Meta: Pa viza në Shengen brenda vitit bojkoti i opozitës pengon integrimin

Shqipëria

Meta: Pa viza në Shengen brenda vitit bojkoti i opozitës pengon integrimin

Më: 18 prill 2010 Në ora: 02:15

Ministri i Jashtëm, Ilir Meta rishprehu dje garancinë se qytetarët shqiptarë do të lëvizin pa viza në vendet e Bashkimit Europian brenda këtij viti. Ministri Meta në cilësinë e kreut të LSI-së, zhvilloi dje një takim me qytetarët e Beratit. Ai u ndal kryesisht në procesin e integrimit të vendit dhe theksoi se janë bërë hapa të jashtëzakonshëm në këtë drejtim. Zv.kryeministri e cilësoi dorëzimin e Pyetësorit të KE-së si një hap shumë cilësor dhe u shpreh se qeveria shqiptare u angazhua fuqishëm për realizimin e këtij objektivi historik. Meta ritheksoi gjithashtu edhe punën e madhe që është bërë në kuadër të liberalizimit të vizave. Ai garantoi banorët e Beratit dhe të gjithë qytetarët shqiptarë se heqja e vizave do të ndodhë brenda këtij viti. Kryetari i LSI-së theksoi se partia e tij dhe qeveria do të mbajnë në këtë mënyrë premtimin e bërë para qytetarëve shqiptarë në zgjedhjet e 28 qershorit. Kryediplomati shqiptar vuri në dukje edhe vlerësimin që i është bërë progresit të gjithanshëm të Shqipërisë nga faktori ndërkombëtar. Sipas tij, Shqipëria ka marrë vlerësimet maksimale nga ana e ndërkombëtarëve, duke filluar nga plotësimi i të gjitha kërkesave të Udhërrëfyesit të Bashkimit Europian për liberalizimin e vizave si dokumentet e sigurisë me standardet më të larta të BE-së dhe kontrolli dhe menaxhimi i kufijve. Gjithashtu, vijoi Meta, progrese të dukshme janë bërë edhe në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Ai theksoi se e gjithë kjo punë voluminoze dhe konkrete në të gjitha aspektet, tregon qartë vullnetin e qeverisë shqiptare për realizimin e proceseve integruese të vendit. Meta u shpreh se nëpërmjet vullnetit dhe punës së qeverisë si dhe të partisë që ai drejton, së shpejti do të realizohet premtimi madhor për liberalizimin e vizave që i shërben çdo qytetari shqiptar. Ai vlerësoi se ky proces ka jo vetëm një aspekt konkret për lëvizjen e lirë dhe ekonominë, por është dhe një çështje dinjiteti për qytetarët shqiptarë. Duke vlerësuar rëndësinë jetike të këtij procesi, Meta ftoi opozitën që të mos bëhet pengesë e këtij procesi, por të ofrojë kontributin e saj për realizimin e tij, që është në hapat e fundit. Ai theksoi se qeveria po punon për të gjithë shqiptarët dhe i bëri thirrje lidershipit të PS-së të mos i kundërvihet këtij procesi. Meta u shpreh gjithashtu se opozita dhe lideri i saj duhet të heqin dorë nga përpjekjet për të dëmtuar imazhin e vendit dhe të punojnë në interes të qytetarëve. Sipas Metës, pretendimet e ngritura nga opozita në lidhje me zgjedhjet e 28 qershorit, duhen trajtuar në mënyrë kushtetuese. Ai theksoi se mazhoranca nga ana e saj është treguar tolerante dhe i ka dhënë mundësi opozitës për kërkesat e saj, por sipas tij, edhe opozita duhet të njohë institucionet e vendit dhe vendimet e gjykatave. Meta rikujtoi edhe njëherë se për kutitë është marrë vendimi i gjykatës së zgjedhjeve dhe ky vendim duhet respektuar. Sipas tij, opozita mund t'i drejtohet në këtë rast Gjykatës Kushtetuese ose Komisionit të Venecias, i cili është një institucion prestigjioz që ka ndihmuar me ekspertizë në hartimin e Kushtetutës shqiptare. Por sipas kreut të LSI-së, opozita nuk ka si qëllim transparencën e zgjedhjeve, por krijimin e një krize artificiale që synon marrjen e pushtetit në një mënyrë jo demokratike. Në lidhje me akuzat e PS-së për situatën ekonomike, Meta theksoi se duke parë situatën e vështirë ekonomike në të cilët ndodhet bota, Shqipëria i ka rezistuar krizës globale dhe arritjet e vendit në këtë drejtim janë shumë pozitive. (E. N.)

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat