Berisha: Votimi në PE, pas reformave tona

Shqipëria

Berisha: Votimi në PE, pas reformave tona

Më: 7 tetor 2010 Në ora: 14:22

Zonja dhe zotërinj,

Të dashur qytetarë e qytetare shqiptarë,

Sot, është një ditë krenarie për mbarë qytetarët shqiptarë. Data 7 tetor e vitit 2010, dita, në të cilën Parlamenti Evropian votoi për heqjen e vizave për shqiptarët, do të shkruhet me germa të arta në memorien e kombit tone, si ngjarja më madhore në udhën e tij të mundimshme shekullore drejt Evropës, si zhvillimi më i madhe pas shembjes së diktaturës së egër komuniste, për liritë, dinjitetin e shqiptarëve dhe procesin e integrimit të vendit në Bashkimin Evropian. Ky votim i ligjvënësve të 27 kombeve, anëtare të BE-së, në mbështetje të vendimit të Komisionit Evropian për heqjen e vizave për Shqipërinë, është edhe kurora më e ndritur e përpjekjeve mbinjerëzore për liri, dinjitet dhe integrim evropian të kombit që, vetëm dy dekada më parë, ishte dhe kombi më i izoluar më i vetmuar, më i vetëharruar dhe harruar i planetit, të kombit që vetëm 20 vjet më parë, rrëzimin e perdes së hekurt, do ta shënonte me eksode biblike dhe largim masiv nga vendi i tij, barbarisht dhe tërësisht i shkatërruar nga diktatura më e pamëshirë e kohës. Ky vendim është njëkohësisht edhe votëbesimi më i fuqishëm, më suprem i tempullit të demokracisë evropiane, përfaqësuesve ligjvënës të 27 vendeve anëtare të BE-së, ndaj suksesit të reformave të thella e të gjithanshme të ndërmarra nga qeveria shqiptare.

Ky votëbesim historik u bë i mundur para së gjithash dhe mbi të gjitha nga lufta me zero tolerancë ndaj krimit të organizuar, çmontimit dhe vendosjes para ligjit të mafies dhe bosëve të saj, të mbi 200 bandave të krimit te organizuar që kontrollonin porte, aeroporte, qytete, qarqe të tëra të vendit dhe shndërrimi i Shqipërisë në një ndër vendet më të sigurta në rajon e më gjerë.

Ky vendim epokal për lirinë dhe dinjitetin e shqiptarëve u bë i mundur nga lufta me zero tolerancë ndaj korrupsionit, lufta për të cilën qeveria u njoh si kampione për reformat e saj të mëdha, por po ashtu edhe për vendosjen para ligjit të qindra zyrtarëve të korruptuar .

Ky votëbesim historik i Parlamentit Evropian në mbështetje të vendimit të Komisionit Evropian për heqjen e vizave për shqiptarët u bë i mundur vetëm e vetëm nga anëtarësimi i Shqipërisë në Aleancën e Atlantikut të Veriut, shndërrimi i saj në një vend që eksporton siguri dhe stabilitet në vende të tjera.

Vota e sotme e Parlamentit Evropian u bë e mundur nga zgjedhjet e lira dhe të ndershme të 28 qershorit, të respektimit dhe garantimi i lirive dhe të drejtave të njeriut, zgjerimi i tyre, respektimi i plotë i të gjitha lirive politike dhe lirive tjera në Shqipëri.

Votëbesimi historik i sotëm i parlamentarëve, përfaqësues të të gjitha kombeve anëtare të BE-së, u bë i mundur vetëm e vetëm me reformat e thella dhe të gjithanshme që qeveria ndërmori në fushën e regjistrit dhe zyrave të gjendjes civile, dokumenteve të identitetit të qytetarëve shqiptarëve, të cilat bënë që ata sot, të disponojnë pasaportat biometrike dhe letërnjoftimet më moderne të kohës.

Votëbesimi më i madh i Parlamentit Evropian për Shqipërinë dhe shqiptarët u bë i mundur vetëm e vetëm nga nënshkrimi dhe zbatimi i dhjetëra marrëveshjeve me vendet anëtare të BE-së, vendosja e sistemeve më moderne të kontrollit të kalimit të kufirit, të analizës së riskut, aplikimit të standardeve më të mira të emigracionit dhe ripranimit.

Pa të gjitha këto reforma dhe suksesin e tyre, votimi i sotëm nga Parlamenti Evropian për heqjen e vizave, do të ishte një horizont i largët për Shqipërinë dhe shqiptarët.

Por vendimi i sotëm u bë i mundur nga vlerësimet e Komisionit Evropian, ekspertëve të shumtë të Komisionit dhe vendeve anëtare, mendimeve dhe vlerësimeve të tyre të drejta, objektive dhe të ndershme për suksesin e reformave në Shqipëri dhe plotësimin nga autoritetet shqiptare, të kërkesave të udhërrëfyesit për heqjen e vizave.

Natyrisht, ky votëbesim u bë i mundur edhe nga fisnikëria, ndjenjat miqësore dhe respekti për Shqipërinë dhe shqiptarët, i parlamentarëve, përfaqësues të vendeve anëtare të BE-së. Në këtë kontekst, parlamentarët evropianë shprehën sot respektin, njerëzinë, por dhe miqësinë e tyre ndaj Shqipërisë dhe shqiptarëve. Ndaj dhe unë sot, këtu, para jush, dua t’i shpreh mirënjohjen time më të thellë Komisionit Evropian për propozimin e tij për heqjen e vizave për Shqipërinë, Parlamentit Evropian që me votimin e tij historik për shqiptarët mbështeti sot, këtë propozim të Komisionit, një mirënjohje të veçantë dua t’i shpreh Kryetarit të Parlamentit Evropian, kryetarëve të grupeve parlamentare të Parlamentit Evropian, raportueses për Shqipërinë, kryetarit dhe anëtareve të nënkomisionit për Shqipërinë në Parlamentin Evropian, të komisionit të Jashtëm dhe komisionit të Lirive Civile, miqve të shquar të Shqipërisë dhe shqiptarëve në këtë parlament, të gjithë deputetëve që mbështetën fuqishëm, me 538 vota, propozimin në seancën plenare për heqjen e vizave për qytetarët shqiptarë, mirënjohjen më të thellë atyre dhe vendeve të tyre, por edhe garancitë më të mëdha e më të plotë të qeverisë shqiptare për trajtimin e të gjitha kushteve të udhërrëfyesit, si një proces për t’u konsoliduar gjithnjë e më shumë, si një program të vërtetë dhe të vazhdueshëm për qeverinë dhe autoritetet shqiptare.

Unë, gjithashtu, një falënderim dhe mirënjohje të thellë dua t’u shpreh atyre qindra dhe mijëra punonjësve të administratës shqiptare, që me punën, përkushtimin, profesionalizmin e tyre bënë të mundur reformat dhe suksesin e tyre, plotësimin e kushteve të udhërrëfyesit, që sollën votëbesimin e sotëm për Shqipërinë.

Por, unë do ta mbyll këtë konferencë, duke shprehur falënderimin më të përzemërt, mirënjohjen më të pakufishme ndaj qeverive dhe taksapaguesve të vendeve anëtare të Bashkimi Evropian, Komisionit Evropian, qeverisë dhe taksapaguesve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe vendeve të tjera mike, që me bujarinë dhe ndihmat e tyre prej miliarda eurosh, në mijëra e mijëra projekte gjatë gjithë këtyre viteve, bënë të mundur suksesin e reformave në Shqipëri dhe vendimin e sotëm historik të ligjvënësve evropianë, për lirinë dhe dinjitetin e shqiptarëve, për lëvizjen e tyre të lirë në mbarë Evropën.

Zoti i bekoftë ato, kombet dhe vendet e tyre!

Pyetje: Zoti Kryeministër, sot, krahas votimit në Parlamentin Evropian ka pasur një debat se sa është ky vendim meritë e Bashkimit Evropian dhe sa është meritë e reformave të ndërmarra për realizimin e heqjes së vizave?

Së dyti,në korrik të vitit 2009, kur shpallët koalicionin, thatë se ishte koalicioni i integrimit. Sot si ndjeheni me këtë koalicion?

Kryeministri Berisha: Mendoj se debati ka trajtuar të dy anët e këtij problemi. Pa reformat dhe suksesin e tyre, ky proces nuk mund të ndodhte, por pa dashamirësinë, miqësinë dhe mendjet iluministe, të tilla do t’i quaja, sepse ky nuk është një proces i thjeshtë për vendet anëtare të Bashkimi Evropian, udhëheqjen e tyre politike, Parlamenti Evropian, duke iu përmbajtur parimit të lirisë dhe duke i përparësuar këto parime, mori këtë vendim historik. Ndaj siç e theksova edhe në fjalën time, këtu ka një kombinim të të dy këtyre aspekteve kryesore, që sollën këtë vendim dhe që pritet vendimi final i Këshillit të Ministrave, gjatë muajve që vijnë.

Natyrisht, kjo qeveria ka pasur, ka dhe do të ketë si program kryesor të saj integrimin e e vendit në Bashkimin Evropian, si projektin më madhor të shqiptarëve, për të ardhmen e tyre. Kështu që ne jemi të vendosur të marrin çdo vendim, çdo reformë dhe çdo ligj, në mënyrë që ky proces të eci si një proces i bazuar në meritë.

Pyetje: Sa optimist ndjeheni për vendimin që pritet të marrë Këshilli i Ministrave të Brendshëm të BE-së në muajin nëntor, pas këtij vendimi të sotëm të PE-së?

Kryeministri Berisha: Unë jam optimist, por krahas optimizmit, dua të shpreh garancinë time të plotë ndaj të gjitha vendeve anëtare, që qeveria shqiptare e merr këtë si një proces që duhet të konsolidohet gjithnjë e më shumë, se qeveria shqiptare është e gatshme të përmbushë çdo detyrim që rrjedh nga ky proces dhe të vendosë të gjitha format më të përshtatshme të bashkëpunimit me secilin vend anëtar, në mënyrë që procesi i heqjes së përkohshme të vizave për shqiptarët të mos krijojë as edhe shqetësimin më të vogël për vendet anëtare të BE-së. Ndaj edhe theksoj se udhërrëfyesi është dhe do të vazhdojë të mbetet një program pune për qeverinë shqiptare. Udhërrëfyesi për vizat, i cili ka rreth 120 kërkesa, është gjithashtu dokument themelor për reformat që kemi ndërmarrë e do të ndërmarrin, sepse, faktikisht, rezultante janë vizat, por synimi i tyre janë një tërësi standardesh, kriteresh e praktikash, të cilat duhet të konsolidohen, në mënyrë që Shqipëria të eci e sigurt drejt procesit të integrimit në Bashkimin Evropian.

Pyetje: Zoti Kryeministër, pati një deklaratë të fortë dje, nga ana e ambasada amerikane, lidhur me ligjin për Gjykatën Administrative. Ambasada amerikane u shpreh e gënjyer për mos kalimin e këtij ligji në parlament. A keni një koment për këtë?

Kryeministri Berisha: Unë nuk dua ta bëj këtë çështje të një debati. Ajo çka unë dua është të ftoj edhe një herë zotin Rama, të votojmë ligjin për Gjykatën Administrative, sepse mënyra më e mirë për të korrigjuar gabimin e bërë e për të shprehur edhe një pendim për atë qëndrim është të votojmë këtë ligj. Është e paimagjinueshme për taksapaguesit amerikanë, për Agjencinë Amerikane të Ndihmës dhe Zhvillimit Ndërkombëtar, të cilët, gjatë këtyre 18 viteve, kanë investuar në këtë vend në qindra e mijëra projekte, në të katër anët e vendit e në të gjitha fushat, mbi 700-800 milion dollarë dhe tani të sillet në një mënyrë të tillë shumë, shumë të papranueshme. Ligji për Gjykatën Administrative është një ligj, për të cilin interesi është i barabartë për të gjitha forcat politike dhe për të gjithë biznesin shqiptar. Por ky ligj dhe ky program ishte i domosdoshëm edhe për vlerësimin e mëtejshëm për statusin Kompakt të Shqipërisë, çka nënkupton qindra milion dollarë të tjerë, në rast se do të fitohej, për infrastrukturën, shkollat, spitalet, investime nga qeveria amerikane në Shqipëri. Kështu, pa hyrë në aspekte të tjera, do të jetë përgjigja më e mirë dhe më e domosdoshme ta votojmë ligjin në seancën e parë të parlamentit. Mendoj se çdo njeri duhet të shqyrtojë veprimtarinë e tij dhe duhet të gjejë forca për të korrigjuar qëndrimet e tij të gabuara dhe ka mundësi të plotë që ky qëndrim të korrigjohet, edhe për të mbledhur parlamentin para kohe, në qoftë se opozita dëshiron dhe për të votuar ne, si shumicë, të gjitha amendamentet që opozita i gjykon të domosdoshme, në mënyrë që ky trup gjyqësor jetik për vendin të ngrihet në standardet më të mira të paanësisë, pavarësisë dhe funksionalitetit.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat