtejshme do të jetë vendimi i Gjykatës Kushtetuese, po për të mos qenë i nxituar do të më lejoni që unë të pres rezultatin e grupeve të punës për ta bërë pastaj publik dhe për të përcaktuar më pas edhe strategjinë që ne do të ndjekim në raport me Greqinë për rinegocimin apo për opsione të tjera padyshim edhe për të mos lejuar spekulime të ndryshme nga aktorë apo faktorë sepse për ministrinë e Punëve të Jashtme mbrojtja e interesave kombëtare është prioriteti më madhor", - tha Panariti.

Dy ditë më parë, Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Jashtme, njëherazi kreu i grupit të negociatorëve për marrëveshjen e ujërave me Greqinë, Gazmend Turdiu mbrojti bisedimet me palën tjetër, duke hedhur poshtë akuzat e opozitës për shitje të kufijve. "Nuk shoh asnjë shqetësim të bazuar, e them fare sinqerisht këtë gjë, e them me përgjegjësi nga pozicioni i kryetarit të grupit të punës. Ne po bëjmë një punë që është absolutisht legjitime, në bazë të një grupi të formuar sipas urdhrit të kryeministrit për të bërë një analizë të brendshme për të përfunduar me propozime të cilat u paraqiten institucioneve shqiptare për vendimmarrje. Nuk ka negociata", - theksoi Turdiu. Sipas tij, "është shumë shpejt për të folur për hartë përfundimtare të kufirit. Aktualisht po flasim për analizë të situatës dhe marrjen parasysh të interesave të Republikës së Shqipërisë nga gjithë pikëvështrimet e mundshme", - deklaroi Turdiu. Padyshim, shtoi ai, që vendimi i Gjykatës Kushtetuese është i padiskutueshëm, i paapelueshëm dhe është pikënisja e punës për vazhdimin e procesit deri në arritjen e përfundimit të legjitimit të kufirit detar me Greqinë.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat