Kryetarja e Kuvendit, Topalli i përcolli Ambasadores së Polonisë, ngushëllime

Shqipëria

Kryetarja e Kuvendit, Topalli i përcolli Ambasadores së Polonisë, ngushëllime

Më: 12 prill 2010 Në ora: 14:39

Sot, në mesditë Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli zhvilloi një vizitë në Ambasadën e Polonisë në Tiranë, ku në emrin e saj personal por edhe të Kuvendit të Shqipërisë shprehu ngushëllimet ndaj familjes së Presidentit Lech Kaczynsky, zonjës së parë Maria, familjeve të të gjithë deputetëve dhe delegacionit shtetëror që e shoqëronte, të cilët u ndanë nga jeta në aksidentin tragjik ajror të shtunën e datës 10 prill 2010.

Kryetarja Jozefina Topalli theksoi se me vdekjen e parakohëshme të Presidentit polak Kaczynsky, Europa dhe mbarë bota humbet një prej liderëve më të shquar të saj, i cili përgjatë gjithë karrierës së tij politike kontribuoi dhe luftoi në mbrotje të lirisë dhe vlerave të saj.

Në mënyrë të veçantë, Kryetarja e Kuvendit shprehu vlerësimin për figurën e presidentit polak Lech Kaczynsky duke lënë edhe një shënim në librin e ngushëllimeve, në të cilin ajo shkruan:

“Më lejoni të shpreh ngushëllimet e mia më të sinqerta dhe më të thella për humbjen e jetës së Presidentit Tuaj!

Solidariteti ynë i shkon të gjithë familjarëve të delegacionit që humbi jetën.

Ne të gjithë jemi të shokuar nga kjo tragjedi e tmershme.

Presidenti Kaczynsky ishte një zë i fuqishëm i lirisë. Ai ishte një shtetar që donte fort kombasit e tij.

Lutjet tona shkojnë për shpirtrat e tyre!

Në emër të deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë, dhe timin personal shpreh dhimbjen e thellë”.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat