Po mbahet Konferenca 'Shqipëria drejt Bashkimit Evropian, një rrugë mbi meritën'

Shqipëria

Po mbahet Konferenca 'Shqipëria drejt Bashkimit Evropian, një rrugë mbi meritën'

Më: 14 prill 2010 Në ora: 16:09

Në nisje të vizitës së tij në Bruksel, Kryeministri Berisha ishte relator në konferencën e organizuar në Parlamentin Europian, posaçërisht për nder të tij, nga Fondacioni Robert Schuman dhe Presidenti i këtij fondacioni, Jean-Domenique Giuliani. Në konferencën me temë “Shqipëria drejt Bashkimit Europian, një rrugë mbi meritën” merrte pjesë edhe zoti Joseph Daul, President i grupit parlamentar të Partisë Popullore Europiane dhe zoti Eduart Kukan, kryetar i Delegacionit për Europën Juglindore në Parlamentin Europian.

Në nisje të Konferencës, Presidenti i Fondacionit, zoti Giuliani falënderoi Kryeministrin Berisha që pranoi të merrte pjesë në këtë panel të rëndësishëm, për t’u bërë me dije eurodeputetëve të pranishëm në konferencë vizionin tij dhe të qeverisë shqiptare për integrimin e Shqipëri në Bashkimin Europian dhe për hapat e ndërmarrë nga qeveria shqiptare në këtë drejtim.

Në konferencë foli edhe kryetari i Delegacionit për Europën Juglindore në PE, zoti Eduart Kukan, i cili në hapje të fjalës së tij shprehu mbështetjen e fuqishme ndaj ambicieve europiane të Shqipërisë.

“Integrimi i Shqipërisë në BE është i rëndësishëm për Shqipërinë, siç është i rëndësishëm edhe për BE-në. Delegacioni, të cilin unë kryesoj, do të qëndrojë përherë më mënyrë realiste dhe do të ndihmojë gjithmonë me shumë realizëm miqtë tanë shqiptarë, në rrugën e tyre drejt BE-së. Ne kemi pasur vetë mundësinë, në vizitën tonë në Shqipëri, për të parë nga afër progresin e jashtëzakonshëm që vendi ka bërë në këto vite. Pra, zoti Kryeministër, devotshmëria dhe puna juaj e palodhur ka funksionuar dhe ne të gjithë e çmojmë këtë dhe e shohim nga afër progresin e Shqipërisë. Ju e dini më mirë se unë, se ka ende shumë gjëra të tjera për të përmbushur, por unë mendoj se jeni në drejtimin e duhur dhe ju jeni duke ndërmarrë politikat e duhura”, u shpreh zoti Kukan.

Përsa i përket procesit për liberalizimin e vizave, zoti Kukan theksoi se Shqipëria ka përmbushur kriteret teknike dhe është gati për liberalizimin e vizave.

Ne, - u shpreh zoti Kukan - e pamë vetë se të gjitha kriteret teknike janë përmbushur dhe se Shqipëria është gati për liberalizimin e vizave. Ne urojmë që Komisioni Europian të shprehet sa më shpejt, në mënyrë që Parlamenti Europian ta përmbyllë këtë proces, sepse është një çështje shumë e rëndësishme dhe një hap tjetër shumë i rëndësishëm në rrugën drejt BE-së. Ju, edhe një herë, keni mbështetjen tonë të plotë.

Zoti Kukan u ndal edhe në situatën politike në Shqipëri, për të cilën u shpreh se rruga europiane për të zgjidhur konfliktet dhe çështjet politike është vetëm përmes institucioneve demokratike.

Rruga europiane për të zgjidhur konfliktet politike dhe çështjet politike, - u shpreh zoti Kukan - është vetëm përmes institucioneve demokratike dhe proceseve demokratike dhe vendimet e ndërmarra nga këto institucione demokratike duhet të respektohen nga të gjithë politikanët. Bojkoti i parlamentit nuk është mënyra europiane e zgjidhjes së çështjeve politike. Mendoj se mesazhi që unë dhashë është mjaftueshëm i qartë. Do të jetë vërtet me interes për Shqipërinë që e gjithë politika të kryhet me përgjegjësi.

Duke marrë fjalën, Kryeministri Berisha falënderoi Fondacionin Schuman dhe Presidentin e tij për organizimin e kësaj konference, të cilët, prej shumë e shumë vitesh, janë miq të Shqipërisë.

20 vjet më parë, - tha Kryeministri - shqiptarët, të cilët po dilnin nga dimri i diktaturës më të egër që Evropa ka njohur ndonjëherë, mbushën sheshet dhe rrugët e kryeqytetit e të mbarë vendit me thirrjen: “ E duam Shqipërinë si Europa!” Sot, kjo ëndërr mbështetet nga mbi 95% e shqiptarëve, të cilët panë hapin e parë të madh drejt realizimit të saj në vitin 2006, kur Shqipëria nënshkroi Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit me Bashkimin Europian.

Kryeministri Berisha tha më tej se qeveria që ai drejton e ka konsideruar dhe e konsideron procesin e integrimit të Shqipërisë në BE si një proces që bazohet kryekëput në performancën, në meritën. Njëlloj si procesin e anëtarësimit në NATO, - vijoi Kryeministri - unë kam bindjen më të thellë se edhe procesi i anëtarësimit në BE, duhet bazuar tërësisht në meritën, performancën, imlementimin e një universi të tërë të reformave të thella politike, ekonomike, sociale, arsimore, kulturore, të gjithanshme.

Kryeministri u ndal gjerësisht në fjalën e tij në rezultatet e arritura në disa nga fushat parësore, gjatë kësaj periudhe. Fillimisht, Kryeministri Berisha bëri një vlerësim të zgjedhjeve të fundit parlamentare në vend.

Zgjedhjet - tha Kryeministri - kanë qenë një problem themelor për vendin tim. Më 28 qershor 2009, Shqipëria pati zgjedhjet e përgjithshme parlamentare, të cilat u zhvilluan pas vendosjes së sistemit dixhital të Regjistrit të Gjendjes Civile, duke dixhitalizuar 14 mijë regjistra të kësaj zyre, prodhimit të listave elektronike të votuesve dhe të Kartave të Identitetit elektronike të të gjithë votuesve. Bashkë me opozitën kemi votuar të gjitha propozimet e saj për sistemin zgjedhor, Kodin Elektoral, KQZ-në. Zgjedhjet e 28 Qershorit 2009, u vëzhguan nga mbi 5 mijë vëzhgues vendorë dhe nga 510 vëzhgues te OSBE/ODIHR dhe institucioneve të tjera ndërkombëtare. OSBE/ODIHR doli në përfundimin se këto zgjedhje kanë përmbushur standardet kryesore të zgjedhjeve dhe konkluduan se nuk pati asnjë provë për manipulim rezultati apo numërim të parregullt.

Zgjedhjet e 28 qershorit, - tha më tej Kryeministri - janë zgjedhjet e para ne historinë e vendit, ku të gjitha proces-verbalet, tabelat e rezultateve dhe çdo dokument tjetër të të gjitha qendrave të votimit (gjithsej 4573), përveçse në katër prej tyre, u firmosën nga të gjithë komisionerët e pranishëm në votim. Rezultati i tyre u certifikua 7 me 0 nga te gjithë anëtarët KQZ-se, te zgjedhur nga pozita dhe opozita, në mënyrë konsesuale. Kjo, sepse ato ishin unike ne transparencën e tyre, ku çdo komisioner dhe çdo vëzhgues, në procesin e numërimit, kishte të drejtën e vetos në kundërshtinë e tij. Dhe gjatë numërimit, çdo vote u filmua, u fotografua dhe transmetua live në ekrane të gjerë në qendrën e numërimit dhe në kohe reale në KQZ. Por, pavarësisht kësaj, kryetari i opozitës ka vendosur të bojkotojë parlamentin. Ai thënë se ka dokumente për t’ia paraqitur ndërkombëtarëve, por OSBE/ODIHR ka thënë se nuk ka asnjë provë për manipulim. Më vonë, ai ka thënë se e njeh rezultatin, por kërkon rinumërimin e votave. Kjo kundërshtohet nga gjykatat. Gjykata e Apelit e ka kundërshtuar gjithashtu dhe ka thënë se nuk mund të ketë rinumërim të votave, kur nuk ka pasur kontestime gjatë procesit të numërimit. Unë jam plotësisht i angazhuar të trajtoj të gjithë problematikën e zgjedhjeve, përveç vendimeve të gjykatave. Ajo çfarë ne u sugjerojmë është që nëse ju keni prova dërgojini në prokurori. Ne nuk mund të bëjmë rolin e prokurorit. Opozita hyri në parlament, por tani hyn e del. Por mazhoranca është plotësisht e angazhuar të bashkëpunojë me opozitën dhe ju siguroj se do të bëjmë gjithçka për të bashkëpunuar me të.

Lidhur me procesin e liberalizimit të vizave, Kryeministri Berisha tha se liberalizimi i vizave është një moment shumë i rëndësishëm për Shqipërinë dhe shqiptarët. Kryeministri falënderoi përfaqësuesit e Parlamentit Europian, Komisionit Europian, të gjithë ata që na kanë inkurajuar në këtë proces. Procesi i vizave, - tha Kryeministri - është përdorur nga qeveria që unë drejtoj për të transformuar vendin tim. Jam i nderuar të jem në krah të zotit Kukan, i cili ka vizituar Shqipërinë tre javë më parë dhe ka parë në vend të gjitha arritjet nga kontrolli i kufijve, qendrën e prodhimit të dokumenteve të identifikimit, të cilat po prodhohen sipas parametrave të vendeve europiane.

Në fjalën e tij, Kryeministri Berisha u përqendrua edhe në masat e ndërmarra dhe rezultatet në luftën kundër krimit të organizuar, në luftën kundër korrupsionit, në reformat e thella ekonomike dhe fiskale për funksionimin e ekonomisë së tregut. Viti i kaluar, theksoi Kryeministri, shënoi krizën më të rëndë ekonomike, financiare botërore, që pas Depresionit të Madh. Natyrshëm, Shqipëria i ndjeu pasojat e kësaj krize, por sidoqoftë, në dallim nga trendi europian dhe i shumicës së vendeve të rëndësishme për ekonominë globale, Shqipëria pati një performancë pozitive ekonomike.

Në mbyllje të fjalës, Kryeministri Berisha u ndal në rëndësinë dhe solemnitetin e ditës së sotme për Shqipërinë. Dorëzimi i përgjigjeve të Pyetësorit, vlerësoi Kryeministri, është një hap i rëndësishëm përpara në rrugëtimin e Shqipërisë e kombit tim për rikthim në familjen e tij europiane. Ne ndihemi sot krenarë për atë çfarë kemi arritur, por njëkohësisht më të vendosur se kurrë ndërmarrin çdo reformë dhe paguajmë çdo çmim për ta bërë këtë projekt-ëndërr së shpejti realitet. Rruga gjer këtu nuk ka qenë një bulevard dhe e tillë nuk do të jetë tani e tutje. Rrugëtimi ka qenë i mundshëm, me dhimbje dhe sakrifica, por ndër më të suksesshmit në memorien e historisë.

Fondacioni Robert Schuman, i themeluar në vitin 1991, pas rënies së Murit të Berlinit, zhvillon studime dhe hedh ide mbi Bashkimin Evropian dhe politikat e tij, duke i promovuar ato në të gjithë Evropën dhe gjetkë. Përmes konferencave dhe debateve të hapura mbi Bashkimin Europian, ky fondacion kërkon të nxisë dhe inkurajojë politikat e Bashkimit Europian dhe dialogun mes vendeve të BE-së dhe atyre aspirantë, si dhe konsiderohet një qendër kërkimore mjaft prestigjioze dhe e vlerësuar nga institucionet e Bashkimit Europian.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat