Enciklopedia, reagon edhe Akademia e Tiranës

Shqipëria

Enciklopedia, reagon edhe Akademia e Tiranës

Më: 6 tetor 2009 Në ora: 11:34

Akademia e Shkencave e Shqipërisë ka reaguar për enciklopedinë maqedonase ku shqiptarët quhen njerëz mali. Sipas akademikëve shqiptarë, tezat e palës tjetër janë krejtësisht të pasakta dhe tendencioze.

Kohët e fundit Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Maqedonisë, vuri në qarkullim enciklopedinë e Maqedonisë në të cilën bën pjesë edhe një zë i veçantë kushtuar shqiptarëve të Maqedonisë. Ky zë për fat të keq përmban pasaktësi faktologjike dhe nota fyese për bashkatdhetarët tanë që jetojnë në republikën fqinje. Për këtë arsye përmbajtja e zërit ka shkaktuar reagime të justifikuara në shtyp dhe në median elektronike, jo vetëm ndër shqiptarët e Maqedonisë, por edhe ndër mbarë shqiptarët kudo ku jetojnë.

Akademia e Shkencave e Shqipërisë nuk u ngut për të dhënë menjëherë opinionin e saj. Kjo për arsye se ajo donte të kishte në dorë tekstin integral të këtij zëri. Teksti na ra në dorë me vonesë. Ndërkohë po mësojmë se vetë autoritetet shtetërore maqedonase po e tërheqin nga qarkullimi vëllimin enciklopedik për ta rishikuar dhe korrigjuar përmbajtjen e këtij zëri. Në pritje të ripunimit të këtij (dhe të disa zërave të tjera që kanë pasaktësi të fakteve e keq interpretime) nga autorët e enciklopedisë, ne po japim paraprakisht përshtypjet tona mbi përmbajtjen e tij, e cila sipas mendimit tonë bie në kundërshtim me të vërtetën historike.

Autorët e zërit “Shqiptarët e Maqedonisë” mbrojnë pikëpamjen e hedhur në shekullin XIX se në Maqedoni nuk kanë ekzistuar banorë shqiptarë para pushtimit osman, madje para shekullit XVI. Ata vazhdojnë të ngulin këmbë si dikur paraardhësit e tyre nacionalistët ekstremistë se në territorin e sotëm të Maqedonisë deri në shekullin XVI ka pasur vetëm banorë sllavomaqedonë dhe se shqiptarët deri atëherë banonin vetëm nëpër malet e Shqipërisë së sotme. Ata vazhdojnë të mbrojnë pseudo-tezën se grupet e para shqiptare të këtyre viseve malore u dyndën në masa të vogla në Maqedoni në shekullin XVI, se shumica dërrmuese e tyre (vala e dytë) u dynd në fund të shekullin XVIII; pastaj në mesin e shekullit XIX (vala e tretë); më tej në fillim të shekullit XX (vala e katërt) dhe më në fund nga shqiptarët e Kosovës pas Luftës së Dytë Botërore

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat