Qeveria shpall 18 korrikun, ditë zie kombëtare

Shqipëria

Qeveria shpall 18 korrikun, ditë zie kombëtare

Më: 17 korrik 2010 Në ora: 22:18

Qeveria shqiptare e ka shpallur datën 18 korrik 2010, ditë zie kombëtare, në nderim të viktimave të aksidentit tragjik, që ndodhi dje pasdite në Fushë-Arrëz, në veriperëndim të vendit. Duke bërë të ditur këtë vendim të qeverisë, zëdhënësja e Kryeministrit, Erla Mëhilli tha dje në mbrëmje se "Qeveria ka marrë përsipër të gjitha shpenzimet për familjet që kanë humbur të afërmit të tyre në aksidentin tragjik të ndodhur në Fushë-Arrëz". Rreth orës 17.00 të ditës së djeshme, në fshatin Dom të komunës Gjegjan, një autobus me pasagjerë i linjës Fushë-Arrëz - Durrës me targë PU 13-30 A doli nga rruga dhe u rrëzua nga një lartësi prej 400-500 metra në një humnerë, në lumin Fan. Nga ky aksident tragjik, 14 vetë kanë humbur jetën, ndërsa 16 të plagosur, të transportuar me helikopterë nga vendngjarja në Spitalin Ushtarak të Tiranës, po marrin ndihmën e nevojshme në shpëtim të jetës.

Berisha: Ndajmë në këto momente zinë e rëndë që ka pllakosur familjet e viktimave

Kryeministri Berisha shkoi dje në mbrëmje në Spitalin Ushtarak në Tiranë, ku është interesuar nga afër për gjendjen shëndetësore të të plagosurve në aksidentin tragjik të ndodhur dje pasdite në Fushë-Arrëz. Kryeministri Berisha deklaroi se, "ky aksident rrugor tragjik, që ka ndodhur në Gjegjan të Fushë-Arrëzit, ka sjellë një zi të rëndë në Pukë e mbarë Shqipërinë. Janë 12 jetë të këputura, fëmijë, burra, gra, që udhëtonin me autobusin e linjës. Janë rreth 16 të tjerë të plagosur me trauma të shkallëve të ndryshme. Por, ndër ta ka që po luftojnë në shtratin e reanimacionit me vdekjen, pasi janë në gjendje të rëndë. Janë marrë të gjitha masat që t'u jepet ndihma më e mirë e mundshme të plagosurve. Me këtë rast, dua t'u shpreh familjeve të viktimave, popullit të Fushë-Arrëzit, të Pukës, ngushëllimet më të sinqerta të qeverisë shqiptare. I siguroj se mbarë shqiptarët ndajnë sot zinë e rëndë që ka pllakosur familjet e tyre. Le të lutemi së bashku për shëndetin e të plagosurve, që ta kalojnë këtë gjendje e të shërohen nga traumat që kanë pësuar".

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat