Vizat, dekoret zbukurojnë Tiranën, kryeqyteti vishet me petk festiv

Reportazhe

Vizat, dekoret zbukurojnë Tiranën, kryeqyteti vishet me petk festiv

Nga: Reportazh Më: 8 nëntor 2010 Në ora: 12:46

Asnjë barrierë dhe asnjë pengesë. Prej ditës së sotme shqiptarët rifitojnë krenarinë dhe dinjitetin e tyre evropian. Ministrat e Brendshëm dhe të Drejtësisë të vendeve të Bashkimit Evropian, do të thonë fjalën e fundit, në shenjë mirënjohje për progresin reformator të qeverisë “Berisha”, duke miratuar propozimin e Parlamentit Evropian për liberalizimin e vizave Shqipëri-BE. E gjitha është një moment kulmor dhe ndër më të rëndësishmit në rrugën e vendit drejt integrimit evropian.

Heqja e vizave përbën vlerësimin më të lartë të vlerave evropiane të popullit shqiptar si dhe është medalja më e çmuar që Shqipëria arrin të sigurojë në një kohë rekord, vetëm 2 vjet pas përcaktimit të rekomandimeve dhe kritereve të Komisionit Evropian, për udhërrëfyesin e përfitimit të lëvizjes pa viza.

Na ndajnë vetëm pak orë deri në marrjen e vendimit përfundimtar nga Bashkimi Evropian për liberalizimin e vizave në zonën “Schengen” dhe kjo do të çojë në realizimin e një ëndrre të shumëpritur nga shqiptarët e cila që në ditën e djeshme ka nisur të krijohet atmosfera festuese nëpër rrugët e kryeqytetit. Tashmë ëndrrat e shqiptarëve po bëhen realitet dhe kjo shënon një ngjarje historike në kalendar, por dhe një ditë të shënuar për çdo qytetar shqiptar.

Data e sotme 8 nëntori i 2010 do lëshojë sinjalin jeshil për Shqipërinë dhe për Bosnje – Hercegovinën. Ky vendim i shumëpritur nga qytetarët shqiptarë dhe nga ata Bosnjë - Hercegovinës do të vijë nga Këshilli i Ministrave të Brendshëm të Bashkimit Evropian. Atmosfera festive është ndier prej dy ditësh në Tiranë, dhe kjo vihet re nga qytetar i saj, çdo kalimtar apo vizitor i huaj në kryeqytet. Tirana është zbukuruar me tabela me flamuj, banderola dhe tabela që njoftojnë ngjarjen e shumëpritur për shqiptarët. Ngjyra blu, ngjyra e BE-së bie në sy në çdo rrugë e kryqëzim të Tiranës, ku nëpër çdo shtyllë valëviten flamujt blu të bashkimit evropian.

Gjatë rrugëve kryesore bulevardi, ku është përhapur dhe lajmi i shumëpritur dhe i dëshiruar nga të gjithë shqiptarët, ku përmes tabelave me emrat e kryeqyteteve kryesore të Europës si “Berlin 1334 km”, “Zyrih 1117 km”, “Milano 971 km etj, është përhapur mesazhi dhe është ndezur atmosfera festive që pritet të behet sot realitet dhe që u jep mundësinë e udhëtimit pa viza në zonën “Schengen” të gjithë qytetarëve shqiptarë drejt destinacioneve Evropiane.

Pritet që festimet për këtë ngjarje historike të kulmojnë ditën e martë me një koncert madhështor në sheshin “Nënë Tereza”, ku aktualisht po ndërtohet një skenë gjigande ku përveç koncertit që do të mbahet aty do të ketë dhe aktivitete të tjera nga universiteti i Tiranës.

Vendimi përfundimtar mbi këtë proces që ka njohur progres dhe ka sjellë realizimin e reformave transformuese për vendin tonë, i takon Ministrave të Brendshëm të BE-së, të cilët, sipas të gjitha zërave që qarkullojnë në korridoret e kancelarive europiane do të votojnë sot në mesditë ‘pro’ lëvizjes së lirë për qytetarët e Shqipërisë dhe Bosnje Hercegovinës. Marrja e këtij vendimi përkon edhe me festat e fund vitit i cili po i vjen shqiptarëve si dhurata më e bukur që mund të kenë marrë gjatë këtyre 20 viteve demokraci.

Pritet që qytetarët e Shqipërisë t’i festojnë krishtlindjet në vendet e zonës “Schengen” aty ku ndodhen edhe shumë emigrantë shqiptarë. Ky fakt historik do t’i afrojë njerëzit e thjeshtë me shumë me të afërmit e tyre. Nga viti 2008, kur Komisioni Europian i dorëzoi Shqipërisë udhërrëfyesin për liberalizimin e regjimit të vizave, Shqipëria ka bërë një progres të ndjeshëm në drejtim të përmbushjes së kritereve të tij, progres që është vlerësuar në të gjitha raportet e institucioneve ndërkombëtare.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat