Fajon: Të rrëzohet ''muri i vizave'' për shqiptarët

Shqipëria

Fajon: Të rrëzohet ''muri i vizave'' për shqiptarët

Më: 14 korrik 2010 Në ora: 11:15

"Të rrëzohet muri i vizave për qytetarët shqiptarë dhe boshnjakë". Ky është apeli i eurodeputetes sllovene Tania Fajon, e cila përmes një draft-rezolute i kërkoi Komisionit Evropian procedimin e shpejtë për heqjen e vizave midis Shqipërisë dhe vendeve të Bashkimit Evropian. Draft rezoluta e eurodeputetes Fajon u diskutua dje pasdite në Komitetin për Çështjet e Lirisë, Reformave, Drejtësisë dhe Sigurisë. Në fillim të diskutimeve Fajon theksoi se besueshmëria e BE-së do të vihej në pikëpyetje nëse procesi i liberalizmit nuk do të mbyllej këtë vit për Shqipërinë dhe Bosnjën. Ndërkohë përfaqësuesja e presidencës belge ka deklaruar se pasi komisioni të vlerësojë nëse janë përmbushur kriteret edhe këshilli do të marrë një vendim për këtë çështje. Konkretisht, në këtë draft-rezolutë eurodeputetja Fajon i propozon Komisionit Evropian për të transferuar dy vendet e rajonit nga Aneksi I, që liston ato vende ku shtetasit detyrohen të kenë një vizë për të kaluar kufirin e vendeve anëtare, në Aneksin II, që përmban listën e vendeve të treta që përjashtohen nga ky detyrim. "Bashkimi Evropian ka përgjegjësinë politike për të përfunduar këtë proces. Është paradoksale që pas më shumë se 20 vite nga rënia e Murit të Berlinit, ne ende kemi 'murin e vizave' ndaj fqinjëve tanë të drejtpërdrejt", thuhet në draft. Ndër të tjera, në projekt-rezolutën e përpiluar mbi propozimin legjislativ të Komisionit për liberalizimin e vizave, Fajon i kërkon ligjvënësve europianë të ndërmarrin gjithë hapat e nevojshëm për miratimin e shpejtë të propozimit të Komisionit. "Një garanci që Bashkimi Evropian do të lëshojë regjimin e lirë të vizave ndaj të dy vendeve, në fillim të vjeshtës 2010, do të ulte risqet për një paqëndrueshmëri më të madhe etnike e politike si p.sh. në Bosnje, kjo forcon bashkëpunimin ekonomik e politik në rajon dhe rrit mbështetjen popullore për BE-në dhe perspektivën e integrimit evropian, zgjeron horizontin e njerëzve dhe frenon forcat ekstremiste dhe anti-evropiane", thekson Fajon në projekt-draftin e saj. Përsa i përket impaktit që do të sjelli liberalizimi i shpejtë i vizave për dy vendet, Fajon bën thirrje për trajtimin e procesit liberalizues si "çështje urgjente", në bazë të angazhimit të përbashkët të shprehur nga Këshilli dhe Parlamenti vitin e kaluar. "Liberalizimi i vizave ka një impakt të rëndësishëm psikologjik në mendjen e njerëzve. Dhe këtu nuk flasim për politikanët, biznesmenët apo njerëz me para. Ata kanë mënyrat e tyre për të udhëtuar jashtë vendit. Ne jemi të shqetësuar për studentët dhe ata njerëz që duhet të mbajnë radhën, në rreshta të gjatë, përpara konsullatave", shkruhet në draft-rezolutën e raportueses Fajon. Një vend të posaçëm, në propozimin mbi heqjen e vizave ndaj Shqipërisë dhe Bosnjës, zë dhe Kosova. Në të kërkohet që Parlamenti t'i bëjë presion Komisionit dhe Këshillit për të gjetur mënyrën për liberalizimin e vizave ndaj qytetarëve të saj, duke respektuar statusin e Kosovës dhe diferencat mes vendeve anëtare mbi deklaratën e pavarësisë. "Kosova mbetet një shqetësim serioz. Është e vetmja pjesë e Ballkanit Perëndimor, e cila lihet tërësisht jashtë procesit të liberalizimit të vizave, e nuk është parashikuar as edhe një perspektivë bisedimesh. Kjo shkaktohet natyrisht nga ndarësitë mes vendeve anëtare për njohjen e pavarësisë. Kompleksiteti politik i këtij problemi është i kuptueshëm, por qytetarët e Kosovës nuk mund të lihen në një vrimë të zezë të krijuar nga këto mosmarrëveshje", theksohet aty.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat