Topalli përgëzoi ish të burgosurit politikë për heqjen e vizave

Shqipëria

Topalli përgëzoi ish të burgosurit politikë për heqjen e vizave

Më: 12 nëntor 2010 Në ora: 16:28

Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Jozefina Topalli përgëzoi sot ish të burgosurit dhe të persekutuarit politikë për heqjen e vizave, vendimi historik përmbyllës, që mori BE më 8 Nëntor. “Këta shqiptarë që sakrifikuan dhe vuajtën më shumë për lirinë e fjalës dhe lëvizjen pa pengesa, e cilësuan heqjen e vizave, si rënien e dytë të Murit të Berlinit shqiptar”, tha ajo. Topalli duke falënderuar për pjesëmarrjen në gëzimin e këtyre momenteve të paharrueshme për çdo shqiptar, shprehu respekt dhe mirënjohje të thellë për ata mijëra njerëz që u vranë, u burgosën dhe vuajtën dënimet e diktaturës më të egër të Evropës.

Kryetarja e Kuvendit tha se vendimi historik i heqjes së vizave është arritja më e madhe historike për një popull që ka jetuar historinë më të dhimbshme të izolimit, të një vendi që ishte një burg i madh për të gjithë shqiptarët.

“Unë ju falënderoj shumë që më keni ftuar në këtë takim me të persekutuarit e Tiranës, por edhe të qyteteve të tjera. Unë ju njoh të gjithëve ju! Ne njihemi përmes një historie të përbashkët. Unë ju falënderoj për momentin në të cilin ju më keni ftuar!

Historia e këtyre burrave dhe grave është historia e një shpirti të lirë, historia e një sakrifice për ata që donin ta shihnin vendin e tyre të lirë. Ata kërkonin që ta shihnin vendin e tyre dinjitoz, kërkonin që të ishin të lirë në lëvizjen e tyre. Është një histori prej 100 vitesh, burgje, internime, varje, pushkatime, pa gjyq.

Është një histori, që secili prej jush e di mirë. Shqipëria ishte një burg i madh. Nuk ka një popull më të vuajtur dhe më të sakrifikuar për lirinë, sesa kombi jonë.

Ndaj dhe vendimi që është marrë më 8 Nëntor për heqjen e vizave për shqiptarët, së pari fillon nga puna , sakrifica, shpirti i madh i lirisë i atyre, që janë me emra të gdhendur në këtë muze ,është i secilit prej jush, secilit prej familjarëve tuaj, motra, vëllezër që sot nuk janë më .

Është dëshira e tyre e madhe për të prekur botën e lirë, ndaj dhe bashkë kemi filluar betejën në vitin 1945, bashkë e kemi fituar betejën në vitin 1991, bashkë me ju kemi fituar vendimin e 8 Nëntorit.

Kemi punuar fort, kemi bërë reforma të guximshme, ndoshta shumë të tjerë nuk e mendonin se do të vinte dita që ne do të trajtoheshim me dinjitet dhe do ishim të lirë për të shkuar në ato vende ku secili prej jush ka familjarët .

Pa dyshim që gjatë rrugës ka pasur pengesa. Ka pasur përpjekje nga dikush që nuk donte që të vinte kjo ditë.

Janë përfaqësues të atij blloku që, pasi vranë djem e vajza të reja në kufi, i tërhoqën me litar, pas makinave edhe në vitin 1990. Janë ata që i çuan në burgje dhe internime këto vajza e djem të rinj. Ndaj dhe sot jam shumë e gëzuar që e festojmë bashkë me ju, këtë moment historik !

Njerëz me një kurajë të jashtëzakonshme. Ju me dinjitet keni qëndruar në ato momente të tmerrshme. Jo çdokush guxonte të ngrihej dhe të kërkonte të drejtat e tij, lirinë, sepse të kushtonte plumbin, të bënte vite burgje, sakrifikimin e fëmijëve dhe të gjithë familjarëve të tjerë.

Natyrisht marrje e vendimit për heqjen e vizave, siç e kanë thënë dhe parlamentarët e tjerë nuk ishte dhuratë, por e merituar. Është një punë e jashtëzakonshme që Kuvendi i Shqipërisë ka bërë duke miratuar ligje e reforma të rëndësishme. Natyrisht jam e trishtuar që disa deputete me urdhër nuk morën pjesë dhe nuk votuan kurrë këto ligje.

Sot jam krenare më shumë se kurrë, bashkë me ju dhe të gjithë shqiptarët, që përmes reformave që kemi bërë kemi merituar heqjen e vizave dhe kjo na bën më me dinjitet dhe qytetarë realë të Evropës. Jam shumë e kënaqur që takimin e parë e kisha me të rinjtë shqiptarë dhe të dytin e kam me pjesën e të persekutuarve, me ata që e kanë vuajtur direkt në trupin e tyre, në familjen e tyre, atë çfarë do të thoshte bllokim, izolim, jo lëvizje e lirë, jo Evropë. Kjo është ajo, që e kemi pas dhe kemi në mendje, Evropa”, tha në fjalën e saj kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Jozefina Topalli.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat