Basha: RENEA, shkollë e përgatitjes elitare të oficerëve të Policisë së Shtetit

Shqipëria

Basha: RENEA, shkollë e përgatitjes elitare të oficerëve të Policisë së Shtetit

Më: 9 korrik 2010 Në ora: 15:55

RENEA është çertifikuar tashmë si një shkollë e përgatitjes elitare të oficerëve të Policisë së Shtetit anembanë vendit.

Deklarata u bë nga Ministri i Brendshëm, Lulzim Basha në një komunikim me median në repartin RENEA, ku sapo kishte pëfunduar një trajnim dyjavor i 35 efektivave të strukturës së operacioneve speciale të Drejtorisë së Policisë së Qarkut Tiranë.

Efektivat e sapotrajnuar nga RENEA demonstruan aftësitë e fituara gjatë trajnimit në qitje, operacione për arrestim personash dhe operacione në raste pengmarrjesh.

Duke vlerësuar se RENEA është reparti elitë i policisë shqiptare dhe një nga repartet më elitare të Ballkanit, Ministri Basha theksoi se transferimi i përvojës, dijeve dhe përgatitjes operacionale taktike nuk do të ndalet vetëm me strukturën e operacioneve speciale për Qarkun e Tiranës, por do të shtrihet në struktura të tjera në të gjithë vendin.

"35 oficerët e kësaj njësie speciale janë dallëndyshja e parë e shumëfishimit nëpërmjet trajnimit dhe ritrajnimit të përvojës elitare të repartit RENEA. Njësi të ngjashme do të ngrihen anembanë vendit. Ky demonstrim që patë sot padyshim do të shërbejë për t'i ardhur në ndihmë strukturave të tjera të policisë në situata të vështira dhe për të shumëfishuar suksesin e RENEA-s në gjithë territorin e vendit", u shpreh Basha.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat