Rikompensim të gjitha dëmeve nga përmbytjet

Shqipëria

Rikompensim të gjitha dëmeve nga përmbytjet

Më: 3 dhjetor 2010 Në ora: 02:05

Kryeministri Berisha garantoi dje nga Shkodra, se qeveria do të rikompensojë të gjitha dëmet e shkaktuara nga vërshimi i ujit në banesat e të gjithë banorëve të zonave të këtij qarku, që janë prekur nga përmbytjet. Prej dy ditësh, kreu i qeverisë po ndjek nga afër situatën e krijuar në zonat e përmbytura në Qarkun e Shkodrës, si pasojë e vazhdimit të reshjeve të shumta të shiut dhe prurjeve të mëdha të lumenjve. Edhe dje, Berisha, i shoqëruar nga Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, inspektoi disa prej komunave më problematike, duke u bërë thirrje banorëve për evakuim, ndërsa tha se qeveria do të mbështesë të gjitha projektet e kërkuara nga komunat përkatëse lidhur me rrugët, shkollat, ujësjellës etj. "Në komunën tuaj, ju keni paraqitur një listë projektesh që të gjitha janë të miratuara dhe janë në buxhetin e këtij viti. Janë 5 projekte ujësjellës, shkolla e rrugë, të cilat do të jenë në buxhetin e ardhshëm", u shpreh Kryeministri gjatë bisedës me Kryetarin e Komunës, Gur i Zi. Ai shprehu sigurinë e plotë, se qeveria do të jetë pranë qytetarëve për rivitalizimin dhe rikompensimin e të gjitha dëmeve të shkaktuara. Nisur nga situata problematike në zonat e përmbytura, Berisha theksoi se, çështja më kryesore dhe e rëndësishme është evakuimi i menjëhershëm i popullatës, ndërsa qeveria ka marrë të gjitha masat për sistemimin dhe strehimin e tyre. Duke inspektuar situatën në fshatin Kuç, Berisha dha garancinë e plotë se, qeveria do të mbështesë banorët me të gjitha mjetet për ta kapërcyer këtë situatë me pasojat më të vogla. Pasi u njoh me situatën që paraqitet në këtë zonë si dhe masat e marra, Kryeministri përgëzoi kryetarin e Komunës, Broz Marku, prefektin dhe kryetarin e Qarkut të Shkodrës, si edhe kryetarin e Bashkisë së Shkodrës dhe kryetarët e komunave të tjera, me përkushtim të madh po përballen me një situatë të rëndë. Berisha theksoi se, më e rëndësishmja është që të mos ketë humbje në jetë njerëzore ndaj dhe evakuimi duhet të vijojë pa ndërprerje. Në këtë kontekst, Berisha bëri të ditur se, vende më të fuqishme se Shqipëria, të cilat në kushtet e një situate të tillë kanë patur edhe viktima. "Rëndësi kryesore, është që të mos keni asnjë humbje në jetë njerëzore dhe duhet të bëjmë evakuim të familjeve. Të mos harrojmë se janë vende shumë më të fuqishme se ne, që në këtë mot të madh kanë jo pak viktima. Ndaj, duhet të bëjmë evakuimin e popullatës dhe më pas të gjësë së gjallë", tha ndër të tjera kreu i qeverisë. Në vijim, Kryeministri u ndal edhe në Komunën Bushat, duke shprehur edhe njëherë kryetarin e komunës dhe banorët se do të kenë të gjithë mbështetjen dhe mjetet e nevojshme për evakuimin e tyre. Në rast se do të jetë e nevojshme, për transportimin e të sëmurëve do të aktivizohen edhe helikopterë. "Unë ju falenderoj se ju keni bërë punë të mirë me forcat e policisë dhe të ushtrisë, por duhet të përgatitemi se parashikimet e motit thonë, se do të ketë një mot të keq për dy javë. Ne do të bëjmë të pamundurën që askush të mos pësojë gjë, por as edhe bagëtia. Ne duhet të përgatitemi, sepse motin nuk e kemi në dorë. Duhet të gjejmë rrugët më të mençura, më të studiuara për të kapërcyer këtë situatë. E theksoj, për ne ka rëndësi që ju të evakuoheni dhe pastaj bagëtia. Komuna, ushtria, policia e qeveria, do të jenë 24 orë me ju", tha kreu i qeverisë.

Ndryshime në buxhet për nisjen e thellimit të Bunës

Ministria e Financave do të bëjë ndryshimet përkatëse në buxhetin e shtetit, për nisjen e menjëhershme të projektit për thellimin e lumit të Bunës. Konfirmimi u bë dje nga Kryeministri Berisha, i cili theksoi se për një ndërhyrje të përbashkët në lumin e Bunës po koordinohet edhe me Malin e Zi, ku edhe atje ka zona të tëra të përmbytura. Ndërkohë, që gjatë ditës së djeshme edhe zëvendësministri i Malit të Zi ndodhej në qytetin e Shkodrës. "Sot, kam urdhëruar ministrin e Financave të ndryshojë buxhetin dhe të fillojë projekti i thellimit të Bunës, i cili është një projekt ndër më të kushtueshmit, por i domosdoshëm dhe duhet të fillojë. Përmbytjet kanë qenë të shumta në Shkodër, për shkak të reshjeve të mëdha dhe ky është viti i reshjeve të mëdha. Nëse nuk është përmbytur më parë, nuk do të thotë se nuk ka pasur apo se sot mungon infrastruktura, përkundrazi, nga vjet deri sivjet janë bërë një seri investimesh, por këtë situatë nuk e përballon dot. Thellimi i Bunës do të shtojë rrjedhjen në Bunë me 30 përqind, por thellimi më i madh do ta gjymtonte Shkodrën, për shkak të liqenit. Pra, është një ekuilibër ekologjik, i cili duhet të ruhet. Digat janë një mbrojtje e madhe e Shkodrës. Imagjinoni çdo të ndodhte me Shkodrën, nëse nuk do të ishin digat dhe nga Alpet të vinin me mijëra metër kub ujë drejt ultësirës", tha Kryeministri, duke theksuar qytetarët do të kenë mbështetjen e plotë të qeverisë dhe pushtetit vendor si për evakuimin ashtu edhe për strehimin. Berisha theksoi gjithashtu, se për shkak të motit të keq, situata paraqitet e rënduar edhe në vende të tjera të Europës, por fatmirësisht në Shqipëri nuk ka patur viktima. "Ju i shihni lajmet dhe në një pjesë të Evropës ka jo pak viktima për shkak të motit të keq, ndërsa fatmirësisht, tek ne nuk ka viktima", ka kreu i qeverisë. Po ashtu, Berisha vijoi inspektime edhe në lagjen Xhabije në hyrje të qytetit të Shkodrës, në fshatin Kuç të Komunës Guri i Zi, në Urën e Spatharit, si dhe në Malin i Jushit në Komunën Bushat.

Masa për zvogëlimin e përmbytjeve

Në vijim të inspektimit në lagjen Xhabije të qytetit të Shkodrës, Kryeministri Berisha tha se, megjithëse po bëhen përpjekje të mëdha për t'i zvogëluar, përmbytjet nuk përjashtohen. Ai sqaroi se, prurjet ujore gjatë këtij viti edhe në kulmin e verës kanë qenë 7 herë më të mëdha krahasuar me verën e një viti më parë. "Situata në Shkodër, nuk është e mirë. Lumi i Bunës ka prurje të shumta, të cilave ju bashkohen edhe lumenjtë e Alpeve që derdhen këtu. Në themel të nisjes së kësaj situate, ka qenë fryrja e liqenit. Prurjet ujore të këtij viti kanë qenë në kulmin e verës 7 herë më të mëdha, sesa verën e mëparshme. Në rast se verën e kaluar prurjet e Drinit kanë zbritur 12 m3/sekondë, këtë verë kanë mbetur në 70 m3/sekondë".

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat