Kouchner i gëzuar që u hoqen vizat për shqiptarët

Shqipëria

Kouchner i gëzuar që u hoqen vizat për shqiptarët

Më: 11 nëntor 2010 Në ora: 16:30

Ministri i Punëve të Jashtme dhe Evropiane të Republikës së Francë, Bernad Kouchner ka uruar homologun shqiptar Edmond Haxhinasto me rastin e liberalizimit të vizave “Bashkimi Evropian sapo ka dhënë miratimin e tij në mbledhjen e Këshillit të Drejtësisë dhe Punëve të Brendshme (JAI), të mbajtur më 7 dhe 8 nëntor, për liberalizimin e vizave për qëndrim të shkurtër në favor të shtetasve shqiptarë. Unë e kuptoj sa i rëndësishëm është për vendin tuaj ky vendim, i cili i përgjigjet dëshirës së popullsisë shqiptare për t’u hapur edhe më shumë drejt Evropës dhe kjo gjë më gëzon.

Siç e dini, autoritetet franceze e kanë mbështetur, që prej fillimit të procesit, liberalizimin e vizave në favor të vendeve të Ballkanit Perëndimor në përgjithësi, dhe të Shqipërisë në veçanti. Unë vetë personalisht jam angazhuar shumë në favor të kësaj mase.

Nga ana e saj Shqipëria nuk i ka kursyer përpjekjet e saj për të përmbushur kriteret e duhura të përcaktuara nga udhërrëfyesi. Ka qenë një punë e gjatë dhe e nevojshme. Është e rëndësishme që Shqipëria të mos ndalojë përpjekjet e saj tani qe vendimi është marrë. Ky i fundit në fakt do të ndiqet me rigorozitet, për t’u siguruar që masat e zbatuara për të përgatitur liberalizimin e vizave do vazhdojnë realisht të aplikohen. Besueshmëria e procesit të liberalizimit ka këtë çmim. Ajo është në interes të të dy vendeve tona.

Vendimi i marrë më 7 dhe 8 nëntor shënon kështu një etapë të rëndësishme të afrimit të Shqipërisë me Evropën, me efekte të dukshme për popullsinë. Është një moment i një gëzimi të madh të përbashkët. Duhet vazhduar në këtë rrugë. Mund të jeni të sigurt se Franca do të jetë pranë jush për t’ju ndihmuar në këtë rrugë”, thuhet në letrën e shefit të diplomacisë franceze, Bernard Kouchner.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat