Berisha: Parlamenti Evropian merr nesër vendim historik për shqiptarët

Shqipëria

Berisha: Parlamenti Evropian merr nesër vendim historik për shqiptarët

Më: 6 tetor 2010 Në ora: 16:16

Në rrafshin njerëzor, kjo është arritja më e madhe për familjet shqiptare dhe për shqiptarët. Në rrafshin individual, kjo është ridimensionimi më i madh në histori, i lëvizjes së qytetarëve shqiptarë.

Është në detyrimin tonë para çdo qytetari shqiptar që, për të realizuar heqjen e vizave, jemi të gatshëm të marrim çdo vendim, të bëjmë çdo investim, të vendosim dhe konsolidojmë çdo praktikë të domosdoshme.

Kryeministri Berisha tha sot në mbledhjen e Këshillit të Ministrave se Parlamenti Europian pritet të votojë nesër për heqjen e vizave me Shqipërinë, duke e konsideruar këtë një moment historik për shqiptarët.

“Vota e nesërme, - u shpreh Kryeministri - është gjithashtu një përgjegjësi e madhe për ne, në mënyrë që të gjitha agjencitë tona të mbeten totalisht të angazhuara, që udhërrëfyesi dhe kërkesat e tij për heqjen e vizave të jenë një program i vazhdueshëm pune”.

Kryeministri Berisha kërkoi intensifikimin e fushatës sensiblizuese për njohjen me të drejtat dhe detyrimet që rrjedhin nga procesi i heqjes së vizave. Krahas transmetimit të spotit publicitar edhe në mediat lokale të vendit, Kryeministri kërkoi që ministria e Arsimit dhe ajo e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve të nisin shpërndarjen tek të rinjtë e një fletëpalosjeje, ku shpjegohen të drejtat dhe detyrimet nga procesi i heqjes së vizave.

Më gjerë në fjalën e tij, kryeministri Berisha u shpreh:

“Kryefjala e kësaj mbledhjeje si gjithnjë është problemi më kryesor, më i shumëpritur dhe më mirëpritur nga shqiptarët, heqja e vizave. Nesër, me një votë historike për Shqipërinë dhe shqiptarët, Parlamenti Europian do të votojë për heqjen e vizave. Për çdo komb, kjo përbën një arritje madhore historike, për shqiptarët, të cilët qenë të vetmit që, pas rënies së perdes së hekurt, vërshuan në eksode biblike, duke bërë kështu që rreth 25 përqind e kombit të kërkojë të ndërtojë jetën, nëpërmjet punës, në emigracion, kjo përbën një arritje të jashtëzakonshme, pasi i jep mundësi të madhe qetësimit të brengave familjare, vizitën për çdo rast e hall. Faktikisht, në rrafshin njerëzor, kjo është arritja më e madhe për familjet shqiptare dhe për shqiptarët. Por në rrafshin individual, kjo është ridimensionimi më i madh në histori, i lëvizjes së qytetarëve shqiptarë, është dinjitet, është potencial i madh në të gjitha aspektet.

Vota e nesërme është gjithashtu një përgjegjësi e madhe për ne, në mënyrë që të gjitha agjencitë tona të mbeten totalisht të angazhuara, që udhërrëfyesi dhe kërkesat e tij për heqjen e vizave të jenë një program i vazhdueshëm pune. Siç e theksova në mbledhjen e grupit parlamentar, e theksoj edhe sot, këtu, se qeveria franceze nuk kundërshton absolutisht procesin, por kërkon me shumë të drejtë garanci dhe garancia që kërkon qeveria franceze dhe qeveritë partnere është që qeveria dhe autoritetet shqiptare udhërrëfyesin e kanë një program të vazhdueshëm pune. Në këtë drejtim, të gjitha kërkesat, sipas ministrive dhe agjencive, duhet të jenë në shqyrtim dinamik të vazhdueshëm, rrisqet dhe analiza e tyre, masat e përcaktuara për to, si dhe lufta kundër kriminalitetit, lufta kundër korrupsionit duhet të njohin dimensione të reja. Është në detyrimin tonë para çdo qytetari shqiptar që, për të realizuar heqjen e vizave, jemi të gatshëm të marrim çdo vendim, të bëjmë çdo investim, të vendosim dhe konsolidojmë çdo praktikë të domosdoshme.

Unë jam në dijeni se po bëhet një fushatë intensive për sensibilizimin dhe njohjen e qytetarëve shqiptarë me domethënien e këtij procesi. Mendoj se ajo duhet intensifikuar. Zoti ministër i Arsimit, është e domosdoshme që fletëpalosja, që shpjegon të gjitha detyrimet e të drejtat që rrjedhin nga ky proces, të jetë në dorën e çdo nxënësi dhe e çdo studenti dhe këta nuk janë pak dhe nëpërmjet tyre, edhe të familjeve të tyre. Zoti ministër i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, është e domosdoshme që në çdo rast të shfrytëzohet mundësia për t’u dorëzuar fletëpalosjen të rinjve shqiptarë, kudo që janë. Krahas spoteve televizive që po bëhen në të gjitha mediat lokale, të shfrytëzohen të gjitha grumbullimet si në stadiume, ku shkojnë më së shumti të rinjtë, apo aktivitete të tjera rinore, në mënyrë që t’u dorëzohet fletëpalosja me të gjitha të drejtat dhe detyrimet që rrjedhin nga ky proces historik. Ne kemi bërë një punë shumë të mirë sensibilizuese deri tani, por ne duhet ta intensifikojmë atë gjatë javëve që vijnë, sepse procesi i shumëpritur po afron.

Shqiptarët presin prej të mos them shekujsh të lëvizin të lirë. Nesër voton Parlamenti Eruopian, në nëntor shpresoj të merret vendimi përfundimtar nga Këshilli i Ministrave dhe të realizohet kështu ëndrra e një kombi, me lëvizjen më të ndaluar se çdo komb tjetër në historinë e tij”.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat