PE voton për heqjen e vizave me Shqipërinë

Shqipëria

PE voton për heqjen e vizave me Shqipërinë

Më: 13 nëntor 2009 Në ora: 04:04

Liberalizimi i vizave midis Shqipërisë dhe vendeve anëtare të Bashkimit Europian pritet të finalizohet brenda një kohe të shkurtër. Parlamenti Europian ka miratuar me shumicë votash raportin e eurodeputetes Tanja Fajon, që parashikon përshpejtimin e procedurave për heqjen e vizave brenda një kohe të shkrurtër të Shqipërisë dhe Bosnje Hercegovinës me vendet anëtare të Bashkimin Europian. Në rezolutë theksohet se Parlamenti e Këshilli do të shqyrtojnë amendimin e Rregullores për regjimin e vizave me këto dy vende, si çështje urgjente. Në të njëjtën linjë në rezolutë, kërkohet që vizat me Shqipërinë dhe Bosnjën të hiqen sa më shpejt që të jetë e mundur, menjëherë pas përmbushjes së kushteve të udhërrëfyesit. Sipas rezolutës të sapomiratuar nga PE, Komisioni Europian do t'i propozojë Këshillit të Europës heqjen e vizave me Shqipërinë sapo të vlerësojë se është përmbushur edhe pjesa e mbetur e kërkesave të udhërrëfyesit. Rezoluta, do të merret në shqyrtim nga Këshilli Europian i Ministrave më 30 nëntor, ku dhe do të ndërmerret vendimi përfundimtar. Eurodeputetja sllovene, Tania Fajon, e cila është dhe relatorja e kësaj rezolute, sqaroi se vizat me Serbinë, Maqedoninë dhe Malin e Zi do të hiqen para Krishtlindjeve. Kjo do të thotë se në rast se Shqipëria plotëson kushtet e udhërrëfyesit brenda këtij afati kohor, atëherë përfiton menjëherë liberalizimin e vizave. Parlamenti Europian ka kërkuar gjithashtu, nisjen e dialogut të vizave me Kosovën, krijimin e një plani udhërrëfyes për lehtësimin e vizave dhe liberalizimin, një proces i ngjashëm me ato të vendosura për vendet e Ballkanit Perëndimor. Politika e Bashkimit Europian ndaj Ballkanit Perëndimor, siç është përcaktuar në axhendën e Samitit të Selanikut, e cilëson liberalizimin e vizave si një hap drejt anëtarësimit përfundimtar në BE. Negociatat për liberalizimin e vizave me këto vende nisën në 2008, kohë kur u parashtruan nivelet e përparimit të tyre, ku përfshihej futja e pasaportave biometrike, të cilat qytetarët duhet t'i zotërojnë në mënyrë që të kualifikohen për programin e heqjes së vizave. Ndërkohë që vetë Komisioni Europian vlerëson se Shqipëria ka bërë përparim të mëtejshëm në pak muaj që nga koha e Raport-Progresit të fundit. Brukseli nxit Shqipërinë dhe Bosnjen që të arrijnë tre vendet e tjera të Ballkanit në përmbushjen e reformave brenda muajve të parë të vitit 2010, kohë kur Komisioni Europian do të raportojë mbi përparimin e tyre.

MPJ: Rezoluta e PE, inkurajim

Ministria e Punëve të Jashtme përshëndeti dje miratimin e raportit të eurodeputetes Tanja Fajon, në Parlamentin Evropian, në lidhje me liberalizimin e vizave me vendet e Ballkanit Perëndimor. Përmes një komunikate për shtyp, zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme, Ralf Gjoni theksoi se kjo rezolutë dhe deklarata që e bashkëshoqëroi atë në emër të Parlamentit Evropian dhe Këshillit, e pranuar edhe nga Komisioni Evropian, është një mbështetje e fuqishme për Shqipërinë dhe për të gjithë rajonin. Gjithashtu, ai vë në dukje se propozimi për përfshirjen e menjëhershme të Shqipërisë në aneksin e dytë të vendeve të cilave nuk u nevojitet vizë për në BE, sapo ajo të përmbushë detyrimet e mbetura, dëshmon për përkrahjen e gjerë dhe të fuqishme që gëzon vendi ynë për të realizuar lëvizjen pa viza të qytetarëve dhe për të avancuar bindshëm në rrugëtimin tonë evropian pa vonesa. Më tej, Gjoni theksoi se në deklaratën e përbashkët theksohet qartë vullneti politik brenda institucioneve të Bashkimit Evropian për një trajtim urgjent të çështjes së vizave për Shqipërinë, pasi Komisioni Evropian të ketë vlerësuar pozitivisht përmbushjen e të gjitha kritereve të Udhërrëfyesit. Gjithashtu, ai shprehu angazhimin e qeverisë shqiptare për të garantuar partnerët europianë se do të përmbyllen me sukses të gjitha detyrimet që kanë mbetur në kuadër të finalizimit të procesit për heqjen e vizave mes Shqipërisë dhe BE.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat