Berisha inspekton situatën në disa nga zonat e përmbytura në rrethin e Shkodrës

Shqipëria

Berisha inspekton situatën në disa nga zonat e përmbytura në rrethin e Shkodrës

Më: 2 dhjetor 2010 Në ora: 16:28

Kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, i ndodhur që prej orëve të para të mëngjesit në Shkodër, ku drejtoi mbledhjen e Shtabit të Emergjencës Civile, inspektoi situatën në disa nga zonat e përmbytura më problematike, si pasojë e vazhdimit të reshjeve të shumta të shiut dhe prurjeve të mëdha të lumenjve.

Kryeministri u ndal në lagjen Xhabije në hyrje të qytetit të Shkodrës, në fshatin Kuç të komunës Guri i Zi, në Urën e Spatharit, si dhe në Mali i Jushit në komunën Bushat.

Gjatë inspektimit në lagjen Xhabije të qytetit të Shkodrës, Kryeministri Berisha tha se megjithëse po bëhen përpjekje të mëdha për t’i zvogëluar, përmbytjet nuk përjashtohen.

“Situata në Shkodër, - tha Kryeministri - nuk është e mirë. Lumi i Bunës ka prurje të shumta, të cilave ju bashkohen edhe lumenjtë e Alpeve që derdhen këtu. Në themel të nisjes së kësaj situate ka qenë fryrja e liqenit. Prurjet ujore të këtij viti kanë qenë në kulmin e verës 7 herë më të mëdha, sesa verën e mëparshme. Në rast se verën e kaluar prurjet e Drinit kanë zbritur 12 m3/sekondë, këtë verë kanë mbetur në 70 m3/sekondë", tha kryeministri Berisha

Kryeministri njoftoi se situata po koordinohet edhe me Malin e Zi, ku edhe atje ka zona të tëra të përmbytura, për ndërhyrje të përbashkët anës Bunës. Në Shkodër ndodhet aktualisht edhe zëvendës ministri i Malit të Zi.

“Sot, kam urdhëruar ministrin e Financave të ndryshojë buxhetin dhe të fillojë projekti i thellimit të Bunës, i cili është një projekt ndër më të kushtueshmit, por i domosdoshëm dhe duhet të fillojë. Përmbytjet kanë qenë të shumta në Shkodër, për shkak të reshjeve të mëdha dhe ky është viti i reshjeve të mëdha. Nëse nuk është përmbytur më parë, nuk do të thotë se nuk ka pasur apo se sot mungon infrastruktura, përkundrazi, nga vjet deri sivjet janë bërë një seri investimesh, por këtë situatë nuk e përballon dot. Thellimi i Bunës do të shtojë rrjedhjen në Bunë me 30 për qind, por thellimi më i madh do ta gjymtonte Shkodrën, për shkak të liqenit. Pra, është një ekuilibër ekologjik, i cili duhet të ruhet. Digat janë një mbrojtje e madhe e Shkodrës. Imagjinoni çdo të ndodhte me Shkodrën, nëse nuk do të ishin digat dhe nga Alpet të vinin me mijëra metër kub ujë drejt ultësirës,” u shpreh Kryeministri.

Kryeministri drejtoi apelin se evakuimi është i nevojshëm, duke siguruar se qytetarët do të kenë mbështetjen e plotë të qeverisë dhe pushtetit vendor. “Ju i shihni lajmet dhe në një pjesë të Evropës ka jo pak viktima për shkak të motit të keq, ndërsa fatmirësisht, tek ne nuk ka viktima”.

Kryeministri Berisha inspektoi më pas situatën në fshatin Kuç të komunës Guri i Zi. Pasi u njoh me situatën dhe masat e marra, Kryeministri përgëzoi kryetarin e komunës Broz Marku, prefektin dhe kryetarin e qarkut të Shkodrës, që si edhe kryetari i bashkisë së Shkodrës dhe kryetarët e komunave të tjera, me përkushtim të madh po përballen me një situatë të rëndë. Kryeministri garantoi se qeveria do t’i mbështesë me të gjitha mjetet për ta kapërcyer këtë situatë me pasojat më të vogla.

“Rëndësi kryesore, - u shpreh Kryeministri - është që të mos keni asnjë humbje në jetë njerëzore dhe duhet të bëjmë evakuim të familjeve. Të mos harrojmë se janë vende shumë më të fuqishme se ne, që në këtë mot të madh kanë jo pak viktima. Ndaj, duhet të bëjmë evakuimin e popullatës dhe më pas të gjësë së gjallë”.

Kryeministri tha se qeveria do të jetë pranë qytetarëve për rivitalizimin dhe rikompensimin e të gjitha dëmeve të shkaktuara. “Në komunën tuaj ju keni paraqitur një listë projektesh që të gjitha janë të miratuara dhe janë në buxhetin e këtij viti. Janë 5 projekte ujësjellës, shkolla e rrugë, të cilat do të jenë në buxhetin e ardhshëm”, u shpreh Kryeministri Sali Berisha.

Kryeministri Berisha theksoi se në këtë situatë parësore është evakuimi i popullatës, duke kërkuar angazhimin total për sistemimin e të evakuarve.

Më pas, Kryeministri u ndal në komunën Bushat. Edhe këtu, Kryeministri siguroi kryetarin e komunës dhe banorët se do të kenë të gjithë mbështetjen dhe mjetet e nevojshme për evakuimin e tyre. Në rast se do të jetë e nevojshme, për transportimin e të sëmurëve do të aktivizohen edhe helikopterë.

“Unë ju falënderoj se ju keni bere punë të mirë me forcat e policisë dhe të ushtrisë, por duhet të përgatitemi se parashikimet e motit thonë se do të ketë një mot të keq për dy javë. Ne do të bëjmë të pamundurën që askush të mos pësojë gjë, por as edhe bagëtia. Ne duhet të përgatitemi, sepse motin nuk e kemi në dorë. Duhet të gjejmë rrugët më të mençura, më të studiuara për të kapërcyer këtë situate. E theksoj, për ne ka rëndësi që ju të evakuoheni dhe pastaj bagëtia. Komuna, ushtria, policia e qeveria do të jenë 24 orë me ju”, u shpreh Kryeministri Berisha.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat