Në aksidentin tragjik humbën jetën 14 persona, Shqipëria sot në ditë zie

Shqipëria

Në aksidentin tragjik humbën jetën 14 persona, Shqipëria sot në ditë zie

Më: 18 korrik 2010 Në ora: 10:20

Ekspertët e policisë rrugore, të cilët po shikojnë vendin e ngjarjes ku ndodhi aksidenti tragjik pranë fshatit Domen në Zonën e Fushë-Arrëzit, thonë se kanë parë shenja të forta frenimi të autobusit.

Paraprakisht zyrtarët thonë jozyrtarisht se ose autobusi i pasagjerëve ka pësuar ndonjë defekt, ose shoferin e mjetit e ka zënë gjumi, duke humbur kontrollin.

Për këtë të fundit zyrtarët, por edhe njerëz të njohur të tij, thonë se ishte shofer i përgjegjshëm dhe me eksperiencë. Drejtuesi i automjetit Gjini ndërroi jetë rrugës për në Spitalin Ushtarak në Tiranë.

Aktualisht në morgun e këtij spitali janë 3 viktima, ndërsa trupat e 11 të tjerëve ndodhen në spitalin e Gjegjanit.

Mjekët e Spitalit Ushtarak vijojnë të kenë nën kontroll 10 të plagosur, dy prej të cilëve në gjendje të rëndë.

Një autobus udhëtarësh doli të shtunën nga rruga dhe përfundoi në humnerë, pranë fshatit Domen në zonën e Fushë-Arrëzit. Numri i viktimave ka arritur në 14 persona, ndërsa 12 të tjerë janë plagosur. Në vendin e aksidentit është krijuar një shtab emergjence.

Dita e sotme në Shqipëri është shpallur ditë zie.

LAJMI I DITËS SË DJESHME, SI NDODHI AKSIDENTI

Sipas burimeve, janë identifikuar edhe shumica e viktimave që janë: Mimoza Hasani, Arsen Marku, Alma Marku, Albiona Marku, Marie Prenga, Pavlin Gjoni, Fran Paloka, Gjovalin Pera dhe Zef Gjergji, që ka qenë dhe shoferi i autobusit.

Ndërkohë, drejtori i përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Hyseni Burgaj ka deklaruar se Gjergji ka qenë një shofer me përvojë.

Pjesa më e madhe e viktimave, mes të cilave ka shumë fëmijë, ndodhen në qendrën shëndetësore të Gjegjanit dhe banonin në Pukë.

Lajmin e bëjnë të ditur burime policore zyrtare, sipas të cilave disa prej viktimave humbën jetën gjatë transportit për në Spitalin Ushtarak në Tiranë.

* * * * * *

Burime policore bëjnë të ditur se ka arritur tashmë në 14 numri i të vdekurve në aksidentin e sotëm tragjik të ndodhur në aksin rrugor Rrëshen-Fushë Arrëz.

* * * * * *

Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit konfirmon vdekjen e 12 personave dhe plagosjen e dhjetëra shtetasve të tjerë.

* * * * * *

Një ngjarje e rëndë tragjike ka ndodhur sot në Shqipëri, ku rreth orës 17:00 në aksin rrugor Rrëshen-Fushë Arrëz, autobusi me targa PU 1330 ka dalë nga rruga dhe ka rënë rreth 500 metra në një greminë.

Sipas informacioneve të para, dyshohet për së paku 7 persona të vdekur mes të cilëve edhe fëmijë, dhe mbi dhjetëra të plagosur. Mirëpo, nuk dihet ende numri i saktë i pasagjerëve që ndodheshin në automjetin e aksidentuar.

Autobusi ishte nisur nga Tirana drejt Fushë Arrëzit dhe ka rënë në lumin Fan i Madh në fshatin Dom të komunës së Gjegjanit.

Të gjitha autoambulancat e Rrëshenit janë angazhuar për të transportuar të plagosurit në spital, ndërsa Ministria e Shëndetësisë ka vënë në dispozicion mjete për transportimin drejt Tiranës të atyre që paraqiten në gjendje të rëndë. Ndërkohë janë angazhuar edhe automjete civile për transportimin e të plagosurve drejt spitalit të Rrëshenit dhe Pukës.

Dëshmitarë nga vendngjarja bëjnë të ditur se banorët e fshatit dhe autoritetet janë vënë në lëvizje për të nxjerrë të plagosurit nga gremina ndërsa sipas dëshmive, numri i viktimave pritet të rritet. Pasagjerët kanë dalë nga dritaret gjatë momentit të rënies, ndërsa numri i personave që udhëtonin në autobus nuk është bërë i ditur ende.

Policia ka mbërritur menjëherë në vendngjarje dhe ka nisur hetimet për shkaqet e këtij aksidenti të rëndë. Ndërkohë me urdhër të ministrit të Brendshëm, Lulëzim Basha është ngritur një shtab emergjence. Kreu i policisë së shtetit, Hysni Burgaj, zv.ministri i Brendshëm, Avenir Peka dhe forca të shumta të RENEA-s kanë udhëtuar drejt komunës Gjegjan.

Ministri i Shëndetësisë së Shqipërisë, Petrit Vasili ka konfirmuar 7 viktima ndërsa dëshmitarët flasin për së paku 10 persona të vdekur dhe dhjetëra të lënduar.

“Numri i konfirmuar i viktimave është 7, ndërkohë që do të presim konfirmimet sapo të na vijnë informacionet e ardhura nga terreni. I gjithë potenciali mjekësor ndodhet në terren. Helikopterët janë vënë në dispozicion për të transportuar të plagosurit drejt Tiranës”, ka bërë të ditur ministri Vasili, ndërsa tha se është nisur personalisht drejt qytetit të Pukës.

Kryeministri Sali Berisha është nisur drejt Spitalit Ushtarak të Tiranës për të parë nga afër të plagosurit e tragjedisë së sotme rrugore.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat