Brukseli refuzon zyrtarisht strategjinë e PS

Shqipëria

Brukseli refuzon zyrtarisht strategjinë e PS

Më: 10 shtator 2009 Në ora: 15:06

Ambasadori i Komisionit Evropian në Tiranë, Helmut Lohan shprehet formalisht kundër bojkotit të kushtëzuar të Parlamentit nga ana e PS-së, duke përsëritur se Evropa është qartazi kundër bojkotit të Edvinit dhe se “Ddebatet në demokraci bëhen në parlament dhe jo jashtë tij”

Komisioni Evropian i sugjeroi këtë dje opozitës që të zërë vend në parlament dhe të mos ndjekë rrugën e bojkotit. Ka qenë Ambasadori i Komisionit Evropian në Shqipëri, Helmuth Lohan, i cili pas reagimeve të homologëve të tij të OSBE-së dhe të Britanisë së Madhe, deklaroi dje se, debatet në demokraci bëhen në parlament dhe jo jashtë tij.

I pranishëm në ceremoninë e përurimit të fazës B të terminalit të Aeroportit Ndërkombëtar “Nënë Tereza” në Rinas, Ambasadori Lohan iu përgjigj interesimit të gazetarëve mbi kushtëzimin e pjesëmarrjes së PS-së në parlament.

Ambasadori Lohan tha midis të tjerave se, “Të gjithë e njohin qëndrimin e Komisionit Evropian. Debatet në demokraci bëhen në parlament dhe jo jashtë tij”.

Komuniteti ndërkombëtar i pranishëm në Tirane në çdo koment të vetin i bën thirrje Partisë Socialiste të mos braktisë Kuvendin. Edhe organizmi që merret drejtpërdrejt me certifikimin e zgjedhjeve në Shqipëri, OSBE-ja, nëpërmjet ambasadorit të saj Robert Bosch sugjeron të njëjtën rrugë për opozitën në katër vitet e ardhshme.

Ambasadori Robert Bosch bëri të ditur pak ditë më parë se qëndrimin e OSBE-së, siaps të cilit, shkon hapur kundër linjës për një opozitë në rrugë. Për Bosch debatet politike bëhen në Kuvend nisur dhe nga logjika që tejkalon qëndrimet personale të partive, që ka të bëjë me integrimin evropian të vendit.

“Siç e dini në të gjitha vendet demokratike, forumi kryesor për debat midis partive politike, është Parlamenti i vendit. Në kuadrin e axhendës integruese në Bashkimin Evropian, ajo vlen edhe për Shqipërinë. Mesazhi im është i qartë”, u shpreh kreu i Prezencës së OSBE-së, në Tiranë.

Të njëjtin qëndrim kundër bojkotit të Parlamentit nga ana e PS-së, ka mbajtur edhe ambasadorja britanike në Tiranë Fiona McIlwham. Dy ditë më parë ajo u shpreh kritike ndaj vendimit të selisë së PS-së.

“Për sa i përket bojkotit të opozitës ka pasur një deklaratë të OSBE-se një dite më pare dhe ne jemi dakord me atë qëndrim” u shpreh McIlwham.

Partia Socialiste zyrtarizoi vendimin politik për të bojkotuar parlamentin, duke e kushtëzuar pjesëmarrjen e saj me një sërë kërkesash, ku më kryesorja është ajo për një hetim dhe transparencë mbi procesin zgjedhor të 28 qershorit. Edhe në seancën e një dite më parë të parlamentit, kur u bë betimi i deputetëve dhe Jozefina Topalli u rizgjodh Kryetare e Kuvendit për 4 vitet e ardhshme, Grupi parlamentar i Partisë Socialiste nuk ishte i pranishëm në sallën e Kuvendit.

...

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat