Ndërtohen hidrocentrale në kufirin Shqipëri-Kosovë

Shqipëria

Ndërtohen hidrocentrale në kufirin Shqipëri-Kosovë

Më: 7 korrik 2010 Në ora: 11:17

Shqipëria do të ndërtojë hidrocentrale në kufi me Kosovën, në komunat Zapod dhe Topojan të Kukësit. Këshilli kombëtar për rregullimin e territorit ka miratuar më 6 korrik një projekt që shtrihet në një zonë me sipërfaqe 580 km katrorë, nga e cila 50% gjëndet në territorin e Shqipërisë dhe 50% në Kosovë. Projekti me një vlerë prej 30 milion euro parashikon që secili Hidrocentral të ketë fuqi prej 25 megavat duke arritur prodhimin e 120 milionë kilovat/orë energji në vit. Nisur nga fakti se pala kosovare parashikon ndërtimin e Hidrocentralit të Zhurit, Kryeministri Berisha ka thënë se "do të krijohet një komision ndërkufitar me palën kosovare, i cili do të shqyrtojë çështjen e ujërave ndërkufitare dhe shfrytëzimin e tyre". Berisha ka nënvizuar se do të respektohen rregullat ndërkombëtare dhe se kjo çështje do të zgjidhet në bazë të interesit kombëtar. Megjithë vullnetin e fortë politik për bashkepunim të ngushtë ekonomik, Shqipëria dhe Kosova ende nuk kanë arritur të zbatojnë projekte të përbashkëta të rëndësishme. Ndërtimi i rrugës së re që lidh të dy vendet (aksi Durrës Morinë) besohet si një mundësi konkrete serioze për t'i hapur rrugën projekteve me interes reciprok.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat