Topalli uron nxënësit dhe mësuesit për vitin e ri shkollor

Shqipëria

Topalli uron nxënësit dhe mësuesit për vitin e ri shkollor

Më: 6 shtator 2010 Në ora: 16:28

Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli uroi sot të gjithë fëmijët dhe mësuesit për një vit sa më të mbarë shkollor, urim që ajo e përcolli gjatë ceremonisë së përurimit të Shkollës së re 9-vjeçare në Yrshek

“Është një kënaqësi e madhe kur ke mundësi të fillosh vitin e ri shkollor në një shkollë të re, me laboratore, me salla interneti, duke patur mundësi që të komunikoni me të gjithë, me bashkëmoshatarët tuaj në çdo cep të botës. Shqipëria sot renditet ndër vendet që ka kaluar edhe mesataren e BE-së për sa i përket përdorimit të internetit e teknologjisë së informacionit. " u shpreh Kryetarja e Kuvendit.

Gjatë kësaj periudhe, vlerësoi ajo, sistemi ynë i edukimit ka bërë hapa të jashtëzakonshme dhe nuk ka krenari më të madhe për ne, se sa të shohim që përqindja e nxënësve që shkojnë në shkollat 9-vjeçare ka arritur me gati 91 %, dhe kjo ndodh sepse ne kemi një popull arsimdashës.

Në fjalën e saj përshëndetëse Kryetarja e Kuvendit u shpreh:

"Nuk ka ditë më të bukur se sa dita e hapjes së shkollës, e rikthimit tek bangat e shkollës nëpër klasa. Është një kënaqësi e madhe kur ke mundësi të fillosh vitin e ri shkollor në një shkollë të re, me laboratore kompjuterike, duke patur mundësi që të komunikoni me të gjithë, me bashkëmoshatarët tuaj në çdo cep të botës.

Sot nuk mund të thotë askush që nuk ka mundësi në shkollën e vet që të jetë tek kompjuteri, që të jetë tek informacioni, tek dija, që të jetë i barabartë pa asnjë dallim me shokët e tij qofshin këta në Gjermani, Amerikë, dhe në cilin do vend të botës.

Para pak ditësh lexova një raport botëror mbi renditjen e vendeve sipas përparësive që ato kanë bërë në ICT. Nuk kishte kënaqësi më të madhe por edhe një lloj befasimi kur pashë që vendin tonë e kishin rreshtuar përpara Francës, Letonisë dhe përpara disa vendeve të tjera. Vetëm pak vite më parë as qe mund të mendonim se vendi ynë do të ishte i renditur në vendet e para në raport me zhvillimin me IT, ICT, internetin si dhe mënyrën e komunikimit virtual me të cilin komunikojnë moshatarët tuaj.

Në fakt ky është shekulli i globalizmit, është shekulli i internetit dhe ju jap një këshillë ashtu siç ia jap dhe djalit tim; mos e lëshoni kompjuterin nga dora dhe shfrytëzojeni. Mos humbni asnjë mundësi për të marrë çdo informacion në cilëndo fushë, është gjithmonë diçka më shumë që ju bën më të sigurt me veten tuaj, më të sigurt për të ardhmen tuaj.

Gjatë kësaj periudhe mund të them me kënaqësi se shkolla jonë, sistemi ynë i edukimit ka bërë hapa të jashtëzakonshme. Nuk ka detyrë më të madhe për ne, por dhe nuk ka krenari më të madhe për ne, se sa të shohim që përqindja e nxënësve që shkojnë në shkollat 9-vjeçare ka arritur me gati 91 %. Është e pabesueshme, me standardet më evropiane dhe kjo ndodh sepse ne kemi një popull arsimdashës, sepse kemi fëmijë të mençur dhe të zgjuar. Unë ju uroj gëzuar, uroj të merrni dhjeta, qofshi të suksesshëm, qofshi të lumtur , të gëzuar dhe çfarë t'ju dojë zemra! Një falënderim të veçantë edhe për mësuesit, për të gjithë punën, sakrificën dhe dashurinë që tregojnë për nxënësit dhe fëmijë tanë."

Më pas Kryetarja e Kuvendit vizitoi ambientet e brendshme të shkollës duke u ndalur në laboratorin informatikë dhe në klasat e më të vegjëlve.

Në bisedën e saj me mësuesit, Kryetarja e Kuvendit vlerësoi rolin e tyre për seriozitetin dhe sensin e përgjegjësisë në ushtrimin e detyrës së tyre.

Ajo tha gjithashtu se raporti i mirë dhe i afërt i mësuesve me nxënësit është një standard që duhet përcjellë për të gjithë brezin e mësuesve të rinj.

Nxënës nga e gjithë Shqipëria janë vizitorë të shpeshtë të parlamentit dhe për Kryetaren e Kuvendit: "kjo është kënaqësia më e madhe, , është një momenet që të rinon, të bën të hysh në botën e tyre, të kuptosh se çfarë mendojnë, një botë tjetër që duhet ta kuptosh ”

Shkolla e re 9-vjeçare Yrshek, një investim rreth 42 milionë lekë, është ndërtuar mbi bazën e të gjitha standardeve bashkëkohore, ku përfshihen edhe laboratorët e informatikës.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat