Terhiqet Buna, Berisha mbledh ministrat sot në Shkodër

Shqipëria

Terhiqet Buna, Berisha mbledh ministrat sot në Shkodër

Më: 13 janar 2010 Në ora: 11:48

SHKODER - Qarku i Shkodrës lë pas ditën e 12 të përmbytjeve. E ndërsa vihet re një përmirësim të situatës nëpër lagjet e qytetit, në zonat e Nënshkodrës situata mbetet kritike.

Gazetarët e NEWS24 informojnë sot në mëngjes se niveli i ujit në lagjet Xhabije, Tophanë, në hyrje të Shkodrës, Ajasëm, Kiras dhe bregu i liqenit është ulur në krahasim me një ditë më parë. Në këto lagje ka vende ku niveli arrin në 30 cm.

Situata u përmirësua falë ndërhyrjeve që janë bërë gjatë ditës së djeshme në shtratin e lumit Buna. Gjithashtu dhe moti pa reshje ka ndikuar pozitivisht që lumi Buna të mos vazhdojë të fryhet. Ndërkohë grupe specialistësh kanë punuar gjatë gjithë ditës së djeshme për të tërhequr ujin nëpër lagje nëpërmjet pompave.

Në zonën e Nënshkodrës situata vazhdon kritike. Niveli i ujit mbetet konstat dhe i lartë, ndërsa komuna Velipojë hyn tashmë në ditën e tretë të izolimit.

Me ndihmën e helikopterëve është bërë e mundur shpërndarja e ndihmave ushqimore, veshmbathje, dhe koncentrat për bagëtitë në këtë komunë. E vështirë situata dhe në komunën e Dajcit, Bushatit.

Kryeministri Berisha dhe të gjithë ministrat do të udhëtojnë sot drejt Shkodrës për të zhvilluar atje mbledhjen e qeverisë.

Sipas njoftimit te zyres se shtypit pranë Kryeministrisë, mbledhja e qeverisë do të zhvillohet në orën 13:00, në ambientet e bashkisë së Shkodrës dhe tema kryesore është menaxhimi i situatës së përmbytjeve në zonën veriperëndimore, që prej fillimit të këtij viti po vuan pasojat e përmbytjes nga reshjet e rrëmbyeshme të shiut që detyruan dhe hapjen e portave të hidrocentraleve.

Përgjatë gjithë këtyre ditëve të situatës së emergjencës në Shkodër, të gjithë ministrat e kabinetit qeveritar kanë qenë në terren duke ndjekur nga afër operacionit e evakuimit të banorëve, të dërgimit të tyre në qendrat e pritjes, të shpërndarjes së ndihmave etj. Vizita të njëpasnjëshme në zonat e përmbytura ka zhvilluar dhe Kryeministri Sali Berisha. Nga përllogaritjet e deritanishme në qarkun e Shkodrës rezulton të jenë përmbytur të paktën 10 mije e 400 ha tokë dhe 2485 shtëpi, ndërsa janë evakuar mbi 5 mijë qytetarë dhe mijëra krerë gjë e gjallë. Më të dëmtuara renditen të jenë komuna Dajc. Velipojë, Bregu i Bunës, Ana e Malit, Bushat, lagjet periferike të bashkisë së Shkodrës, etj. Mbi 800 anëtarë të Forcave të Armatosura të Shqipërisë, 110 të tjerë personel shëndetësor, 115 punonjës të Gardës së Republikës, qindra e qindra të tjerë përfaqësues të qeverisë qëndrore, drejtues të komunave, bashkive, etj janë angazhuar në operacionet e evakuimit të banorëve të përmbytur, kujdesin e tyre në qendrat e pritjes dhe shpërndarjen e ndihmave ushqimore. Apelit të qeverisë shqiptare për ndihma ushqimore dhe materiale për banorët e dëmtuar iu përgjigjën vendet anëtare të NATO-s (bw)

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat