PD cakton Astrit Patozin ndërmjetës për transparencën e zgjedhjeve

Shqipëria

PD cakton Astrit Patozin ndërmjetës për transparencën e zgjedhjeve

Më: 12 korrik 2010 Në ora: 18:31

Kryeministri Sali Berisha bëri sot të ditur se Partia Demokratike ka ngarkuar drejtuesin e grupit të saj parlamentar Astrit Patozi, që të ndërmjetësojë me Partinë Socialiste për hetimin e zgjedhjeve të vitit të kaluar. Berisha tha se shumica edhe më parë kishte shprehur gadishmërinë për transparencën e zgjedhjeve bazuar mbi rezolutën e Parlamentit Evropian.

Kryeministri Berisha tha se mirëpret çdo propozim nga opozita socialiste, qoftë duke marrë pjesë në komisionin hetimor të krijuar tashmë, qoftë duke ngritur një komision të ri, për të cilin ai vetë ua kishte ofruar shumicën dhe kryesimin deputetëve të opozitës.

Po sot Partia Socialiste e opozitës i bëri thirrje maxhorancës dhe kryeministrit Berisha që të fillojë punën për të zbatuar rezolutën e Parlamentit Evropian. Deputeti i Partisë Socialiste, Blendi Klosi, kërkoi në emër të opozitës ngritjen e një komisioni të ri hetimor, ku opozita të marrë shumicën dhe kryesimin e tij, si edhe një hapësirë të pakufizuar për të hetuar zgjedhjet.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat