Shqipëria digjitale, Do hapen 4 fakultete për Teknologjinë Informatike

Shqipëria

Shqipëria digjitale, Do hapen 4 fakultete për Teknologjinë Informatike

Më: 12 maj 2010 Në ora: 13:43

“Për një Shqipëri digjitale” nën këtë moto, kryeministri Sali Berisha informon për vendimin e marr nga këshilli i Ministrave për hapjen e katër fakulteteve për përgatitjen e specialistëve në fushën e Teknologjisë Informatike.

“Është një vendim shumë i rëndësishëm” tha në mbledhjen e sotme Berisha dhe “një ndihmë konkrete për të ecur me shpejtësi drejt një Shqipërie digjitale dhe si një domosdoshmëri për t’ju përgjigjur urisë së madhe që ka tregu në këtë fushë.”

Vendimi i qeverisë për të përgjysmuar TVSH-në në arsim, sipas Kreut të Qeverisë, "është një vendim i rëndësishëm dhe qeveria nuk do të reshtë së krijuari të gjitha lehtësirat e tjera ekonomike për të nxitur me çdo çmim zhvillimin e shpejtë të këtij sektori".

Zoti Berisha kërkoi që "përpjekja për shumëfishimin e numrit të studentëve në universitetet e vendit në këtë fushë të shoqërohet me një përpjekje të madhe për ruajtjen e cilësisë së përgatitjes".

Kreu i qeverisë urdhëroi ministrinë e Arsimit dhe rektorët që të ulen dhe të nisë menjëherë puna për kurrikulën më të mirë të mundshme në këtë fushë dhe vendosjen në dispozicion të këtyre fakulteteve të reja të gjitha fondet për laboratorët dhe kabinetet që atyre u nevojiten për të zhvilluar veprimtarinë e tyre normale, paralelisht dhe nxitjen e kërkimeve shkencore.

"Fakultetet duhet të orientohen për prodhimin e softeve dhe programeve kompjuterike. Ne duhet të krijojmë 'qytetin e ICT-së' në një nga zonat përreth kryeqytetit. Ndaj duhet të diskutohet me kryetarët e komunave që të krijojmë me përparësi të gjitha lehtësirat për qytezën e ICT-së", tha ai.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat