Patozi: Kërkesat e Ramës janë absurde

Shqipëria

Patozi: Kërkesat e Ramës janë absurde

Më: 11 shtator 2009 Në ora: 16:29

Kryetari i grupit parlamentar të PD-së, Astrit Patozi, i cilësoi absurde kushtet e vendosura nga Partia Socialiste për pjesëmarrjen e grupit të deputetëve të saj në parlament. Gjatë një prononcimi për mediat kryetari i grupit demokrat theksoi se "socialistët do të kthehen në Kuvend pas zgjidhjes së problemeve brenda selisë rozë, ndërsa për rinumërimin e kutive të votimit nuk vendos parlamenti". "Besoj se nuk ka debat mes maxhorancës dhe opozitës për zgjedhjet, sepse ky debat është mbyllur njëherë e përgjithmonë më 28 qershor, debat që ne e kemi fituar dhe ata e kanë humbur. Tashmë është e qartë se ka një debat të brendshëm në PS për mënyrën se si ajo humbi dhe për mënyrën se ajo nuk arriti rezultatet që priste në zgjedhje", nënvizoi Patozi. Ai shprehu keqardhje që "për interesat personale të kryetarit të saj, PS merr një vendim absurd siç është bojkotimi i Kuvendit". 65 deputetët e grupit parlamentar të Partisë Socialiste të opozitës kanë bojkotuar dy seancat e para të Kuvendit të ri të Shqipërisë më (7 dhe 8 shtator), pas vendimit politik të kësaj partie, për ta kushtëzuar pjesëmarrjen e saj në parlament me një sërë kushtesh, më kryesorja e të cilave është kërkesa për një hetim dhe transparencë ndaj procesit zgjedhor të 28 qershorit. Dy ditë më parë Komisioni Europian në Tiranë, përmes Ambasadorit Helmuth Lohan, i bëri thirrje opozitës që debatin e saj politik ta zhvillojë brenda institucioneve dhe jo jashtë tyre.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat