Shqipëri-Turqi: Angazhim për të thelluar bashkëpunimin

Shqipëria

Shqipëri-Turqi: Angazhim për të thelluar bashkëpunimin

Më: 18 tetor 2009 Në ora: 14:26

Vetëm një javë pas vizitës në Turqi të ministrit Meta, shefi i diplomacisë turke vjen në Tiranë me qëllim intensifikimin e bashkëpunimit reciprok në të gjitha fushat. Pas një takimi në selinë e Ministrisë së Jashtme, krerët e diplomacisë së të dy vendeve, duke konfirmuar nivelin shumë të mirë të marrëdhënieve dypalëshe, informuan mediat lidhur me vendimin për heqjen e pagesës për vizat për qytetarët shqiptarë dhe ata turq. "Është një lajm i mirë për të gjithë qytetarët tanë që ne kemi rënë dakord për heqjen e pagesa për vizat, që është jo vetëm një kosto financiare, por mbi të gjitha një barrierë psikologjike", theksoi Meta. Ndërsa ministri Davutoglu e cilësoi këtë vendim një "dhuratë të bukur për të gjithë shtetasit e dy vendeve".

Ministri i Jashtëm shqiptar konfirmoi pas takimit se bashkëpunimi i shkëlqyer mes Shqipërisë e Turqisë po njeh një dinamikë të jashtëzakonshme gjatë viteve të fundit.

"Jemi të kënaqur për shumëfishimin e investimeve turke në Shqipëri në një kohë të shkurtër dhe rritjen e ndjeshme të bashkëpunimit tregtar dhe ekonomik. Bashkëpunimi ynë është shumë i mirë dhe në fushat të tjera të arsimit, kulturës, shëndetësisë dhe do të thellohet akoma më tej", deklaroi Ilir Meta.

Në fjalën e tij ministri turk, i konsideroi marrëdhëniet dypalëshe "në nivel të përkryer, ku askush nuk ka asnjë problem. Por, çdo gjë e përkryer ka edhe më të përkryer. Ndaj, ne, ministrat e jashtëm duhet të punojmë akoma më shumë t'i zhvillojmë këto marrëdhënie".

"Marrëdhëniet politike janë në nivel shumë të mirë dhe ne vendosëm t'i thellojmë ato më shumë. Ramë dakord që diplomatët e rinj shqiptarë të trajnohen pranë MPJ-së së Turqisë dhe të përfitojnë nga përvoja jonë. Ne do të vazhdojmë më tej vizitat në nivel të lartë. Në muajin dhjetor do të vijë në Tiranë, Presidenti turk, Abdullah Gyl, ndërsa në muajin qershor erdhi në Shqipëri kryeministri ynë. Ndërkohë, ka pasur takime të vazhdueshme mes dy kryeministrave tanë", tha Ministri Davutoglu. Duke folur për marrëdhëniet ekonomike, ai tha se ato po ecin mjaft mirë dhe janë në rritje.

"Nëse pesë vjet më parë investimet ishin rreth 45 milion dollarë sot janë rreth 1 miliardë dollarë, ndërsa vëllimi tregtar mes dy vendeve është rreth 350 milionë dollarë. Do të ketë një hop akoma më të madh në funksionimin e marrëveshjes së tregtisë së lirë. Ne jemi të vendosur të forcojmë bashkëpunimin edhe në fushën e transportit, turizmit dhe arsimit. Do të ketë bashkëpunim më të vrullshëm në fushën e kulturës dhe mes universiteteve. Turqia e shikon Shqipërinë si perspektivë edhe të Ballkanit dhe të Mesdheut", theksoi ministri Davutoglu në konferencën për shtyp.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat