Berisha: Reagimi i menjëhershëm shmangu një katastrofë njerëzore

Shqipëria

Berisha: Reagimi i menjëhershëm shmangu një katastrofë njerëzore

Më: 11 janar 2010 Në ora: 14:26

Kryeministri Berisha mori pjesë sot në takimin e zgjeruar, të zhvilluar në prefekturën e Shkodrës, me përfaqësues të qeverisë qendrore dhe asaj vendore, Komitetit Ndërministror të Emergjencave, përfaqësues të shoqatave të prefekturave, bashkive dhe komunave të vendit, të Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, Policisë së Shtetit, deputetë të zonës, etj.

Ky takim kishte për qëllim solidaritetin dhe koordinimin e mëtejshëm të punës për menaxhimin e situatës së shkaktuar nga përmbytjet e ditëve të fundit të zonën e Shkodrës e të Lezhës, si dhe bashkërendimin e institucioneve për të mundësuar ndihmën ndaj banorëve dhe stabilizimin e të gjitha pasojave e dëmeve materiale e ekologjike, deri në normalizimin e jetës së banorëve në këtë zona.

Kryeministri falënderoi të gjitha vendet mike, Italinë, Greqinë, Maqedoninë, Kosovën, Francën, e të tjera, si dhe institucionet ndërkombëtare, për ndihmën dhe soliditetin e treguar në këto ditë të vështira.

Kryeministri siguroi se operacioni do të mbetet tërësisht i përqendruar në shpëtimin e jetëve njerëzore dhe evakuimin e tyre, duke mbetur me përparësi madhore në furnizimin dhe ndihmën me çdo nevojë të të shpërngulurve dhe të atyre që nuk janë shpërngulur. Për këtë, Kryeministri kërkoi që të angazhohen në këtë proces të gjitha organizmat joqeveritare dhe ato fetare, për aspektin humanitar të popullatës.”Ne ndihmat i kemi dhe nuk na mungon asgjë, por duhet ta çojmë atë në mënyrën më eficente tek të gjithë ata që kanë nevojë”, tha Kryeministri.

Gjithashtu, Kryeministri tha se duhet të ekzistojnë planet B. C. D e me radhë, deri në normalizimin total të zonës së përmbytur. Është jetike që ndërmarrjet e kanalizimeve dhe ujësjellësve, kullimit dhe vaditjes të ministrisë së Punëve Publike, të Ministrisë së Bujqësisë, të kenë të gatshme projektet për ndërhyrjet më energjike të rivendosjes së plotë të funksionimit të të gjithë sistemit të kanalizimeve dhe të kullimit në zonë, në mënyrë që të përcaktohen pikat e ndërhyrjes për një drenim sa më të shpejtë të zonës, theksoi ai.

Kryeministri vlerësoi punën e të gjitha strukturave shtetërore,komunave të këtyre zonave, qarkut e prefekturës Shkodër, forcave të ushtrisë dhe policisë, të gardës së Republikës dhe rezervave të shtetit, ndihmës mjekësore, të cilat tha ai, kanë qenë në çdo moment në lartësinë e detyrës.

Kryeministri tha gjithashtu se edhe Korporata Energjetike ka zbatuar me përpikëri rregulloren. “Këta burra e gra kanë bërë natën ditë dhe kanë qëndruar në krye të detyrës me një kompetencë shumë të madhe, kanë punuar me gjakftohtësinë më të madhe dhe sot jemi, me gjithë situatën, shpresoj në dalje të emergjencës ujore”, vijoi Kryeministri.

Në fjalën e tij të plotë, Kryeministri Berisha u shpreh:

Së pari, dëshiroj t’ju përgëzoj për këtë iniciativë jashtëzakonisht të rëndësishme që ndërmorët për të zhvilluar këtë takim në qytetin Shkodrës, në shenjë solidariteti, mbështetjeje vëllazërore me zonat e përmbytura në këtë rreth, angazhimin dhe përkushtimin, që kjo situatë të kapërcehet sa më shpejt dhe pasojat e saj të mund të zhduken me shpejtësinë më të madhe të mundshme.

Shkodra përjetoi një gjendje të jashtëzakonshme, një përmbytje e cila nga qendrat botërore të vlerësimit të përmbytjeve vlerësohet e njëjtë me atë që pësoi Australia gjatë fillimit të janarit dhe, jo fort e largët, me atë që pësoi Brazili. Observatori i përmbytjeve, Dartmouth Flood, i cili bën një vlerësim hapësinor dhe me mjete të tjera shkallën e përmbytjeve, paraqet këtë përmbytje si ekstreme dhe si një ngjarje, si një mot, i cili ndodh më rrallë se 100 vjet.

Të dhënat janë këto; Nga data 25 dhjetor deri më sot, vetëm lumi Drin ka vërshuar me një mesatare prej 1280 metër kub në sekondë, në ditë. Nga data 27 deri sot janë derdhur vetëm nga lumi Drin, pa llogaritur derdhjet e e Kirit, Gjadrit, Moraçës, Përroit të Thatë, që të gjitha këto prekin direkt gjendjen ujore të Shkodrës, pra vetëm nga Lumi Drin janë derdhur, nga data 27 dhjetor e deri më sot, shkarkime të barabarta me 3 liqene të Vaut të Dejës.

Shkrirja e rrufeshme e dëborës në ditët e janarit, për shkak të temperaturave pothuajse afrikane, që erdhën drejt Shqipërisë, me 20-24 gradë, dallgët e fuqishme të detit, rrebeshet e mëdha të Alpeve, të gjitha këto krijuan një situatë të paprecedentë ujërash, ndoshta edhe më shumë se në 100 vitet e fundit.

Në këto rrethana, qeveria vendore, qarku, prefektura, bashkia Shkodër, komuna Dajç, Ana e Malit, Bushat, Guri i Zi, dëshmuan një shkallë mobilizimi ekstreme. Pra, kësaj situate ekstreme iu përgjigjën me shkallë të lartë mobilizimi. Qeveria, ministritë, reaguan me një shpejtësi shumë të madhe. Deri më sot ne ia dolëm të shmangim një katastrofë njerëzore, kur ishim në prag të saj. Sot vërtetë kemi 10 mijë ha të përmbytur, por nuk kemi asnjë një jetë njeriu të humbur. Kjo është meritë e jashtëzakonshme një operacioni shpëtimi më të fuqishëm më të suksesshëm që vendi ka njohur. Me këtë rast unë dua të përgëzoj, të falënderoj, ata qindra e qindra burra e gra të komunave të Dajçit, Anës së Malit, Gurit të Zi, të Bushatit, të cilët, në bashkëpunim me autoritetet vendore, ato qendrore, me një përpjekje të jashtëzakonshme bënë që, në një betejë që vazhdon për mbi dy javë, të mos kemi as edhe një jetë të njeriu të humbur. Ky ishte dhe qëllimi më kryesor.

Në këtë hark kohor të shkurtër janë evakuuar mbi 5 mijë qytetarë nga këto zona, janë evakuuar mijëra e mijëra krerë gjë e gjallë. Ndërkohë funksionon një rrjet i fuqishëm ndihme në të katër anët e këtyre zonave. Unë mund t’ju them se vetëm nga qeveria qendrore, forcat e rendit, të ushtrisë, janë përkatësisht mbi 800 anëtarë të FA që operojnë në këto zonë, janë mbi 611 anëtarët e policisë që operojnë në zonë, janë 110 personeli shëndetësor që operon në zonë, janë 115 të punonjës të gardës së Republikës e të rezervave të shtetit që operojnë në këtë zonë, janë edhe disa qindra e qindra të tjerë, drejtues të komunave, të bashkisë së Shkodrës, prefekturës e qarkut të saj. Pra, operacioni në tërësi përfshin mbi 2000 ushtarakë, policë, civilë e zyrtarë të të gjitha rangjeve. Qeveria krijoi një komitet ndërministror, i cili në bashkëpunim me autoritetet vendore, ka marrë në dorë situatën dhe po e ndjek atë çdo minutë, 24 orë në 24 orë.

Shkodra njohur vërtetë ngjarjen apo motin më të madh ndoshta të 100 viteve të fundit. Pa diskutim ajo njohu edhe kërcënimin më serioz në këtë mot. Por Shkodra njohu edhe solidaritetin më të madh në historinë e saj. Janë të shumta ndihmat nga vendet mike, Italia, Austria, Greqia, Franca, Kosova, Maqedonia dhe një sërë vendesh e organizmash të tjerë ndërkombëtare. Komisioni Evropian, organizmat e Organizatës së Kombeve të Bashkuara që merren me fatkeqësitë natyrore, që të gjitha janë në Shqipëri dhe kanë dhënë ndihma të mëdha dhe tepër të çmuara.

Helikopterë, gjeneratorë, varka, pompa janë në dispozicion. Dua t’ju them se, në rast se më parë citova kapacitetet njerëzore në dispozicion, të shumta janë edhe mjetet që janë angazhuar në këtë operacion. Ndihma të tjera po vijnë ndërkohë. Por solidariteti juaj sot shkëlqen dhe unë ju përgëzoj ju, ju përshëndes, sepse Shkodra ka nevojë për ndihmë, komunat e përmbytura janë nevojë për ndihma të mëdha. E vërteta është se janë shpëtuar jetët e njerëzve, por aty, në rrafshin ekologjik, është një katastrofë. Ndodhen nën ujë territore të tëra ndër më pjelloret e trojeve shqiptare. Kjo ka qenë dhe është një nga zonat më të fuqishme të prodhimit bujqësor të vendit. Ndaj ky solidaritet i juaji, i komunave të Kosovës e Maqedonisë, i qeverisë maqedonase, kanë qenë dhe janë një mbështetje e madhe në kapërcimin e këtyre pasojave. Dua të falënderoj qeverinë e Malit të Zi, e cila dërgoi përfaqësuesit e saj dhe u angazhua në një ndihmë shumë të çmuar që është në zhvillim e sipër. Qeveria nuk do ta lërë përpjekje pa bërë që këto pasoja të kapërcehen me shpejtësi.

Zonja e zotërinj!

Unë dua të garantoj qytetarët e Shkodrës e mbarë Shqipërisë se Korporata Energjetike e Shqipërisë, Ministria e Energjetikës, ka bërë një punë jashtëzakonisht eficente. Ato u përballën me situatën më të jashtëzakonshme me kompetencën më të madhe. Ata që mund të akuzojnë për digat po u them vetëm 2 fjalë; në qoftë i kthehemi fjalorit të vjetër, digat kësaj radhe kanë qenë “ora e Shkodrës”, sepse vërshimet e Drinit, në mijëra metër kub të sekondë, të Gjadrit, të Kirit e të ujërave të tjera, do të mund të kishim pasur pasojat më të pa parashikueshme në këtë mot të pa përsëritur në 100 vitet e fundit. Por digat dhe menaxhimi i tyre, bashkërendimi i këtij menaxhimi me situatën në terren - ky veprim i bërë çdo orë - , mbajtja si parim kryesor sigurinë kombëtare, sigurinë publike, ka qenë një nga pjesët më të rëndësishme të këtij operacioni.

E vërteta si drita e diellit është se Korporata Energjetike ka zbatuar me përpikëri rregulloren. Këta burra e gra kanë bërë natën ditë dhe kanë qëndruar në krye të detyrës me një kompetencë shumë të madhe, kanë punuar me gjakftohtësinë më të madhe dhe sot jemi, me gjithë situatën, shpresoj në dalje të emergjencës ujore. Jemi në dalje, por një dalje jo e thjeshtë.

Dua të ndalem në disa çështje. Së pari kemi një liqen 3 herë më të madh se liqeni i Vaut të Dejës, ndaj operacioni, do të mbetet tërësisht i përqendruar në shpëtimin e jetëve njerëzore dhe evakuimin e tyre, duke mbetur me përparësi madhore në furnizimin e të shpërngulurve dhe të atyre që nuk janë shpërngulur. Zoti Ministër i Brendshëm, duhet të angazhohen në këtë proces të gjitha organizmat joqeveritare dhe ato fetare, duhet t’u kërkojmë ndihmë edhe atyre për aspektin humanitar të popullatës. Ne ndihmat i kemi dhe nuk na mungon asgjë, por duhet ta çojmë atë në mënyrën më eficente tek ata që kanë nevojë. Kryqi i Kuq do të marrë një rol kryesor në shpërndarjen e këtyre ndihmave. Të bashkërendohet puna me Karitasin, me organizata të tjera bamirëse,, të bashkërendohet me ndërkombëtar OJQ e organizata të tjera vullnetare, në mënyrë që të garantohemi që atyre banorëve të mos u mungojë asgjë.

Është e vërtetë që Shkodra përjetoi një ngjarje që është më e rrallë se në 100 vjet, por është e vërtetë që Shkodra përjetoi edhe një solidaritet dhe një operacion ndihme dhe shpëtimi të pa parë ndonjëherë në këtë vend. Është e domosdoshme që përparësi të kemi evakuimin, identifikimin dhe ndihmën emergjente, por krahas kësaj, duhet të ekzistojnë planet B. C. D e me radhë, deri në normalizimin total të zonës së përmbytur.

Të nderuar kryetarë të komunave dhe bashkive të vendit,

Nevojat për zonat e përmbytura janë të shumanshme dhe ju keni në dorë të ndihmoni shumë, të ndihmoni me ndihma për njerëzit, me ndihma për gjënë e gjallë, të ndihmoni me specialistë, me të gjitha mundësitë, në mënyrë që këto zona ta kapërcejnë situatën me shpejtësinë më të madhe.

Ne jemi përgatitur për një dimër të gjatë, sepse të tilla janë të dhënat. Ndaj dhe po ndërmarrim masa edhe afatshkurta, por edhe afatmesme. Ne kemi filluar thellimin e Bunës, një projekt që do ta nisim për qëllime lundrimi dhe turistike, por që ky projekt shpresojmë në ndihmojë dhe në drenimin e këtij liqeni të madh, të krijuar në zonat e përmbytura. Është jetike që ndërmarrjet e kanalizimeve dhe ujësjellësve, ndërmarrjet e kullimit dhe vaditjes të ministrisë së Punëve Publike, të Ministrisë së Bujqësisë, të kenë të gatshme projektet për ndërhyrjet më energjike të rivendosjes së plotë të funksionimit të të gjithë sistemit të kanalizimeve, të të gjithë sistemit të kullimit në zonë. Është e domosdoshme që të studiohet me vëmendje, në mënyrë që të përcaktohen pikat e ndërhyrjes për një drenim sa më të shpejtë, krahas thellimit të Bunës.

Sipërmarrja energjetike, KESH-i, duhet të gjejë momentin më të përshtatshëm që derdhjet në Vaun e Dejës të jenë të barabarta me prurjet e Drinit dhe lumenjve të Alpeve. Ky është kushti. Ne nuk mund të rrezikojmë dhe do të jemi të detyruar të shkarkojmë të gjitha prurjet e tepërta, por nga ana tjetër ju garantoj se nuk do të shkarkohet asnjë edhe metër kub ujë që nuk përbën problem për sistemin e digave e kaskadës.

Dua t’ju them këtu se në kaskadën e Drinit, gjatë 4 viteve të shkuara janë bërë investime shumë të mëdha dhe janë këto investime, kjo ripërtëritje totale e teknologjisë së komandës e turbinave, që bënë që ato të funksionojnë në mënyrë të përsosur dhe pa asnjë defekt.

Qeveria garanton edhe njëherë qytetarët e Shkodrës se nuk ekziston as edhe një rrezik i vetëm në funksionimin e të gjitha portave apo tuneleve të kaskadës. Ata të cilët përhapën panik pa qëllim, duhet të jenë të qetë, të sigurt se nuk ekziston as edhe një portë, nuk ekziston as edhe një tunel që nuk hapet dhe që nuk funksionon. Nuk ekziston asnjë rrezik as edhe minimal për asnjërën nga digat e kaskadës. Ata që e bënë me qëllim këtë, ata janë më të rrezikshëm se vet paniku. Pati edhe nga ata që shëtisnin si hije nga një ekran në tjetrin si mitoman profesionistë, për të thënë se rregullorja nuk është zbatuar kur rregullorja është zbatuar, për të thënë se kam projektuar digën, apo portat, ndërkohë kur të gjitha janë projekte sovjetike për hir të së vërtetës, ata do të na falin, me gjithë respektin që kemi për ta, sepse ata kanë marrë pjesë në zbatimin e projektit dhe kanë punuar. Nuk duhet t’i mohojmë kujt meritat, por nuk bëhet kjo në kohë fatkeqësie. Ndaj u them atyre se gjithçka është e sigurt, nuk ka asnjë rrezik. Digat dhe menaxhimi kanë qenë një nga faktorët që kanë shmangur një eveniment që nuk është përsëritur në 100 vitet e fundit, sipas observatorëve më seriozë në botë të përmbytjeve. Unë do t’ju paraqes këtu hartën, ku tregohet se epiqendra ka qenë pikërisht Shkodra, Lezha, Alpet, por është shtrirë deri në Serbinë qendrore, ka përfshirë Malin e Zi dhe një pjesë të Bosnje- Hercegovinës.

Edhe njëherë, dua t’ju falënderoj ju, zotërinj kryetarë komunash e bashkish, të falënderoj të gjithë kryetarët e komunave të Kosovës, Maqedonisë, por edhe të Greqisë, të cilat kanë shprehur solidaritetin. Dua të falënderoj vendet mike, Italinë, Austrinë, Greqinë, Slloveninë, Moldovën, Francën, Kosovën, Maqedoninë, Malin e Zi e të gjithë ata të cilët këto ditë kanë ndihmuar, dua të falënderoj Aleancën ë Atlantikut të Veriut, Komisionin Europian i cili i ka pasur dje në Shkodër përfaqësuesit e saj, për të bërë vlerësimin. Ju ftoj që, sikundër deri tani, në mënyrën më të përkushtuar, më serioze, më të vendosur, të përballemi me këtë situatë për të shpëtuar çdo jetë njeriu, për të ndihmuar çdo njeri në nevojë dhe për të marrë të gjitha masat për kapërcimin sa më të shpejtë të pasojave serioze, materiale e ekologjike që janë të mëdha, pasi të mos harrojmë se janë infrastruktura të tëra nën ujë, dhe të normalizojmë jetën e këtyre qytetarëve që kaluan vërtetë një situatë të jashtëzakonshme. Faleminderit.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat