PS drejt përqarjes së thellë

Shqipëria

PS drejt përqarjes së thellë

Nga: Bota sot, Tiranë Më: 11 shtator 2009 Në ora: 14:27

Arben Malaj shpalli se ishte formalizuar fraksioni i mendimit ndryshe në PS. Lëvizja do të synojë arritjen e shumicës dhe nulifikimin e pushtetit të ylberistëve të Edvinit, por nëse nuk ia del, pritet që fraksioni të kthehet në parti, duke regjistruar edhe ndarjen më të fortë në partinë që trashëgon anëtarësinë e diktaturës komuniste TIRANE – Në Partinë Socialiste formalizohet fraksioni më i ri kundër rrymës politike bojkotuese të Edi Ramës, që do të kuadrohet për një opozitë institucionale në parlamentin shqiptar. “Lëvizja për mendimin ndryshe”, e përbërë nga Ben Blushi, Arben Malaj, Andis Harasani, Kastriot Islami dhe deputetë të tjerë opozitarë, po promovon në bazën platformën për modernizimin e Partisë Socialiste që e kthen atë në një parti të hapur për mendimin ndryshe dhe për një opozitë të denjë për politikën shqiptare. Lëvizja e re në PS, e përfaqësuar dhe nga anëtarësia socialiste mbi të cilët Edi Rama nuk ka mundur të ushtrojë presionin e tij, pritet të mblidhet sot për të analizuar situatën e krijuar në parti pas humbjes në zgjedhje dhe nevojën për ndryshime në statut. Kësisoj, “Lëvizja për mendimin ndryshe” është pozicionuar zyrtarisht kundër politikës së bojkoteve të Edi Ramës, duke e gjykuar këtë si mjaft të dëmshme për Partinë Socialiste, por edhe për kushtet e Shqipërisë në prag të sfidave të mëdha, siç është liberalizimi i vizave me vendet e BE dhe plotësimi i reformave, për një integrim sa më të shpejtë në Union. Përpos këtyre obligimeve madhore, Edi Rama, ndërmjet kompromisit parlamentar dhe heqjes dorë prej tij, zgjedh këtë të fundit, pra bojkotin, për faktin e vetëm se ka fobi ndaj betejave politike në kuvend dhe kurrsesi s’mund t’u japë përgjigje socialistëve në mbarë vendin, për humbjen e zgjedhjeve. Gjithashtu, Edvini nuk përballet dot me shumë afaristë, biznesmenë, të cilët i duheshin për financimin e fushatës, i renditi në listat e PS-së, por nuk siguruan dot mandatin e deputetit. Edvini nuk përballet dot me përfaqësuesit e PS-së, ligjvënësit opozitarë, të cilët i kërkojnë llogari se pse PS nuk arriti të ndërtojë një program të besueshëm elektoral, por u katandis si mos më keq, megjithëse synonte të fitonte zgjedhjet, ajo ishte thjesht një çorbë e boshatisur. Ndaj edhe Rama, nuk u jep do përgjigje të gjithëve, pasi të gjithë duan kokën e tij dhe për t’i shpëtuar dekompozimit politik, sajon alibi nga më të ndryshmet, thjesht e vetëm, për të shpëtuar karrigen e kryetari të PS-së, në mënyrë anti-statusore. Në këtë kuadër, Edi Ramës nuk i ngelej gjë tjetër, veçse të ngrinte pretendime për manipulime në zgjedhjet e 28 qershorit dhe të shmangte vëmendjen e socialistëve të thjeshtë, të cilët po i kërkonin me ngulm njësive lokale të PS-së, pse u humbën zgjedhjet në këtë mënyrë dhe sigurisht shprehën pakënaqësi të theksuara ndaj drejtimit politik të Edi Ramës. Por ky i fundit, largimin e tij nga PS as nuk e çoi në mendje, duke shkelur kështu nenet statusore, për të cilat ka ngritur zërin në 2005-ën, kur Nano humbi zgjedhjet parlamentare dhe që me largimin e tij, vendosi një standard, që duhet respektuar.... Një nga zërat më aktivë të “Lëvizjes për mendim ndryshe”, Arben Malaj, u shpreh dje se lëvizja e re synon institucionalizimin e PS-së, kthimin e saj në kuvend dhe vazhdimin e betejës politike. Malaj theksoi se bojkoti i vendosur nga Edi Rama po e dëmton rëndë opozitën, ndërsa po forcon gjithnjë e më shumë mazhorancën qeverisëse. “Lëvizja për mendimin ndryshe në Partinë Socialiste e cila ka në thelbin e saj modernizimin e Partisë Socialiste ku momenti i parë është një opozite brenda institucioneve, që në thelbin e saj do të thotë jo bojkotit, do të ketë një takim me publikun, pikërisht për të qartësuar të gjitha angazhimet që do të ketë kjo lëvizje, e cila nuk është një lëvizje e personalizuar, po është një përgjegjësi që duhet maksimizuar, si PS duhet të plotësojë misionin e saj në opozite, si PS duhet të vazhdojë kontributet modernizuese në politikën shqiptare duke filluar nga momenti i parë që është pikërisht një opozitë e fortë brenda shtetit shqiptar dhe një bojkot i qartë ndaj bojkotit të sapo nisur nga Partia Socialiste”, deklaroi Arben Malaj. Ben Blushi dhe deputetët që mbështesin atë, kërkojnë hyrjen në Kuvend dhe ndryshimin e statutit të Partisë Socialiste si një reflektim për humbjen e zgjedhjeve të 28 qershorit.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat